NGA OLA MITRE
TIRANE- Provimet e Maturës Shtetërore për mbetësit e këtij viti do të mbyllen në 2 javët e para të muajit shtator. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, përmes një udhëzimi të datës 27.07.2015 ka përcaktuar kalendarin e plotë për sezonin e vjeshtës, ndërkohë që i njëjti udhëzim përfshin edhe sesionin e dytë për mbetësit në provimet e lirimit. Duke iu referuar udhëzimit të firmosur nga Lindita Nikolla, provimi i parë për maturantët mbetës do të jetë gjuha e huaj, që do të zhvillohet në datën 1 shtator, ndërsa pas tij vjen Gjuha Shqipe dhe Letërsia, që do të zhvillohet në datën 3 shtator. Sipas të njëjtit udhëzim, pas katër ditësh, pra në 7.09.2015 do të jepet provimi i Matematikës, ndërsa në datën 11 shtator lëndët me zgjedhje.
Gjithashtu, dokumenti përcakton se testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat, 13 do të jenë me përgjigje alternative dhe vlerësohen me 13 pikë, ndërsa 12 me zgjidhje e që vlerësohen me 37 pikë. Këto tri provime do të zgjasin nga 2 orë e 30 minuta. Ndërkohë që, sa u takon provimeve të lëndëve me zgjedhje, testi për secilin prej tyre do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat, 10 pyetje janë me përgjigje alternative dhe vlerësohen me 10 pikë, ndërsa 10 të tjerat janë me zgjidhje dhe vlerësohen me 30 pikë. Ashtu sikurse në sezonin e kaluar, këto provime do të zgjasin 3 orë.
Udhëzimi i Nikollës përmban edhe detaje rreth maturantëve që kanë të drejtë të japin provimet e maturës në vjeshtë. Kështu, kanë të drejtë të hyjnë në sesionin e dytë të provimeve, maturantët që rezultuan mbetës në një nga provimet e Maturës Shtetërore në sesionin e parë, ata që rezultuan mbetës në vitin shkollor 2014- 2015 dhe i shlyejnë provimet shkollore në datat 20 dhe 23 gusht 2015 si dhe ata që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2015, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore e që për arsye të ndryshme s’kanë plotësuar Formularin A1Z (i vlefshëm për zgjedhjen e provimeve me zgjedhje). Po ashtu, në vjeshtë mund të futen në provime edhe ata kandidatë që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njehsuar dokumentet shkollore pranë MAS.
PROVIMET E LIRIMIT
Ndërkaq, sa i takon sesionit të dytë të provimeve të lirimit, përcaktohet se ato do të fillojnë në datën 27 gusht me gjuhën e huaj. Më pas do të zhvillohet provimi i Gjuhës Shqipe, i cili është përcaktuar në datën 29.08.2015, dhe ai i Matematikës, që sipas udhëzimit do të zhvillohet në datën 31.08.2015. Çdo provim do të zgjasë 2 orë e 30 minuta, ndërsa sa u takon pakicave kombëtare greke, saktësohet se provimi i Gjuhës Amtare do të bëhet në datën 25.08.2015. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” publikon sot të plotë udhëzimin e ministres, të cilin e gjeni bashkëngjitur shkrimit.
(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
