TIRANE – Deputetët e mazhorancës miratuan në Kuvend projektvendimin për procedurën paraprake për përzgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë, duke i hapur rrugë kështu zgjedhjes së pasueses së Elivar Golemit, e akuzuar për skandalin e vjedhjes së Thesarit. Dy ditë më parë ky projektvendim u miratua në Komisionin e Ekonomisë dhe tashmë pritet të pasohet me zyrtarizimin e kandidatëve për këtë post. Mazhoranca ka miratuar pak javë më parë edhe projektvendimin për procedurën për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e axhendës së sotme të Kuvendit ishte edhe Interpelanca me Kryeministrin Rama kërkuar nga deputeti Vangjel Dule, lidhur me situatën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve si dhe politikat e qeverisë në kuadër të proceseve të integrimit.
KUVENDI MIRATON PESË ANËTARËT E MAZHORANCËS NË KËSHILLIN DREJTUES TË RTSH-SË
Kuvendi miratoi sot pesë kandidaturat e propozuara nga mazhoranca për Këshillin Drejtues të Radio- Televizionit Shqiptar.
Përmes votimit të fshehtë me elektronikë deputetët e shumicës votuan kandidaturën e
Xhemal Matos (68 vota pro, 5 vota kundër dhe 6 abstenime),
atë të Valbona Sulçes (68 vota pro, 5 vota kundër, 5 abstenime);
të Helidon Halitit (70 vota pro, 5 vota kundër dhe 4 abstenime);
kandidaturën e Xhelil Aliut (69 vota pro; 4 kundër dhe 6 abstenime)
dhe të Vladimir Groshës (64 vota pro; 9 vota kundër dhe 5 abstenime)
si anëtarët e rinj të bordit drejtues të RTSH-së.
Zgjedhja e anëtarëve të rinj të KDRTSH-së i jep fund procedurës njëvjeçare të nisur nga parlamenti, e cila do të përmbyllet me përzgjedhjen dhe kandidaturave të propozuara nga opozita, e cila nuk u bë pjesë e procesit për shkak të bojkotit parlamentar.
Radio- Televizioni Shqiptar është enti kryesor publik mediatik në vend, i cili deri më sot ka funksionuar me një këshill të vjetër drejtues. Këshilli përbëhet nga kryetari dhe nga 10 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë. Anëtari i njëmbëdhjetë, njëkohësisht kryetar i KD-së, zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit. Në këtë post drejtues zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së zgjidhet me votim të fshehtë nga KD për një periudhë 5-vjeçare ndërmjet jo më pak se 2 kandidaturave. Përzgjedhja e kandidaturave bëhet nga Këshilli.
KUVEND, BETOHET DEPUTETJA E RE MIRA SHEHU
Betohet në Kuvend deputetja e re e Partisë Socialiste, Mira Shehu, e cila do të zërë vendin e Luiza Xhuvanit, e dorëhequr pak javë më parë pas masakrës në një lokal nate në Tiranë, ku autor dyshohet djali i saj Kostandin Xhuvani.
në emër të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, deputetja Vasilika Hysi paraqiti raportin përkatës, sipas të cilit mandati i dhënë nga KQZ për deputeten Shehu është plotësisht i ligjshëm dhe në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Më pas, deputetja Mira Shehu përsëriti tekstin e betimit sipas rregullores.
Mira Shehu, e lindur në Çorovodë më 19 Janar 1973, është diplomuar më 1996 në Inxhinieri Mekanike dega Konstruksione ne Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Në vitin 2003 ajo përfundon shkollën pasuniversitare UPT; në vitin 2007 merr Gradën Shkencore “Doktor i Shkencave”, ndërsa në 2009-n merr titullin akademik ‘Profesore e Associuar’.
Mira Shehu që prej vitit 1999 punon në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, ku aktualisht mban pozicionin e Përgjegjësit të Departamentit të Inxhinierisë Mekanike & Navale; në vitet 2007-2009 ka qënë Dekane e Fakultetit të Shkencave Teknike dhe 2009-2010 Dekane e Shkollës Pasuniversitare.
Sa i takon karrierës politike, në periudhën 2007-2009 ka qënë Koordinatore e PS-së për arsimin në Qarkun e Vlorës; në 2009-n kandidatë për deputete, aktualisht është anëtare e Asamblesë Kombëtare. Nga viti 2004 e në vazhdim është anëtare e bordit të NSTM (Network of Sciences and Materials Technology) midis universiteteve shqipfolëse, Tirana, Prishtina, Elbasan, Vlora, Tetova dhe Universiteteve gjermane of Bergakademie Freiberg dhe Mitweida.
BRAÇE: NJË KOHË E RE KA NISUR PËR SIPËRMARRJEN
Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe, deklaroi në Kuvend se ka nisur një kohë e re për sipërmarrjen. “Favorizimi i një grushti sipërmarrësish dhe klientësh të lidhur ngushtë me familjen politike të Berishës, ka marrë fund. Të gjithë do të vendosen në një stad të barabartë pas këtyre masave ligjore që po marrim në ligin “Për procedurat tatimore”, tha ai.
Braçe, po ashtu, komentoi edhe borxhin e krijuar nga rimbursimi TVSH-së. “Rimbursimi i TVSH-së ishte një problem i madh dhe u akumulua një borxh i jashtëzakonshëm. Qeveria nga muaji shtator i vitit të shkuar ka nisur shlyerjen e borxhit ndaj biznesit”, – deklaroi Braçe.
Kreu i Komisioni të Ekonomise i kërkoi Kuvendit të ndërhyjë për prishjen e situatës monopol për shërbimin e pajisjeve fiskale. Gjatë seancës plenare të Kuvendit, ku u shqyrtuan ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, Braçe theksoi se kosto e pajisjeve fiskale është shume e lartë veçanërisht për biznesin e vogël. Sipas tij, në bazë të përllogaritjeve të bëra, kosto vjetore për pajisjen fiskale llogaritet 671 dollarë.
Ndërkohë, duke mbrojtur ligjin “Për procedurat tatimore”, Braçe tha se ndër risitë kryesore të tij është ulja e një sërë gjobash deri në 50 %, si për mosdeklarimin e punonjësve nga biznesi i vogël, mosmirebajtjen e pajisjes fiskale etj.
KUVENDI DISKUTON PR/LIGJE NË FUSHËN E MJEDISIT DHE SIGURINË NË PUNË
Kuvendi i Shqipërisë nisi të enjten punimet e seancës plenare të radhës me diskutimin e disa ndryshimeve në ligjin “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, për të vijuar më pas me pr/ligjin “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”.
Relatori i këtij projekti, deputeti i PS-së, Besnik Bare, tha se qëllimi i tij është të përmirësojë shëndetin publik dhe të sigurojë një nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit, duke përmirësuar cilësinë e ajrit. Kjo do të realizohej përmes integrimit të çështjes së mbrojtjes së ajrit në politika të tjera, si dhe përcaktimit të kërkesave për pakësimin e shkarkimeve të ndotësve.
Rendi i ditës
– Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.237, datë 18.02.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”.
– Projektligji “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”.
– Projektligji “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë”.
– Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”.
– Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas nr. ALB-0028, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB) për pjesëmarrjen në financimin e projektit të rindërtimit të rrugëve dytësore dhe lokale”.
-Projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit nr. 3 të marëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës “Për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme”.
– Projektligji “Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes Istisna’a dhe marrëveshjes së Agjencisë Istisna’a ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB) për projektin e rrugës Tiranë-Elbasan”.
– Projektvendim “Për procedurën paraprake për përzgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë”.
– Projektvendim “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të komisionerit për mbikëqyrjen e shërbimit civil”.
– Projektvendim “Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar”.
– Interpelancë me Kryeministrin kërkuar nga deputeti Vangjel Dule, lidhur me situatën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve si dhe politikat e qeverisë në kuadër të proceseve të integrimit.
– Interpelancë me Ministrin e Mjedisit kërkuar nga deputeti Piro Kapurani, lidhur me “Pasqyrimin e punës gjatë këtij viti të Ministrisë së Mjedisit, në mbrojtjen dhe pasurimin e pyjeve dhe masat që duhen marrë për të riparuar shkatërrimin shumë vjeçar”.
– Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
(er.nu/BalkanWeb)
