TIRANË- Nga Interpol Tirana është kryer mbrëmë ekstradimi nga Athina, Greqi drejt vendit tonë i një 40-vjeçari të shpallur në kërkim ndërkombëtar për “shfrytëzim prostitucioni”. Sipas Policisë, shtetasi Jorgo Sopaj, banues në Patos ishte në kërkim pasi Gjykata e Apelit me vendim të formës së prerë më 25 nëntor 2009 e ka dënuar me 10 vite burg për kryerjen e veprës penale “Shfrytëzim prostitucioni”.
Në vitin 1997 Jorgo (Bledar) Sopaj është njohur me një vajzë me inicialet F.S. në Patos dhe më pas janë nisur drejt Vlorës, e prej atje me skaf drejt Italisë. Në vendin fqinj, fillimisht kanë qëndruar në Rimini dhe më pas në Milano e në fund janë vendosur në Torino ku vajza është detyruar të punojë si prostitutë për 7 vite me radhë nga viti 1999-2006.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinë, në Greqi u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i 40-vjeçarit.
(m.k/BalkanWeb)