Kreu i OKB, António Guterres ka uruar për vitin e ri duke e vënë theksin te sfidat me të cilat përballet bota sot.
“Vitin e ri të kaluar, shpalla një alarm të kuq dhe rreziqet që përmenda ende vazhdojnë.
Këto janë kohë plotë ankth për shumë njerëz dhe bota po kalon një test stresi. Ndryshimi i klimës po ecën më shpejt se ne. Ndarjet gjeo-politike po thellohen, duke e bërë më të vështirë zgjidhjen e konflikteve. Dhe një numër rekord njerëzish po lëvizin në kërkim të sigurisë dhe mbrojtjes. Pabarazia po rritet. Dhe njerëzit po vënë në pikëpyetje një botë në të cilën një grusht njerëzish zotërojnë aq pasuri sa gjysma e njerëzimit.
Intoleranca është në rritje. Besimi është në rënie. Por ka edhe arsye për shpresë. Bisedimet mbi Jemenin kanë krijuar një shans për paqe. Marrëveshja e nënshkruar në Riad në shtator midis Etiopisë dhe Eritreas ka lehtësuar tensionet afatgjata dhe ka sjellë perspektiva të përmirësuara për një rajon të tërë. Dhe marrëveshja ndërmjet palëve në konflikt, në Sudanin e Jugut ka ringjallur shanset për paqe, duke sjellë më shumë përparim në katër muajt e fundit se sa në katër vitet e mëparshme. Kombet e Bashkuara ishin në gjendje të sillnin vendet në Katowice për të miratuar Programin e Punës, për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit mbi ndryshimet klimatike. Tani kemi nevojë për të rritur ambicien, për ta mundur këtë kërcënim ekzistencial të njerëzimit. Është koha të kapim shansin tonë të fundit më të mirë. Është koha për të ndaluar ndryshimet klimaterike të pakontrolluara me një rritje të vazhdueshme dramatike. Në javët e fundit, Kombet e Bashkuara gjithashtu mbikëqyrën marrëveshjet globale të rëndësishme për migracionin dhe refugjatët, të cilat do të ndihmojnë për shpëtimin e jetëve dhe për kapërcimin e miteve dëmtuese. Dhe kudo, njerëzit po mobilizohen pas Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm – plani ynë global për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin në një planet të shëndetshëm. Kur bashkëpunimi ndërkombëtar punon , bota fiton.
Në vitin 2019, Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i bashkojnë njerëzit për të ndërtuar ura dhe për të krijuar hapësira për zgjidhje.
Ne do të vazhdojmë presionin, nxitjen tonë dhe kurrë nuk do të dorëzohemi. Ndërsa ne fillojmë këtë Vit të Ri, le të zgjidhim për t’u përballur me kërcënimet, për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë – së bashku. Ju uroj juve dhe familjeve tuaja një Vit të ri të qetë, të paqtë dhe të shëndetshëm”, shprehet numri një i OKB-së Antonio Guterres.
(BalkanWeb)
