Autori i golit që i dha 3 pikët e para në kampionat Partizanit, Bruno Telushi, ka folur sot në lidhje me sfidën e ardhshme të të kuqve në Superligë kundër Kastriotit.
Mesfushori vlonjat përveçse vlerëson skuadrën kundërshtare shprehet se te Partizani është për të fituar titullin kampion, trofe i cili i mungon në karrierën e tij.
Sa e keni vuajtur mungesën e golit ?
E kam vuajtur pak sepse dëmtimi më la mbrapa. Me ardhjen e Gegës ndihem mirë dhe mendoj se po jap atë që duhet.
Goditjet standarte…
Në ekip ka futbollistë të tjerë që godasin mirë portën. Duhet të kërkojmë faullet në zonat e fundit që të kemi mundësi të godasim portën sa më shumë.
Sa e rëndësishme është kjo ndeshje për tu përgatitur, pasi kampionati ndërpritet për 1 javë ?
Kjo ndeshje është e rëndësishme dhe ne e kemi përgatitur mirë. Nuk duhet ta marrim lehtë dhe ne e kemi vlerësuar maksimalisht. Edhe me Kamzën pak a shumë kështu na ndodhi në pjesën e parë.
A mendoni se ky Partizan është më i mirë se ai i sezonit të shkuar ?
Kjo pyetje nuk më takon mua për të dhënë përgjigje. Këta futbollistë që janë duhet të japin maksimumin.
Ju mungon një titull kampion në karrierë ?
Më mungon shumë një titull kampion, arsyeja pse jam te Partizani është që të fitoj kampionatin. Nëse gjërat shkojnë mirë, mendoj se jemi në rrugën e duhur.
(BalkanWeb)