Claudio Marchisio pak ditë më parë ndau rrugët me klubin e Juventusit pas 25 vitesh, duke mbyllur një kapitull me zhgënjime, por edhe plot fitore e shumë emocione bardhezi.

Si futbollist i lirë italiani vendosi të nënshkruante për Zenitin në Rusi, ndërkohë që ka ardhur edhe reagimi i parë pas largimit nga “Seria A”. Mesfushori fillimisht sjell në vëmendje atë që përjetoi në Torino.

“Juventus ka qenë gjithmonë familja ime. Gjithçka nisi në vitin 1993 në një shoqëri, që më ka dhënë mundësinë të përjetoj një ëndërr dhe të fitoj shumë. Kam shumë emocione brenda, që nuk mund t’i harroj kurrë. Jam një person me fat, sepse realizova ëndrrën time, fitova shumë dhe vendosa disa rekorde. Ajo që mbetet nuk janë fitoret, por raportet humane të krijuara me shokët, qytetin dhe tifozët. Kjo është një mirupafshim për qytetin e Torinos, ndërsa për Juventusin nuk e di, të shohim.”- tha mesfushori.

Me tej futbollisti 32-vjeçar flet për sezonet e fundit, ku nuk arriti të jetë asnjëherë një shtyllë e ekipit. Madje për të janë është deklaruar shumë herë se është i dëmtuar, diçka që hidhet poshtë nga Marchisio. Ai pretendon se Juventus duhet ta kishte trajtuar ndryshe.

“Periudha e fundit nuk ka qenë e lehtë për mua, por ky është rreziku i profesionit tonë. Ndihem keq që më trajtuan si një lojtar të dëmtuar, ndërkohë që unë nuk kisha një dëmtim. Edhe kjo është pjesë e punës tonë, por mezi po pres të nis aventurën e re, të stërvitem si kam bërë gjithmonë dhe të tregoj vlerat e mia si lojtar.”- ka përfunduar Claudio Marchisio.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb