Opozitarët kanë vendosur të bojkotojnë për të dytën herë radhazi seancën plenare për t’u zhvendosur në një tjetër qytetet, pas Shkodrës në Elbasan, duke e vlerësuar këtë të fundit si qytetin e dytë në vend ku sipas tyre fshihen lidhjet e forta krim-qeveri.

Në fjalën e tij në nisje Kryedemokrati Basha e konsideroi Elbasanin qytetin simbol të bashkëqeverisjes se Ramës me krimin.

Basha tha se Qazim Sejdini, Taulant Balla dhe banda e krimit të organizuar nga Çelët te Sanxhaktarët treguan se kush sundon kur goditën policinë e shtetit pa asnjë pasojë ligjore. Ndërkohë në mbledhjen e opozitës mungonte kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

“Do të presin skandalin e radhës dhe do të lenë të qetë familjet kriminale të Shkodrës si lanë ata të Elbasanit. Është krimi që dikton dhe kjo është arsyeja po qeveria po destabilizohet.
Në më pak se 24 orë dy familje do të ndahen nga dy fëmijë që kanë humbur jetën në akte kriminale
Kemi një kryeministër në letër që ka dorëzuar territorin e kontrollit kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të krimit.
Elbasani ka një simbolikë tjetër. Këtu është gjeneza e bashkëpunimit të Ramës me krimin. Fabrika e kokainës është çengeli kriminal që mban peng Ramën, përmes Olsi Ramës. Faktet e përfshirjes së tij në këtë aferë janë fshehur në mënyrë kriminale nga Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafa dhe shokut të tij në polici, Ard Veliu. Kjo është arsyeja pse u bllokua komisioni hetimor. Fakte tronditëse do të dalin dhe do të provojnë se këtu në Elbasan Rama ngriti çengelin e krimit të organizuar”, deklaroi Basha.

Basha tha se në funksion të këtij objektivi kombëtar për të çliruar qeverisjen nga krimi opozita e bashkuar, po përpunon platformën e saj e cila do të bëhet publike menjëherë.
“Vendimi ynë, ka qenë të jemi me njerëzit, t’i japim fund një elite politike të lidhur me krimin. Të çojmë politikanët e lidhur me krimin para drejtësisë. Ofrojmë një plan pune që çliron ekonominë nga oligarkët, zhvatja e grabitja, duke nisur nga paradhoma e Ramës.
Dekriminalizim i plotë, çlirimi i drejtësisë nga kapja politike, zgjedhje të lira të ndershme demokratike, ku qytetarët të vendosin, janë objektiva kryesore të platformës tonë në këtë mbledhje këtu në Elbasan”, u shpreh Basha.

Kreu i PD-së theksoi më tej se “Duke dënuar mungesën totale të vëmendjes e pranisë të rendit këtu në Elbasan, le t’i japim formë kësaj platforme e të nisim punën për shpërndarjen e diskutimin e mobilizimin qytetar për ta kthyer këtë platformë në një alternativë që ta parashtrojmë si rrugëdaljen nga katastrofa në të cilin e ka futur Shqipërinë bashkëqeverisja e Ramës me krimin”. “Opozita e Bashkuar sipas vendimit të marrë në Shkodër, po përpunon platformën e saj e cila do të nisë të bëhet publike menjëherë.Vendimi ynë ka qënë dhe është të merremi me njerëzit. Ai është me krimin, ne jemi me njerëzit!Vendimi ynë është ti japim fund një elite politike të lidhur me krimin dhe të çojmë politikanët e lidhur me krimin, në rradhë të parë jashtë institucioneve, dhe pastaj para një drejtësie të reformuar dhe jo para një drejtësie të kapur.Në këtë mënyrë u kthejmë qytetarëve, mundësinë për të vendosur për fatin e tyre, mundësinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme duke ju ofruar një platform dhe një plan pune që çliron ekonominë nga oligarkët, nga monopolet, nga tenderat korruptivë, nga lejet abusive. Nga shtypja e të drejtit, e të voglit, të zakonshmit dhe favorizimi I të mëdhenjëve që nuk ngopen kurrë nga privilegjet, zhvatja dhe grabitja që bëjnë duke nisur nga paradhoma e Edi Ramës.

1 – Dekriminalizimi i plotë përmes vettingut të politikanëve të lidhur me krimin.
2 – Çlirimi I drejtësisë nga kapja politike në funksion të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin
3 – Zgjedhje të lira të ndershme, demokratike ku qytetarët të jenë ata që vendosin
4 – Një ekonomi e çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar, në funksion të mirëqenies së qytetarëve Këto janë katër objektivat kryesore të platformës tone, objekt i dikustimit të gjerë në këtë mbledhje- perfundoi kryedemokrati

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb