Qeveria ndryshon ligjin për pagesën e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. Ndryshimi parashikon që fondi që do të vihet në dispozicion nga buxheti i shtetit do të ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, dhe jo si deri tani që fondi ndahej 70 % për kategorinë parësore dhe 30 % për trashëgimtarët.
Në projektligjin që është miratuar në qeveri dhe do të kalojë për shqyrtim e votim në parlament thuhet se “Në nenin 12 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon: Paragrafi i parë ndryshon me këtë përmbajtje: “Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist do të ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i madh se 1 milion lekë. Për të gjitha subjektet përfituese parësore, kur vlera totale e dëmshpërblimit është mbi 8 milionë lekë, do të vijohet me pagesën e këstit pasardhës deri në shpërndarjen e plotë të shumës së miratuar. Në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në 1 000 000 lekë, shpërndarja e dëmshpërblimit do të kryhet me një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit”.
Ndryshimet në ligj parashikojnë që me kryerjen e pagesës së dëmshpërblimit, për të gjithë përfituesit, brenda këstit më të ulët, fillon pagesa e këstit pasardhës. Ky mekanizëm do të përsëritet deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit”.
DËMSHPËRBLIMI I KALON BUXHETIT
Në rastin kur e drejta e përfitimit të dëmshpërblimit financiar përfundon me mbylljen e rrethit të familjarëve që nuk jetojnë, të përcaktuar sipas pikës 1 të këtij neni, dëmshpërblimi financiar, për pjesën takuese të tyre, kalon në buxhetin e shtetit. Qeveria ka miratuar edhe ndryshimin e në nenin 29, pas paragrafit të dytë shtohet paragrafi i tretë me këtë përmbajtje: “Gabimet e bëra në të dhëna ose në llogaritjen e masës së shpërblimit, ose ndonjë pasaktësi e dukshme në vendimin e Këshillit të Ministrave për miratimin e dëmshpërblimit financiar, mund të rishikohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
PËRFITOJNË DËMSHPËRBLIM
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i përfituesve, masës, kritereve dhe procedurës së përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist, nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme, si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991.
Objekt i këtij ligji është edhe dëmshpërblimi i familjarëve të viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht për motive politike, me vendime penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme apo speciale, ose me urdhra të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991, si dhe dëmshpërblimi financiar për personat e internuar ose të dëbuar, me kusht që humbja e jetës apo periudha e vuajtjes së internimit ose dëbimit të vërtetohen me dokument, të krijuar si burim arkivor para datës 1.10.1991.
Dëmshpërblimi i viktimave, të vrara ose të ekzekutuara gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991, jepet vetëm për familjarët e përcaktuar sipas këtij ligji. Qëllimi i këtij ligji është dhënia e dëmshpërblimit financiar nga shteti shqiptar për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist, të mbetur gjallë, për familjarët e viktimave të ekzekutuara dhe personat e internuar ose të dëbuar në kampe, si një angazhim i shtetit demokratik në dënimin e krimeve të regjimit totalitar komunist dhe garantimin për ta të njëjete më të mirë.
Dëmshpërblimi financiar, sipas këtij ligji, nuk përjashton marrjen e masave të tjera, të njëkohshme ose të mëvonshme, ligjore apo administrative, në dobi të të persekutuarve e tëdënuarve politikë, të cilat i shërbejnë rivendosjes së drejtësisë dhe dinjitetit shoqëror të kësaj shtrese apo krijimit të kushteve favorizuese, për riintegrimin shoqëror të tyre. Procedura e shqyrtimit administrativ të kërkesave dhe masa e dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësishtpa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave

