TIRANE – Në 12 qarqet e vendit do të zhvillohet nesër provimi për pranimin e kandidatëve që kanë aplikuar për mësues. Ministria e Arsimit njofton edhe një herë kandidatët e pranuar për të kaluar në fazën e testimit me shkrim (pas verifikimit të dosjeve të tyre nga DAR/ZA), dhe që kanë aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, se provimi do të zhvillohet ditën e shtunë, datë 6 dhjetor 2014, nga ora 11:00 deri në 13:00, në çdo qytet, qendër qarku.
Kandidatët e pranuar në testim duhet të paraqiten pranë mjedisit (shkollës) ku janë caktuar në orën 10:00 të datës 06.12.2014. Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, kandidatët duhet të jenë të pajisur me mjete identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Përdorimi i celularëve gjatë zhvillimit të testimit është rreptësishtë i ndaluar.
Të gjitha informacionet mbi listën e kandidatëve, formatin e deklaratës që duhet të plotësohet nga kandidati përpara provimit, listat e kandidatëve për testim në çdo qendër testimi (shkollë), dispozitat ligjore dhe programet lëndore gjenden në faqen online të portalit “Mësues për Shqipërinë”.
Iniciativa e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Shqipëri “Mësues për Shqipërinë” ka si synim të përfshijë mësuesit e sapo diplomuar në mësimdhënie, mësues që punojnë me kohë të pjesshme si dhe mësues të cilët janë prej kohësh në listat e pritjes pranë çdo drejtorie dhe zyre rajonale.
Kjo nismë do të krijojë mundësi për të rinjtë të cilëve do t’u ofrohen mundësi reale punësimi dhe përfitimi të eksperiencave pozitive në drejtim të mësimdhënies. Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama por edhe ministrja Lindita Nikolla pohuan se në sajë të nismës “Mësues për Shqipërinë”, kanë aplikuar mbi 7000 kandidatë, ndërsa u shprehën optimistë për procesin dhe zhvillimin e arsimit të vend.
KRYEMINISTRI VIZITON AMBIENTET E TESTIMIT, JA SI DO NGUJOHEN HARTUESIT E PROVIMIT
Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit kanë vizituar sot pasdite ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimit, ku ndoqi nga afër zbatimin e masave të sigurisë në procesin e hartimit të testeve të mësuesisë që do të zhvillohet nesër për kandidatet që kanë aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”.
Ministrja bëri të ditur se janë rreth 8100 mësues që kanë plotësuar portalin, të cilët do të testohen në 12 qarqet e vendit. Nikolla tha se “jJanë verifikuar të gjithë dosjet e tyre. Është bërë transparenca e nevojshme dhe publikimi për çdo qark. Testimi do të kryhet në 12 qarqet e vendit, përkatësisht në 29 vendtestime. Janë marrë të gjitha masat, në kushte të rrepta sigurie. – u shpreh ministria Nikolla.
MAS shpjegon se për të hartuar përmbajtjen e testit janë angazhuar pranë AKP-së 30 specialistë, vlerësues të certifikuar në profile të ndryshme, nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, Instituti i Zhvillimit Arsimor dhe Inspektoriati Shtetëror i Arsimit. Këta specialistë janë ngujuar në një nga ambientet e kësaj agjencie dhe monitorohen rreptësishtë nëpërmjet kamerave të sigurisë. Ata nuk lejohen të kenë asnjë formë komunikimi me jashtë, duke mos pasur akses në internet, celularë apo të tjera mjete komunikimi.
“Mësuesit janë në kushtet e një sigurie dhe transparence të plotë, vëzhgimi të plotë, – shpjegoi ministrja. – Këtu ka bllokues të zhurmuesve të celularit. Padyshim që celularët mungojnë. Nuk ka asnjë lidhje me internetin për të pasur një besueshmëri dhe siguri maksimale të operacionit të hartimit të tekstit dhe deri te çuarja në vendet e testimit. Ata do të dalin vetëm pasi të mbyllet procesi i testimit dhe të fillojë mbledhja e testeve në 29 qendrat e testimit. “ shpjegoi ministrja Nikolla.
Ndërsa një drejtoresha e AKP-së Rezana Vrapi, ka vënë në dukje një fakt tjetër se gjithçka do të korrigjohet në mënyrë kompjuterike, duke rritur në maksimum besueshmërinë. “Do të korrigjohen nga kompjuteri, pra pjesa njerëzore këtu është hequr. Kështu që besueshmëria është absolute”.
(m.k/ar.sh/BalkanWeb)
