Bllokimi i negociatave të ardhshme për buxhetin disavjeçar nuk është në interesin e asnjë shteti anëtar, u shpreh sot komisioneri evropian për Buxhetin, Günther Oettinger, pas presioneve të Italisë në sfondin e përballjes midis Romës dhe BE-së për migrantët.
“Ka një sërë arsyesh pse bllokimi nuk është në interesin e asnjë shteti anëtar”, deklaroi Oettinger, i pyetur në lidhje me kërcënimet e shfaqura javën e kaluar nga Italia, ndërkohë që tonet janë rritur mes Romës dhe Brukselit për pritjen e migrantëve të shpëtuar në det.
Negociatat për kuadrin e ardhshëm disavjeçar të BE-së (CFP) të buxhetit të saj për periudhën 2021-2027 pritet të nisin në javët në vazhdim, pasi Komisioni paraqiti në maj propozimet e tij.
Nëse Europa vijon të na kthejë shpinën për imigracionin, Roma do të vërë veton për buxhetin e BE-së, kërcënoi javën e kaluar zëvendëskryeministri italian, Luigi Di Maio.
Komisioneri gjerman në një komunikatë për shtyp në prani të gazetarëve evropianë në Bruksel u shpreh se pa një marrëveshje për buxhetin e ardhshëm, nuk ka fonde për 10 000 rojet kufitare të parashikuara në programin e Komisionit. Pasi ruajtja e kufijve të jashtëm është në interes të Italisë, raporton atsh.
Komisioni synon arritjen e një marrëveshjeje midis të 27-ve dhe Parlamenti përpara zgjedhjeve evropiane të majit 2019. “Jam optimist”, përfundon Oettinger,
