Zinedin Zidan ka shkruar historinë e futbollit me gërma të arta dhe sigurisht që rekordi i tij i vënë në drejtimin e Real Madrid, tre trofe “Champions League” të fituara radhazi vështirë se do të thyhet ndonjëherë.
Ajo që e bëri më unike ishte edhe dorëheqja në fund të sezonit të kaluar, pikërisht në ekzaltimin më të madh të klubit, duke përjashtuar çdo lloj mundësie të rreqitjes së situatës nga duart në vitet e ardhshme.
Francezi në një intervistë për faqen e “UEFA-s” ka rrëfyer sekretet e suksesit.
“Gjithnjë i kam mbetur besnik filozofisë sime të futbollit, të cilën u përpoqa t’ua transmetoj lojtarëve të mi, pavarësisht kundërshtarit që kishim përballë”, thotë trajneri francez.
“Zizou” është po aq krenar për të gjitha triumfet; i pari që erdhi në vitin e debutimit, i dyti pas një superperformance kundër Juventusit në Cardiff, dhe i treti për shkak të kulmit të përvojës madrilene.
Megjithatë, sezoni i kaluar shënoi edhe një statistikë negative, sipas së cilës “Los Blancos”-it humbën edhe më shumë pikë në ndeshjet e luajtura në “Bernabeu”.
“Shpesh pas paraqitjeve të jashtëzakonshme në transfertë na humbiste përqëndrimi në ndeshjet në shtëpi. Gjithsesi, skuadra nuk u përfshi kurrë nga paniku. Me ata ishte gjithçka e lehtë, sepse kishin cilësi të jashtëzakonshme. Unë thjesht duhet t’i ndihmoja të ruanin qetësinë”, shpjegon Zidane.
Veçohen mbi të gjitha ndeshja në “Bernabeu” kundër Juventusit, e cilësuar si “rasti tipik kur ne menduam se kualifikimi ishte arritur”, ndërkohë që humbja në grupe me Tottenhamin “na ndihmoi të ishim edhe më të fortë” derisa mbërritëm në finalen e Kievit.
Në kryeqytetin ukrainas, formacioni titullar ishte i njëjti që luajti edhe në finalen e Cardiffit, por me një taktikë të ndryshme.
“I kërkova Iscos të qëndronte sa më lart nga linja e mesfushorëve të tjerë, ndërsa Marcelos i kërkova të shtynte sa më shumë përpara nga krahu, pasi Ramosit i kisha siguruar mbështetje”, rrëfen Zidane. “Sigurisht që eksperienca është fundamentale në të tilla nivele për të marrë vendimet e duhura”.
Presingu në sulm i Modriç dhe Kroos, përfshirja e Casemiros në qendër dhe zotërimi i topit ishin çelësat e suksesit të mesfushës madrilene, por nuk duhet harruar karizma e lojtarëve të tillë si Sergio Ramos dhe Cristiano Ronaldo.
“Sergio është një lider natyral në fushë dhe jashtë saj. Cristiano është i aftë të frymëzojë të gjithë shokët e skuadrës me atë që bën në fushë”, shpjegon Zidane. Por, leksioni më i madh i asimiluar nga Zidane ishte “t’i detyroja lojtarët e mi të ruanin qetësinë. Ishte pikërisht ajo që kam pasur më shumë nevojë kur luaja vet, ndaj përpiqesha t’ua transmetoja edhe atyre”.
(BalkanWeb)
