TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka dalë sot para mediave, por ndonëse pritej ndonjë deklaratë e fortë siç jemi mësuar zakonisht apo akuzë për opozitën, ai ka folur për integrimin dhe për bastet.

Balla tha se është rritur grupi i deputetëve në parlamentin gjerman që mbështesin Shqipërinë për integrimin dhe kanë vlerësime maksimale.

“Gjatë këtij viti ka qenë një numër shumë i madh përfaqësuesish të Bundestagut që kanë vizituar kuvendin dhe dua të them se sot më shumë se kurrë në Bundestagun gjerman kemi një grup të zgjeruar deputetësh që mbështesin rrugën europiane të Shqipërisë që vlerësojnë me nota pozitive maksimale hapat e hedhur nga Shqipëria. Gjermania është dhe mbetet një mbështetës i rëndësishëm i rrugës tonë të integrimit”, deklaroi Balla.

I pyetur për mbledhjen e kryesisë së PS dhe vendimin për shkarkimin e disa drejtorëve, ai theksoi se janë çështje organizimi dhe të brendshme.

“Kryesia e PS mblidhet çdo javë, analizon punën në territor në çdo nivel. Janë çështje të brendshme të organizimit tonë”, tha Balla.

Ai foli dhe për projektligjin e basteve që kaloi sot në Komisionin e Ekonomisë për t’u votuar të enjten në seancë plenare.

“Sot si deputet, si qytetar, si prind dua të them që jam shumë krenar që pasnesër në Kuvendin e Shqipërisë Kuvendi voton shfarosjen nga pranë dyqaneve të bukës, pranë shkollave të një mortje siç kanë qenë pikat e basteve dhe lojërat e tjera të fatit. Besoj që edhe për ju mediat duhet t’i bashkoheni këtij sensibilizimi të gjerë publik që duam të bëjmë jo vetëm me vendimin tonë për t’i mbyllur por dhe me angazhimin social”, deklaroi Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb