Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj foli për mikrofonin e “Supersport” pas humbjes në shtëpi ndaj Partizanit ku u shpreh:
Më i mërzitur me lojën apo me rezultatin?
Loja nuk diskutohet që do ishte e vështirë sepse terreni nuk ta lejon. Ishte terreni më i vështirë që kemi pasur në gjithë këto vite. Megjithatë ky nuk është justifikim. Humbëm një ndeshje, siç kemi fituar 2 të tjerat.
Seria e rezultateve negative ju shqetëson?
Ky është problemi! Rezultatet negative nuk po ndalen. Nuk e di çfarë duhet bërë tani. Duhet ndërhyrë ndryshe që të marrim rezultat pozitiv.
E keni fjalën për ndërhyrjen në merkato?
Jo në merkato. Ka lojtarë aty, por mungesa e dokumentave të 2 lojtarëve të rinj që kanë ardhur e bën të pamundur çështjen e ndërrimeve, për trajnerin Shehi. Të pajisen këto ditë me pasaporta dhe besoj se Shehi do të ketë alternativa më shumë.
Mungesat e sotme ndikuan në rezultat?
Normale, janë shumë mungesa. Ky është një ekip si ai i vjetshmi. Janë lojtarë të rinj.
Fitorja e Partizanit tregon që është fundi i ciklit Skënderbeu?
Nuk është fundi i ciklit Skënderbeu. Nuk mund të jetë një Skënderbe gjithmonë në krye. Normalisht nuk mund të ishte i bukur futbolli! Futbolli është i bukur sepse ka rezultate, ka garë dhe bëhet monotone në qoftë se një ekip del gjithmonë kampion. Megjithatë gara do të vazhdojë. Kampionati do jetë i fortë. Nuk është se filloj dhe mbaroj te kjo ndeshje. Ashtu siç kemi fituar ne 2 ndeshje me Partizanin, fituan dhe ata sot.
Në qoftë se do shkonit te dhomat e zhveshjes, çfarë do iu thonit lojtarëve apo trajnerit?
Nuk është se kam ndonjë gjë për t’i thënë, sepse ekipi nuk është se s’deshte të luante. Bëri maksimumin. Nganjëherë fati, rezultati, dita dhe momenti i ekipit ndikojnë.
(BalkanWeb)
