TIRANE- Forcat e Armatosura kanë dhuruar aksion nga toka dhe ajri në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë për gjithë qytetarët. Forcat speciale të Ushtrisë së bashku me marinsat britanikë kanë demonstruar disa nga skenarët e stërvitjes “Albanian Lion 2018”, e cila do të përfundojë më 30 shtator.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha gjatë ceremonisë se Forcat e Armatosura shqiptare treguan edhe njëherë se jemi të padallueshëm nga aleatet tanë në NATO, dhe këtë, sipas saj, e tregon edhe modernizimi i bazës taktike ajrore të NATO-s që do të ndërtohet në Kuçovë.
Xhaçka njoftoi se vitin tjetër Shqipëria merr kryesimin e disa organizatave të rëndësishme që kanë në fokus sigurinë.
“Pas 9 vitesh pjesë e NATO-s Shqipëria po kontribuon. Modernizimi i bazës së Kuçovës është konfirmim i rolit dhe rëndësisë së vendit tonë duke marrë në konsideratë faktin, që është e vetmja bazë e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Kjo është rrjedhojë e seriozitetit. Nga nëntori i këtij vitit do të marrim kryesimin e qendrës për siguri dhe koordinim, në 2019 do të marrim kryesimin e Kartës së Adriatikut”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Në sheshin “Nënë Tereza” u ekspozuan për publikun mjetet, pajisjet dhe armatimi i përdorur në stërvitjen më të madhe që kryen ushtria shqiptare çdo muaj shtator.
Aktualisht mbi 1 mijë e 200 forca po stërviten në poligonin e Bizës dhe në bregdetin shqiptar. Qëllimi i kësaj stërvitjeje është realizimi i operacioneve të evakuimit joluftarak nëpërmjet detit dhe ajrit, duke përfshirë anije luftarake zbarkuese, helikopterë dhe forca speciale për veprimtaritë në tokë.
Në stërvitje po marrin pjese efektive nga Britania e Madhe, ushtarake nga Forca e sigurisë së Kosovës dhe zhytës kroatë.
(BalkanWeb)
