Kina ka nxjerrë nga varfëria 740 milionë njerëz në zonat rurale që nga viti 1978 deri në 2017, afërsisht 19 milion çdo vit. Shifrat janë bërë publike nga Byroja Kombëtare e Statistikave. Agjencia e lajmeve Xinhua thotë se raporti i varfërisë në zonat rurale është ulur me 94.4 përqind gjatë kësaj periudhe, me një rënie mesatare vjetore prej 2.4 përqind. Të dhënat e Byrosë Kombëtare të Statistikave tregojnë se arritjet e Kinës për të eliminuar varfërinë kanë kontribuar edhe në uljen e varfërisë në rang global. Të ardhurat mesatare vjetore për banor në zonat rurale u rritën mesatarisht 10.4 % në vit nga 2012 deri në 2017. Gjatë pesë viteve të fundit, mbi 68 milionë njerëz u hoqën nga varfëria, ndërsa synohet të hiqen më tej 10 milion të tjerë këtë vit. Kohët e fundit Kina ka lëshuar udhëzime për të fituar betejën kundër varfërisë në tre vitet e ardhshme. Sipas udhëzimeve, njerëzve të varfër duhet t’u garantohet ushqimi dhe veshja, dhe fëmijëve nga familjet e varfëra duhet t’u garantohet një arsim 9-vjeçar i detyrueshëm. Gjithashtu duhet të garantohen nevojat themelore mjekësore dhe kushtet e jetesës së të varfërve. Njerëzit me të ardhura vjetore më të ulëta se 2.300 juanë (337.3 dollarë amerikanë) janë përkufizuar se jetojnë nën kufirin e varfërisë në Kinë. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb