Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Një ndërtim i paautorizuar është prishur dje në zonën arkeologjike A(ku nuk lejohet kategorikisht asnjë ndërtim), në mesin e kalasë së Tiranës (pranë teatrove dhe galerisë, në rrugën pedonale). Ndërtimi në fjalë, ngrihet pas një të dyti, i cili u përfundua (krejt në heshtje) dhe sot shërben si lokal. Përmes një njoftimi për mediat, Ministria e Kulturës ka lajmëruar se ndërhyrja u bë në mbrojtje të monumenteve të kulturës dhe në mbrojtje të zonës arkeologjike, siç është shpallur kalaja e Tiranës.
“Në muajin maj 2015, specialistë të Sektorit të Tiranës të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës njoftuan se në zonën arkeologjike të kalasë së Tiranës po zhvilloheshin punime të paautorizuara. Kjo drejtori iu drejtua Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit me shkresën e dt.14.05.2015, ku bëhet me dije se subjekti ‘Folie’ sh.p.k po kryen punime me karakter ndërtimor të paautorizuara dhe kërkohet marrja e masave ndaluese, si dhe vënia e gjobës ndaj subjektit”.
Por nga muaji maj, e deri në korrik, paçka një shkresës që po botojmë, nuk u ndërmor asnjë masë. Punimet e paautorizuara, me tulla të kuqe, morën formë dhe u ngritën në këmbë, ndërsa muret kërkonin çatinë, siç shihni në fotot majtas. Ndërkaq, “GSH” sjell foto të ndërtimit para dhe pas shembjes.
Në datën 20 korrik, “Familja Mbretërore e Princ Leka II ka shprehur shqetësimin për ndërtimin pa leje nga shoqëria “Ida” sh.p.k në ambientet e Lulishtes Mbretërore pranë Kinema Millenium, pronë e Familjes Mbretërore”, njofton Ministria e Kulturës.
Mbas kësaj ankese, specialistët e Sektorit të Tiranës të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare (Durrës)inspektuan sërish dhe në datën 21 korrik iu drejtua shkresa e denoncimit dhe kallëzimit penal institucioneve të Ministrisë së Brendshme, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, e cila ka ndërhyrë për të kryer veprimet e prishjes së objektit të paautorizuar, vetëm dje. Prej muajit maj, dhe deri më 23 korrik, nuk pati asnjë ndërhyrje nga ana e shtetit. Masat u morën dy muaj më vonë. Ndërtimi u shemb, asnjë i arrestuar, nuk njoftohet për asnjë gjobë, dhe asnjë penalizim tjetër. E sërish, mbetet e paqartë se mbi ç’bazë filluan punimet aty? Me leje nga bashkia? Nga cila bashki?! Ndërkaq, zyra e shtypit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në përgjigje të interesimit të “GSH”, se nuk ka bërë asnjë arrestim për çështjen në fjalë.
Më herët, “GSH” ka pyetur zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, nëse për ndërtimin në fjalë është kërkuar miratim nga kjo ministri, por përgjigja ka qenë negative: Asnjë projekt nuk është dërguar pranë këtij dikasteri nga ndërtuesi.
Ankesa e Princ Lekës
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, në datën 18 korrik, Princ Leka, shprehet i shqetësuar për ndërtimin në Lulishten Mbretërore, pranë Kinema Milleniumit në Tiranë.
“Ndërtimet vazhdojnë në zonën historike të Tiranës, brenda mureve të kalasë së Tiranës. Pasi përfundoi ndërtimi i “Folise” që i ngjan një kutie konserve, lulishtja përreth mbetet në ndërtim. Kam vënë në dijeni të gjithë institucionet përkatëse, si edhe zyrtarët më të lartë të shtetit. Fatkeqësisht pa asnjë rezultat…”,-shkruan Leka.
Më tej, ai ‘sulmon’ forcat politike kur thotë: “Ironia qëndron se së fundmi forcat politike me grupet e tyre të interesave janë përfshirë në debatin lidhur me ndërtimet tek parku i liqenit, ndërkohë që nuk duan t’ia dinë për shkatërrimin e lulishtes historike të Tiranës. Më keq akoma, kanë bërë të gjithë pakt me djallin…Ky është shembulli tipik i dashurisë së politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë për vendin tonë”. Ai shton se për të gjithë këta, Shqipëria është një plaçkë për tu shqyer, që ua hedhin oligarkëve të tyre të pangopur! “I imagjinoj si krijesa të dala nga ferri që përpijnë dhe dhunojnë çdo gjë që u del përpara. Trishtimi është akoma më i thellë kur vetë qytetarët ecin mbi rrënojat e qyteteve dikur të bukura e të blerta si nën hipnoze, pa asnjë gjurmë instinkti reagimi!”.
Reagimi
Për çudi, reagimi për ndërtimin ka nisur vetëm dje. Dukej se askush se kishe vënë re, edhe pse bëhet fjalë për një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, në zonën e kalasë, pranë dy teatrove kombëtarë, pranë galerisë, pranë kinemasë, pranë Parlamentit, po të doni edhe pranë Ministrisë së Brendshme dhe pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban. Paçka se pritej që ndërtimi të shembej para orës 12:00 të ditës së djeshme, shembja është bërë pasdreke. Dje në mëngjes, aty ende punohej ndërsa në mesditë, punëtorët u larguan. Mbas kësaj, pyetja është: A do mbahet përgjegjësi? Nga kush? Dhe kur? Po godina tjetër që aktualisht funksionin si bar, ç’fat do ketë? A është ajo me leje? Nga kush?.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
