TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht në Prokuori 3 krye-inspektorë të prokurimit në Pogradec si dhe 3 specialistë. Sipas KLSH-së, këta 6 zyrtarë i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 22.9 mln lekësh ose mbi 160 mijë euro, duke shkelur barazinë në tendera. Ndërkohë KLSH pohon se janë vendosur masa administrative nga 38 punonjësve të administratës së Bashkisë Pogradec për shkak të parregullsive dhe shkeljeve në fushën e Urbanistikës, administrimit të taksave dhe tarifave vendore.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1204/1, datë 05.01.2015, ndryshuar me shkresën nr. 1204/2, datë 20.02.2015, ka ushtruar auditim në Bashkinë Pogradec, në përfundim të të cilit KLSH me shkresën nr. 1204/0, datë 02.06.2015 i ka përcjellë Bashkisë Pogradec gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare të Vendimit nr. 67, datë 02.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së”, deklaron KLSH.
Nga auditimi, KLSH ka konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat, më kryesoret janë:
1. Në tenderin me objekt: “Pastrimi, grumbullimi dhe largimi i mbeturinave publike në Qytetin e Pogradecit”, u konstatua se, nëpërmjet përcaktimit të kritereve të panevojshme për kualifikim në lidhje me: Paraqitjen nga ofertuesit të dokumentit/dëshmisë, kanë vepruar, në kundërshtim me nenin 46 kualifikimi i ofertueseve, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, dhe germa “c”, pika 3 Informacione të veçanta, kreu III, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar “Kriteret Specifike të Kualifikimit”, dokumentet standarde të tenderit.
Përcaktimi i kritereve të panevojshme dhe të padobishme për kualifikim sa sipër ka favorizuar me te padrejtë bashkimin e operatorëve ekonomikë, duke i shkaktuar buxhetit të Bashkisë Pogradec një dëm ekonomik në vlerën 4,796,530 lekë.
2. Në zgjedhjen e procedurës së prokurimit me “negocim pa shpallje të njoftimit të kontratës”, në tenderët me objekt: “Blerje kuote ushqimore”, Blerje Karburanti” dhe Blerje lende djegëse (dru zjarri)”, u konstatua se këto procedura janë bërë në kundërshtim me nenin 33 “Procedura me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit” të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe pikën 5, të kreut IV, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik’, për arsye se janë ndryshuar dokumentet e të tenderit, në procedurën me negocim pa shpallje të njoftimit të kontratës. Nga auditimi rezultoi se kontratat për tenderët e mësipërm janë hartuar dhe lidhur në kundërshtim me nenet 1 “Objekti dhe qëllimi”, 2 “Parimet e përzgjedhjes”, 4 “Fusha e zbatimit” dhe 29 “Procedurat standarde të prokurimit”, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik, për arsye se autoriteti kontraktor, në përcaktimin e fituesit, nuk ka zbatuar procedurat e parashikuara në këtë ligj, duke cenuar parimet e përzgjedhjes së fituesve të kontratave publike, mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë te ofertuesve dhe parimin e transparencës në procedurat e prokurimit, me pasojë favorizimin e një operatori ekonomik të caktuar, të zgjedhur nëpërmjet procedurës me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
3. Punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Vendor (IMTV) Pogradec, në mënyrë të qëllimshme nuk kanë përcaktuar sipërfaqen dhe vlerën e shtesës në objekt duke mos hartuar fare preventiv me koston mesatare të Entit Kombëtar të Banesave, duke shkelur kërkesat e detyrimit ligjor të përcaktuar në ligjin nr. 10119, dt. 23.04.2009 “Për Planifikimin e Territorit”, i ndryshuar. Në këtë mënyrë, subjekti privat, megjithëse ka përfituar sipërfaqen shtesë për gjithë katin, ka shmangur detyrimet dhe pikërisht një gjobë prej 3,184,815 lekë, të parashikuar në ligj për përfitime të sipërfaqes shtesë.
Sa më sipër, KLSH ka përcjellë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, kallëzimin penal nr. 1204/13, datë 10.07.2015 për 6 persona, respektivisht për S.Ll, F.B e E.L, në cilësinë e Specialistëve në Njësisë së Prokurimit në Bashkinë Pogradec, me akuzën e “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, të cilët në shkelje flagrante të rregullave të përcaktuara në fushën e prokurimeve publike, kanë sjellë mospërdorimin me efektivitet, ekonomicitet dhe eficencë të fondeve publike në vlerën prej 4,796,530 lekë, veprime këto në kundërshtim me nenin 46 kualifikimi i ofertueseve, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, dhe germa “c”, pika 3 Informacione të veçanta, kreu III, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar “Kriteret Specifike të Kualifikimit”.
Gjithashtu kallëzim penal është bërë edhe për K.Gj, A.M dhe G Sh, respektivisht me detyrë Kryeinspektorë të Inspektoratit Mbrojtjes Territorit Vendor Pogradec, për periudha të ndryshme, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të cilët në shkelje flagrante në zbatim të ligjit nr. 10119, dt. 23.04.2009 “Për planifikimin e territorit”, i ndryshuar, kanë favorizuar duke shmangur pagesën e gjobës prej 3,184,815 lekë, në mënyrë të qëllimshme dhe të kundërligjshme, ndaj një subjekti privat.
Në total, m Vendimin nr. 67, datë 02.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së, është rekomanduar dhënia e masës disiplinore ndaj 38 punonjësve të administratës së Bashkisë Pogradec, për shkak të parregullsive të shumta dhe shkeljeve në fushën e Urbanistikës, administrimit të taksave dhe tarifave vendore, menaxhimin e pronave, etj, duke kërkuar njëkohësisht edhe shpërblimin e dëmeve ekonomike të konstatuara në vlerën komplesive prej 22.892 mijë lekë.
KLSH KALLËZON NË PROKURORI ISH-KRYETARIN E BASHKISË MEMALIAJ
KLSH ka kallëzuar penalisht në Prokurori ish-kreun e Bashkisë Memaliaj, Lulzim Meçe pasi dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 5 milion lekësh. Gjithashtu janë vendosur gjoba ndaj 6 punonjësve të Bashkisë së Memaliaj.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 111/5 prot., datë 01.06.2015 ka ushtruar auditim në Bashkinë Memaliaj, në përfundim të të cilit, me shkresën nr. 111/8, datë 30.06.2015 i ka përcjellë Bashkisë Memaliaj gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare të Vendimit nr. 69, datë 30.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së.
Nga auditimi dhe riauditimi “në të nxehtë”(ky i fundit i kryer pas një ankese nga një grup qytetarësh), u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore.
Në tenderin me objekt: Rikonstruksioni i rrugës “Rrapo Çela”, i rrugës hyrëse qytet “Selam Musai”, “Memo Nexhipi”, “Tahir Gashi”, “Raship Brahimi”, Autoriteti Kontraktor(Bashkia), nga 2 operatorë pjesëmarrës në konkurrim, ka skualifikuar njërin nga operatorëve ekonomikë i cili ka paraqitur ofertën ekonomike më të ulët në vlerë se operatori i kualifikuar dhe i shpallur fitues, me diferencë vlerën 4,196,242 lekë, pa TVSH.
Nga auditimi mbi ligjshmërinë e arsyeve të skualifikimit, u konstatua se Autoriteti Kontraktor nuk ka kërkuar sqarime, në mënyrë që pas marrjes së tyre të gjykonte për vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e kësaj oferte. Rezultoi se kërkesat për skualifikim janë të pa argumentuara dhe të pa mbështetura ligjërisht, sepse kontrata që prokurohet nuk është kontratë shërbimi, por është kontratë e mirëfilltë pune. Pra, kriteret e vendosura në zbatim të Kreut III, pika 3, germa “c”, të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 i ndryshuar,
Del qartë se vendosja e këtyre kritereve është diskriminuese, sepse ato nuk sigurojnë barazi ndërmjet operatorëve ekonomikë në procedurën e prokurimit, por shmangin konkurrencën duke favorizuar operatorë ekonomikë të caktuar. Ky veprim, përveç se është në shkelje të bazës ligjore te sipërcituar, është në kundërshtim edhe me nenin 46, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar,
Në këto rrethana, vendosja e kërkesave të veçanta kualifikuese nga Autoriteti Kontraktor është në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke u bërë shkak që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave të skualifikojë operatorin ekonomik me vlerë më të ulët, prej me diferencë 4,196,242 lekë, pa TVSH. Si pasojë e kësaj shkelje nuk është përmbushur qëllimi i ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” në lidhje me mirë përdorimin e fondeve buxhetore, pasi nuk janë kursyer fonde buxhetore, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit dëm ekonomik në vlerën 5,035,490 lekë me TVSH.
Sa më sipër, KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, kallëzimin penal nr. 111/9, datë 30.06.2015 për 2 persona, respektivisht për L.M, ish-Kryetar i Bashkisë Memaliaj, dhe punonjësi L.N, për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, nëpërmjet shkeljeve flagrante të rregullave të përcaktuara në fushën e prokurimeve publike, të cilat kanë sjellë dëm ekonomik të fondeve publike në vlerën prej 5.1 milion lekë(në një kontratë me vlerë vetëm 3.8 milionë lekë), veprime këto në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar,
Në total, me Vendimin nr. 69, datë 30.06.2015 të Kryetarit të KLSH-së, është rekomanduar dhënia e masës disiplinore ndaj 6 punonjësve të administratës së Bashkisë Memaliaj për shkak të parregullsive të shumta dhe shkeljeve në fushën e procedurave të prokurimit etj, duke kërkuar njëkohësisht edhe shpërblimin e dëmeve ekonomike të konstatuara në vlerën kompleksive prej 5.115 mijë lekë.
(m.k/BalkanWeb)
