Kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se është pro vettingut në politikë, nismë kjo e propozuar nga Partia Demokratike. Kreu i qeverisë tha se do të ishte i lumtur që vettingut t’i nënshtroheshin të gjithë, politikanë e zyrtarë, madje edhe familjarët e tyre.
Ai tha se ishte i gatshëm që ky proces të nisin nga sarajet e tij. I ftuar në emisionin ‘Open’ në Top Channel, Rama tha se gjatë kohës që kishte marrë detyrën e kryeministrit, në Kryeministri ishin marrë të gjitha dhuratat që iu ishin dhuruar pasardhësve të tij.
“Përpara se të shkojmë tek filmat e ERT-ve, dua të them ca gjëra që si kam thënë asnjëherë dhe si konsideroj aspak heroizma. Kur u bëra kryeministër në godinën e Kryeministrisë nuk kishte asnjë dhuratë. Në të gjitha kryeministrite e vendeve serioze dhuratat që vinë për kryeministrat kur kalojnë një vlerë simbolike, kur nuk është një kravatë, apo buton, regjistrohen dhe qëndrojnë aty. Për herë te pare kryeministria ka një regjistër të dhuratave dhe ka dhurata të çmuara të cilat si kam marrë me vete në shtëpi. Por i kam lënë aty. Këtë gjë po ua them siç është. A i kanë marrë, apo a ua kanë marrë se di. Di qe kur kam hyrë aty, ishte marrë gjithçka. Nuk kishte asnjë gjurmë, asnjë shenjë që kishte qëndruar dikur një kryeministër. Kur isha kryetar i PS dhe kryebashkiak, kam bërë një dasmë, janë i regjistruar dhe i kam kthyer pas. Do isha i lumtur sikur të hapeshin të gjitha librat e pasurive dhe shpenzimeve të politikaneve, të familjarëve dhe krushqve të tyre. Të gjitha. Të merreshin të gjitha shpenzimet e udhëtimeve, hotelet, shpenzimet që kanë bërë, lindjet, martesat, sëmundjet. Dhe të zbardheshin të gjitha burimet e të ardhurave që kanë buruar pasuri me shpenzime të larta. Të zbardheshin të gjitha. Do isha i lumtur. Jam i interesuar që të niste nga sarajet e mia”, tha Rama.
Madje edhe tek gjithçka që ndodhet brenda banesës së tij.
“Të gjitha pa përjashtim jo vetëm të shtëpisë ku banoj unë. Çdo gjë që është brenda, ku janë faturat dhe ku janë blerë. Të bëhej kjo gjë do isha më se i gatshëm. Por nuk do mbarojë këtu. Të gjithë këta që janë këtu nuk dëgjojnë vetëm që unë jetoj në saraje, që fluturoj me chartera e helikopterë, shpenzoj këtë e atë por dëgjojnë që ime shoqe ka përfituar truallin ku është ndërtuar sshtëpinë në mënyrë abuzive. Unë e di shumë mirë si është e vërteta. Unë të vërtetën e kam në letra jo në zemër dhe jam gati ta vë në dispozicion të çdo lloj komiteti, komisioni por duhet të shkojë përtej oborrit të shtëpisë sime. Del që baxhanaku i Edi Ramës ka marrë tendera unë ç’duhet të bëj, të dal t’i përgjigjem këtyre për të gjitha llojet e akuzave”, u shpreh kryeministri.
Nuk ka munguar ironia për kreun e PD-së Lulzim Basha. “Ky është artist, ky mua më ngazëllen se është artist. Në kuptimin mashtrues. I ke parë ata që fusin dorën e nxjerrin zogun këtej, e fusin në anën tjetër nxjerrin lepurush, ja ku është. Ato që tha ai janë më të rëndë se zogu, lepurushi dhe kapelja ime”, deklaroi kryeministri.
Por ai shprehu dyshimet se kërkesa e opozitës për vetting në politikë është një lojë. “Lojë e Lulit si artist. Vettingun që po bëhet këta e sulmojnë çdo ditë. Këta duan që një bisedë, një përgjim këta ta marrin të thonë që kjo është arsyeja që deputeti duhet të ikë në shtëpi”, tha Rama.
(ed.me/BalkanWeb)
