NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Universiteti i Tiranës ka propozuar rreth 5000 kuota për vitin e ri akademik 2015-2016. Sa i përket tarifës, Senati Akademik i UT nuk ka kërkuar rritje të tarifave të studimit, por ka propozuar tarifat e një vitit më parë, të cilat u miratuan nga qeveria. Tarifa minimale në disa fakultete të Universitetit të Tiranës është 25.000 lekë, ndërkohë që maksimalja është 40.000 lekë. I pyetur nga “GSH”, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka thënë se: “Nuk kemi propozuar ulje të kuotave të pranimit në sistemin bachelor, jemi në nivelin e një viti më parë. Dhe për tarifat e studimit kemi propozuar ato që janë miratuar vitin e kaluar me vendim qeverie”.

Vitin e shkuar për Universitetin e Tiranës u bë një unifikim i tarifës së studimit, pasi dy fakultete, ai i Gjuhëve të Huaja dhe i Shkencave të Natyrës kishin tarifa minimale prej 15 mijë lekësh dhe për vitin akademik 2014-2015 tarifa e shkollimit për studentët e rinj u bë 25 mijë lekë. Kjo tarifë sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, nëse nuk do të ndryshohet nga MAS, do vijojë të jetë e njëjtë. Propozimet e kuotave dhe të tarifave të studimit që bëjnë universitetet publike i dërgojnë në Ministri të Arsimit, MAS bën ndryshimet dhe propozimet e veta dhe i dërgon për miratim në Këshillin e Ministrave. Më herët, MAS kishte deklaruar se në mbledhjen e datës 15 korrik, do të kalonin dhe kuotat dhe tarifat e studimit për vitin e ri akademik 2015-2016, por ditën e djeshme zyra e shtypit e MAS, zyrtarizoi për “GSH”, se kuotat nuk do të jenë në mbledhjen e sotme, por do të kalojnë në mbledhjen e javës tjetër.

Kuotat dhe Tarifat
Në auditorët e 6 fakulteteve të Universitetit të Tiranës në plot 37 programe studimi që ofrohen, pritet të ulen rreth 4785 maturantë. Nëse i krahasojmë me vitin e shkuar, ka një ulje të kuotave, por ulja vjen për shkak se nuk janë propozuar më rreth 400 kuota për filialet që UT kishte në Sarandë dhe Kukës,të cilat gushtin e vitit të shkuar u mbyllën nga MAS.

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës janë propozuar gati 1200 kuota, ku Informatika ka kuotat më të larta prej 300, më tej vinë Teknologji Informacioni dhe Komunikimi me 200 kuota, ndërsa degët e tjera kanë më pak kuota dhe variojnë nga 90 deri në 120 kuota pranimi për vitin e ri akademik. Tarifa e shkollimit në këtë fakultet për të gjitha degët është 25.000 lekë. Në Fakultetin e Ekonomisë pritet të pranohen rreth 1170 studentë të rinj në ciklin e parë të studimeve, ku Administrim-Biznesi dhe Financa janë propozuar nga 400 kuota për secilën. Tarifa e shkollimit e propozuar nga UT në këto programe studimi është 35.mijë lekë. Në fakultetin e Histori Filologjisë janë propozuar rreth 500 kuota. Tarifa e studimit në këtë fakultet për të gjitha degët është 30.000 lekë në vit. Në Fakultetin e Drejtësisë, edhe këtë vit do të jenë në dispozicion të maturantëve 600 vende.

“Në Fakultetin e Drejtësisë ne kemi propozuar 600 kuota pranimi, tashmë u bënë gati 3-4 vite që ky është niveli i pranimeve në fakultetin tonë. Për sa i përket tarifës në propozimet e senatit të UT, nuk ka ndryshime të tarifave dhe në Drejtësi tarifa e studimit për një vit akademik do vijojë të jetë në nivelin e 40 mijë lekëve”, tha dekani i Drejtësisë, Altin Shegani. Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në kërkesën që UT i ka dërguar Ministrisë së Arsimit janë kërkuar mbi 800 kuota, ku numrin më të madh e ka gjuha Angleze me 200 kuota, ndërsa gjuhët e tjera, si Italisht, Frëngjisht, Gjermanisht kanë nga 125 kuota secila. Në këtë fakultet tarifa e studimit për të gjitha gjuhët e huaja është 25 mijë lekë. Po ashtu, në Fakultetin e Shkencave Sociale janë kërkuar rreth 550 kuota, ku Psikologji, Punë Sociale, Administrim dhe Politika Sociale kanë nga 100 kuota secila, ndërsa tri programet e tjera të studimit kanë më pak kuota, nga 80-90 kuota secila. Sa i përket tarifës te Shkencat Sociale, ajo është 40 mijë lekë.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb