ELBASAN- Mbyllet pas 6 orësh protesta në Elbasan. Pas thirrjeve nga policia banorët kanë liruar rrugën duke zhbllokuar kështu trafikun.
Edhe pse kishin deklaruar se do e hapnin rrugën në orën 16:00, protestuesit kanë pranuar të tërhiqen rreth orës 18:00. Me protestuesit ishte edhe depuetja e LSI Florida Kërpaçi dhe disa përfaqësues të opozitës pasi më herët aty ishte vetëm deputeti Luçiano Boçi. Policia ka monitoruar situatën gjatë gjithë kohës.
Protesta e prindërve dhe fëmijëve të shkollës 9-vjecare në Mengel të Elbasanit u shoqërua me tensione dhe përplasje fizike. Ata kërkojnë hapjen e shkollës së tyre, e dëmtuar nga tërmeti para një viti.
Protesta nisi prej orës 12:00, ndërsa gjendja shëndetësore e fëmijëve erdhi duke u rënduar, nga lodhja dhe uria.
Protestuesit u ulën në mes të rrugës dhe bllokuan qarkullimin në aksin kombëtar Elbasan-Librazhd dduke krijuar radhë të gjata automjetesh.
Në pamjet e siguruara nga ‘BalkanWeb’, shihen fëmijët të cilët qajnë, madje një nga ata është plagosur në fytyrë.
Në protestë merr pjesë edhe deputeti i PD, Luciano Boci, ndërsa në disa raste ka pasur konfrontime mes protestuesve dhe policisë. Nënkryetari i bashkisë së Elbasanit, Klevis Xhoxhi i shoqëruar nga drejtues të Drejtorisë së Policisë Vendore ka mbërritur te protestuesit për të negociuar. Gjithashtu Drejtori i policisë, Altin Qato është takuar me deputetin e PD Luçiono Boçi.
Sipas specialistëve, shkolla e Menglit ka nevojë për rikonstruksion forcues të strukturave pasi rrezikon të shembet. Në të tillë situatë nxënësve u është siguruar transporti falas deri në shkollat e qytetit, por rreth 200 nxënës e kanë bojkotuar.
(d.d/BalkanWeb)
