TIRANË- Kryeministri Edi Rama lançoi sot dy objektivat e Partisë Socialiste, që janë rritja e kësaj force në 150 mijë anëtarë dhe zgjedhjet në të gjitha nivelet. Në fillim të Asamblesë Kombëtare të PS-së, që ka zgjatur për rreth 3 orë Rama tha se do të nisë regjistrimi dixhital i të gjithë anëtarëve, madje edhe ata ekzistues do të regjistrohen nga e para, duke paralajmëruar kështu një census në Partinë Socialiste.

Kryeministri Rama përmendi disa nga arritjet e kësaj maxhorance dhe falënderoi aleatin e tij, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe kryetarin e saj Ilir Metën.

“Dua të përshëndes punën e ministrit të ri të Mirëqenies Sociale, që ka barrën e përmbushjes së një sërë reformave. Reforma e pensioneve, e ndihmës ekonomike etj, janë pika referimi të asaj çfarë kemi bërë dhe çfarë mund të bëjmë në kohën e shkurtër deri në fund të mandatit. Në këto dy vite kemi bërë më shumë se ç’u bënë në 20 vite. Kemi bërë një reformë historike, atë administrative-territoriale. Reforma në drejtësi gati në vjeshtë.

Puna e përbashkët e Ministrit të Jashtëm dhe Ministres së Integrimit, model shembulli bashkëveprimi. Pavarësisht se është forum i PS-së, dua të falënderoj ministrat e LSI-së dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Metën.  Fokusi ynë ka dhënë apo do të japë në vijim rezultate të rëndësishme që nga territori, kontrolli, legalizimet apo reforma e pronës që i jep zgjidhje përfundimtare në 10 vjet një problemi që do të kërkonte 300 vjet”, tha Rama.

Kryesocialisti u shpreh se pavarësisht se është bërë shumë në këto 2 vite, ka pasur edhe gjëra nuk kanë shkuar siç duhet, edhe brenda PS-së. Për këtë arsye Rama kërkoi që të nxirren të gjitha mësimet e domosdoshme për të projektuar fitoren në zgjedhjet e 2017-ës.

“Janë pjesë e së tërës, por të gjitha nuk duan të thonë se nuk ka pasur gjëra që nuk kanë shkuar siç duhet. Pas 2 vjetësh do të ballafaqohemi sërish me zgjedhësit shqiptar për të dhënë llogari për atë çfarë kemi bërë. Kemi arsye për të qenë krenar për çfarë kemi bërë, por nuk kemi asnjë arsye për të mos parë në sy sa më thellë, çfarë nuk ka shkuar në jetën e brendshme të PS-së. Të nxjerrim të gjitha mësimet e domosdoshme për të projektuar rrugën e fitores së vitit 2017, e cila nuk ka asnjë arsye për të mos qenë spektakolare sa të 2013-ës apo 2015-ës”, tha ai.

Rama paralajmëroi një stinë të re në PS, duke përmendur dy objektivat kryesore: atë të rritjes në 150 mijë anëtarë dhe zgjedhjet në të gjitha nivelet e PS-së. Për këtë arsye ai tha se do të ketë regjistrim dixhital të gjithë anëtarëve të PS-së.

“Këtij qëllimi do ti shërbejë stina e re në PS, që i hap rrugën kjo asamble. Dy drejtimet kryesore: Hapja e re e PS, përmes një fushatë anëtarësimesh, për përmbushjen e një objektivi që PS në 25-vjetorin e saj të jetë forca e 150 mijë anëtarëve dhe së dyti hapja e një procesi zgjedhor në të gjitha nivelet e PS për ripërtëritjen e forcave.Po ecim me sukses në këto dy drejtime duke hedhur themelet e fitores së ardhshme. PS duhet të angazhojë të gjitha forcat, që çdo shqiptar të mos e gjejë të mbyllur rrugën.

Kjo do të fillojë me regjistrimin dixhital të anëtarëve të PS-së, me anë të një censusi. Të gjitha anëtarët edhe ata që janë duhet të anëtarësohen nga e para dhe do të pajisen me kartën e re të anëtarësisë. Ky regjistër instrument i gjallë i aktiviteteve të partisë”, theksoi Rama.
Kreu i Ekzekutivit nga ana tjetër pohoi se Partia Socialiste duhet të bëjë një analizim dhe të nxjerrë mësimet e dy fitoreve të fundit të saj.

“Është një projekt i madh inovativ komunikimi dhe vendimmarrje me bazë të gjerë. nga ana tjetër është pa asnjë dyshim për të ndryshuar në mënyrë drastike PS-në. Pjesa thelbësore e këtij procesi hapje dhe kësaj fushate lidhet me komunikimin me njerëzit në saktësi dhe cilësi. Të dyja këto grupe do informojmë në mënyrë periodike dy krahët për të monitoruar dhe organizuar fushatën për zgjedhjet në parti. Do mësojmë dhe nxjerrim të gjitha mësimet nga dy fitoret e këtyre viteve. Në funksion të ndarjes së re administrative do bëhen ndryshime. Për ti përmbushur këto qëllime do krijohen kanale të besueshme në bazë të partisë dhe në nivel qendror dhe vendor. Do zbatohen standarde në mënyrë që të punohet dhe jo llafe rrugësh.”, tha Rama.

Sipas tij, synimi i hershëm i PS dhe partnerëve tanë të LSI ka qenë përfshirja në votime dhe e emigrantëve për vitin 20017. “Është e sigurt se jemi impenjuar dhe do vazhdojmë të impenjohemi për ti dhënë emigrantëve të drejtën e votës. PS do vazhdojë të shtrihet jashtë vendit, dhe në ato zona më intensive ku ka shqiptarë. Ky proces do ketë në fokus një shtrirje dhe zgjerim i organizatave ekzistuese dhe shtrirje kapilare të organizatave. Koha e organizatave të ndërtuara në bazë pallati apo tarafi duhet të marrë fund. organizata duhet të shtrihet në të gjithë territorin e votimi. Edhe në funksion të procesit m e rritjen e anëtarësimeve dhe gjithpërfshirjen e forumit socialist,. Pjesë e këtij procesi duhet të jetë dhe Fondacioni Qemal Stafa. Rëndësi e dorës së parë ka zbatimi i një platforme të detajuar. Historia e përfshirjes së grave në politikë është një mesazh për ti dhënë fund bllokimit absurd për mos tu dhënë atyre mundësi. në këtë pikë do jemi të angazhuar dhe mos të bëjmë kompromise me cilësinë që duhet të ketë barazia gjinore në organizatë.”, përfundoi fjalën e tij Rama.

Anëtarësimi dhe zgjedhjet e reja
Grupi për Organizimin dhe Koordinimin e Fushatës së Anëtarësimeve dhe Zgjedhjeve të reja do të drejtohet nga Gramoz Ruçi dhe anëtarët e tij do të jenë e dhe Taulant Balla, Saimir Tahiri, Dritan Leli, Koço Kokëdhima, Vangjush Dako, Blendi Klosi, Saimir Tahiri, Lindita Nikolla, Erjon V eliaj, Ulsi Manja, Ditmir Bushati dhe Bledi Cuci.

Ndryshimet në statut
Kryesocialisti Rama theksoi gjate fjalës së tij se dy grupe anëtarësh të Asamblesë do të përfshihen në grupin për reformën e re statutore dhe procedurat zgjedhore. Grupi qe do të punojë për të përgatitur ndryshimet në statut do të përbëhet nga: Armando Subashi, Bashkim Fino, Damian Gjiknuri, Ermonela Felaj, Ethehem Ruka, Majlinda Bufi, Musa Ulqini, Namik Dokle dhe Vasilika Hysi.

BLUSHI: MANDATI I RAMËS KA SKADUAR, NUK KA PSE VENDOS KONGRESI

Në orën 14:10 Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka mbyllur punimet. Në dalje nga kjo Asamble, Ben Blushi ka dhënë një deklaratë për mediat ku sërish ka theksuar qëndrimin e tij për zgjedhjet për kryetar në PS. Blushi ka thënë se mandati i kryetarit ka mbaruar në vitin 2013 dhe se nuk duhet të vendosë Kongresi për mandatin e tij.

“Nuk ishte surprizë, që në mënyrë imponuese kjo mbledhje mori një vendim që s’mund ta merrte, që të gjithë anëtarët në çdo forum, në rrethe e gjithandej, kjo asamble, kongresi delegatët të zgjidhen me përjashtim të një socialisti që është kryetari, pra gjithkush zgjidhet, kryetari jo, është arbitrare, kryetari mori mandat të përhershëm, shpresoj të mos jetë i përjetshëm”, tha ai.

Blushi tha më tej se kjo “Është për të qeshur e qarë”. “PS është partia më unike në planet që zgjedh cdo njeri, përvec kryetarit, ju jeni qytetarë të vendit, si mund të pranoni që partia që qeveria nuk është demokratike. Do ishte mirë që kjo mbledhje të mos devijonte. Nuk mund të mblidhet parlamenti i Shqipërisë dhe të vendosë se nuk do ketë mbledhje njëherë në 4 vjet. Zgjedhjet për kryetar të PS-së duhet të ishin të mirëkuptueshme”,­ tha Blushi, duke iu drejtuar gazetarëve.

Pyetjes nëse i trembet një përjashtimi të mundshëm nga PS, Blushi i është përgjigjur sërish me pyetje: “A ka parti që të përjashton sepse kërkon zgjedhje?”, duke shtuar se së shpejti do të sqarojë nëse do kandidojë për kryetar të PS-së.

Në prononcimin e tij, Blushi tha se në Asamble duhet të ishte folur edhe për ekonominë duke patur parasysh gjendjen në vend. “Kjo asamble duhet të kishte bërë një debat për ekonominë. Papunësia është rritur, kërkesat për azil janë rritur. Kjo asamble do kishte arsye përr të folur për këto tema”, tha ai.

DEBATET, BLUSHI: PSE NUK ËSHTË NË PROGRAM RIZGJEDHJA E KRYETARIT? RAMA: KE BRAKTISUR BETEJËN KUR TË TJERËT LUFTONIN PËR VOTA
Debate mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Ben Blushi nuk kanë munguar në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Anëtar i kryesisë së PS, Blushi ka folur për zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe ka pyetur se pse nuk është në program rizgjedhja e kryetarit. Sipas burimeve brenda Asamblesë, Blushi ka kujtuar se statuti parashikon zgjedhjen një herë në 4 vjet të kryetarit të partisë, gjë që nuk është bërë.

Por kryesocialisti Rama ka kundërshtuar deputetin Blushi. Ai i është kundërpërgjigjur Blushit duke i thënë se ka braktisur betejën kur të tjerët luftonin për vota. “Ke braktisur betejën kur të tjerët luftonin për vota. Të tjerët luftonin për vota, ti sulmoje PS-në”, mësohet t’i ketë thënë Rama, Blushit. Ndërkohë Asambleja e PS-së ka vendosur se mandatin e kryetarit e vendos Kongresi, i cili do të mblidhet në janar 2016.

Kryeministri Rama që në nisje të Asamblesë foli për zgjedhje në të gjitha nivelet në PS, por nuk saktësoi nëse do ketë zgjedhje për kryetar, çka ka sjellë edhe reagimin e Blushit.

Ky i fundit shpesh herë ka ngritur zërin për zgjedhjen e kryetarit të ri, madje duke i thënë Ramës se ka marrë peng partinë, pasi nuk bën zgjedhje, ndërkohë që Rama e ka argumentuar këtë me fitore të zgjedhjeve, pas të cilave nuk ka pse të ketë rivotim për kryetarin.

RUÇI: SHTIMI I NUMRIT TË ANËTARËSISË, THELBËSOR
Pas deklaratave të kryeministrit Rama për rritjen e anëtarësimeve në PS, me objektiv 150 mijë të tillë, edhe kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi theksoi se shtimi i anëtarësimeve është thelbësor dhe se gjithë deputetët duhet të merren me këtë çështje. “Të gjithë deputetët të merren me këtë çështje. Shtimi i numrit të anëtarësisë është thelbësor”, tha Ruçi.

BALLA: ZGJEDHJA E KRYETARIT? PO NDJEKIM MËNYRËN SE SI FUNKSIONON PARTIA LABURISTE
Deputeti i PS-së, Taulant Balla tha se Asambleja Kombëtare mori disa vendime, ku më i rëndësishmi është ai i fillimit të një procesi zgjedhor në të gjitha nivelet dhe zgjerimi i PS-së në 150 mijë anëtarë. Balla tha gjithashtu se u mor unanimisht vendimi për të thirrur Kongresin zgjedhor.

“Asambleja Kombëtare e PS-së e mbledhur sot mori disa vendime, më i rëndëssishmi, fillimi i një procesi zgjedhor në të gjitha nivelet dhe zgjerimi i PS në 150 mijë anëtarë që nënkupton edhe riorganizim. Thirrje për kongresin zgjedhor në PS. Vendimi ishte unanim. Në përgatitje të Kongresit, Asambleja ngriti 3 grupe pune”, tha Balla.

Përsa i përket zgjedhjeve për kryetarin e ri, Balla tha se po ndiqet modeli i Partisë Laburiste duke shtuar se kur kryetari fiton në zgjedhje është një mandat i konfirmuar me votë popullore.

“Ne jemi anëtarë e PSE­-së, jemi të detyruar të zbatojmë rregullat më të mira të familjes ku bëjmë pjesë, të gjithë e dinë që ka dallim mes modaliteteve të zgjedhjeve të kryetarit me një anëtar një votë dhe kur partia fiton zgjedhjet, modeli është partia laburiste, po ndjekim modelin e saj, ka edhe modalitetet të tjera kur rasti i kryetarit zgjidhet nga kongresi. Ne jemi rasti, një anëtar një votë dhe kur partia fiton zgjedhjet është mandat i konfirmuar për shkak të votës popullore Duhet të jemi korrekt kur komunikojmë me publikun, është gënjeshtër të thuash që sot është bllokuar një proces zgjedhor. Nuk ka kohë për ndryshime në statut. Ndryshimet Atëherë kur organet e PS mendojnë se ka nevojë për ndryshime”, tha ai.

AHMETAJ: BLUSHI QËNDRIM EMOCIONAL PËR EKONOMINË
Fill pas mbarimit të Asamblesë së PS-së, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj e quajti një qëndrim emocional opinionin e deputetit Ben Blushi në lidhje me nivelin në të cilin ndodhet ekonomia shqiptare. “Më vjen keq që miku im, Blushi iu referua ekonomisë në rënie të Shqipëri. unë hy tek ata njerëz që besojnë se ekonomia është rozë. ka dhe qëndrime emocionale për zhvillimet ekonomike. Ne u rritëm vitin e kaluar. janë krijuar shumë vende pune, në sektorin jo bujqësore. Ekonomia shqiptare, ashtu modeste siç është ka arritur të absorbojë krizën greke. Në vitin 2014 kanë ardhur 948 kompani të huaja për investim.”, tha Ahmetaj

SERVET PËLLUMBI: FITORJA DUHET TË NA BËJË KRENAR
Gjatë Asamblesë ka folur edhe Senatori i PS-së, Servet Pëllumbi. Ai ka thënë se fitorja është një moment për tu ndjerë krenarë dhe se vendi po ecën në drejtimin e duhur. “Fitorja duhet të na bëjë krenar. Njerëzit janë optimistë.  Vendi po ecën në drejtimin e duhur”, ka thënë Pëllumbi.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: