GREQI- Qeveria greke ka kërkuar një marrëveshje të re për një ndihmë tjetër financiare nga Eurozona, vetëm pak orë përpara skadimit të afatit për ndihmën e shkuar dhe që duhet t’ia kthejë Fondit Monetar Ndërkombëtar. Janë 1.6 miliardë euro që Greqia duhet t’i paguante brenda ditës së sotme.
Qeveria greke kërkon një marrëveshje ndihme të re dyvjeçare nga vendet e Eurozonës. Ministrat e Financave të Eurozonës janë mbledhur për të diskutuar lidhur me çështjen e krizës greke, por takimi nuk ka patur rezultat, ndaj nesër do të ketë sërish mbledhje për të marrë një vendim.
SITUATA NË GREQI, EUROGRUP MBLIDHET SËRISH NESËR PËR TË MARRË NJË VENDIM
Ora 20:18- Tele-konferenca mes Eurogrup dhe Greqisë ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Eurogrup do mblidhet sërish nesër për situatën në Greqi për të marrë një vendim për situatën. Greqia ka diskutuar propozime të afërta me ato që kërkojnë institucionet.
JUNCKER: NE SHPRESOJMË PËR NJË SURPRIZË POZITIVE SONTE
Ora 20:16- Presidenti i Këshillit Europian, Zhan-Klod Juncker deklaroi sot se në Greqi ndodhën gjëra që nuk imagjinoheshin më parë. Nga ana tjetër, Juncker theksoi se shpresohet për një surprizë pozitive mbrëmjen e sotme. “Ndodhën gjëra që nuk ishin imagjinuar në Greqi. Ngjarje për të cilat nuk ishin përgatitur të ballafaqohen ndaj shpresojmë për një surprizë pozitive. Unë shpresoj për një zgjidhje sonte.”, deklaroi Juncker.
GREQI, PROTESTË NË SHESHIN “SINTAGMA” NË ATHINË
Ora 19:35- Mijëra qytetarë grekë pro BE-së, po protestojnë në sheshin “Sintagma” në Athinë. Në protestë janë edhe përfaqësues të opozitës greke. Protestuesit mbajnë në duar parullat “Mbetemi në Evropë”, duke u shprehur “PO” për referendumin, çka do të thotë që Greqia të mbetet në Europë. Ndërkohë dje në të njëjtën orë kanë protestuar mijëra qytetarë të tjerë që janë kundër kreditorëve.
OBAMA: TË GJENDET NJË ZGJIDHJE PËR GREQINË
Ora 19:30- Pak orë para përfundimit të afatit për shlyerjen e 1.6 miliard eurove ndaj FMN-së, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka kërkuar të gjendet një zgjidhje për Greqinë.
“Të gjendet një zgjidhje për Greqinë. Të vazhdojnë bisedimet për zgjidhjen e krizës greke. Shqetësimi për krizën greke, ndikon në Evropë”, ka thënë Obama.
“Sa i përket popullit amerikan, kjo nuk është diçka që do të shkaktojë tronditje të madhe në sistem. Por, padyshim se është e dhimbshme për popullin grek dhe mund të ketë efekt të rëndësishëm në normat e rritjes në Evropë”, ka thënë Obama. Ai i ka bërë këto komente në një konferencë për media në Uashington, së bashku me presidenten e Brazilit.
Ndërkohë që zëdhënësi i Merkel ka deklaruar se nëse anulohet referendumi do të ketë negociata.
MERKEL: S’DO KONSULTOJMË NJË KËRKESË PËR PROGRAM TË 3 NDIHME
Fill pas propozimit të qeverisë greke në lidhje me detyrimin e borxhit, ra reaguar kancelarja gjermane, Angela Merkel. Merkel theksoi se konsultojnë një kërkesë për program të 3 ndihmave. “Nuk konsultojmë propozime para referendumit”, tha Merkel.
SHEFI I EUROGRUP, DIJSSELBLOEM: DO TË SHQYRTOJMË PROPOZIMIN E GREQISË
Menjëherë pas publikimit të propozimit të qeverisë greke, shefi i Eurogrup, Jeroen Dijsselbloem ka njoftuar në Twitter një tele-konferencë ku do të shqyrtohet propozimi i Greqisë.
“Sot në 19:00 tele-konferencë e Eurogrup. Do të shqyrtojmë propozimin e Greqisë”, shkruan Dijsselbloem.
PROPOZIMI I QEVERISË GREKE PËR KRIZËN: MARRËVESHJE 2-VJEÇARE BRENDA EUROS, RISTRUKTURIM I BORXHIT
Presidenti i Komisionit Europian Zhan-Klod Junker bëri një ofertë të minutës së fundit në Athinë në përpjekje për të arritur një marrëveshje ndihme, para se të skadojë afati për pagesën e këstit të borxhit. Sipas ofertës, kryeministri Aleksis Tsipras do të duhet të dërgojë sot një deklaratë me shkrim se pranon propozimet e kreditorëve me një ndryshim në tekstin e tyre, dhe të bëjë thirrje që populli grek të përgjigjet më një “po” në referendum. Në mënyrë specifike, kushtet e Juncker janë:
– Athina të pranojë tekstin e propozimeve të kreditorëve,
– Të pranohet një ndryshim i tekstit, që lidhet me TVSH-në e hoteleve,
– Tsipras të bëjë thirrje që qytetarët të përgjigjen me një “po” në referendum
– Nëse këto kushte pranohen, të thirret një mbledhje urgjente e Eurogrupit.
Ndërkaq rreth mesditës mediat greke bënë të ditur se edhe Tsipras ka bërë një propozim drejtuar Juncker për një marrëveshje të qëndrueshme. Madje thuhet se Tsipras mund të udhëtojë në Berlin ose Bruksel për takime me zyrtarët e lartë. Ndërkohë, mediat njoftojnë se qeveria greke ka propozuar një marrëveshje dy-vjeçare brenda euros për Mekanizmin e Stabilitetit Evropian (ESM), që kjo e fundit të mbulojë plotësisht nevojat financiare dhe ristrukturimin e borxhit. Qeveria greke është shprehur më tej se kërkon kushte më të mira për popullin e saj.
(m.k/ed.me/a.n/BalkanWeb)
