TIRANE- Pas pamjeve të publikuara një ditë më parë, ku kryeministri Edi Rama shfaqet në krah të kreut të bashkisë së Kavajës Elvis Roshi, ka reaguar Partia Demokratike. Në një deklaratë për mediat, PD thotë se “Rama shfaqet si mbrojtës i krimit në politikë, pikërisht pasi Partia Demokratike paraqiti publikisht platformën e dekriminalizimit”.

JA REAGIMI I PLOTE
Edi Rama u shfaq sërish si mbrojtës i krimit në politikë, pikërisht pasi Partia Demokratike paraqiti publikisht platformën e dekriminalizimit. Duke dalë nëpër ambjente publike në krah të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Edi Rama po sfidon qytetarët, opozitën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e partnerët europiane, të gjithë të angazhuar e me vullnet të qartë për ta pastruar politikën e zyrat publike nga përsonat e inkriminuar e me precedentë të tmerrshëm penale.

Platforma e dekriminalizimit sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të të zgjedhurit të tij në Kavajë, por dhe në parlament, bashki e zyra të tjera, por Edi Rama ka preferuar t’i japë garanci njeriut të tij të dënuar për trafik droge në zvicer, duke kaluar pushimet me të e duke u shfaqur me të në sytë e qytetarëve. Me besnikërinë e shfaqur ndaj Roshit, Edi Rama dëshmoi se është kundër dekriminalizimit, dhe mbetet promotor i palodhur i krimit në politikë e administratë. Çlirimi i politikës dhe i zyrave publike nga krimi nuk ka për t’u mbajtur dot peng nga Edi Rama.

Partia demokratike është më e vendosur se kurrë ta çojë përpara procesin jetik të shkëputjes së vendimmarrjes nga krimi, nga soji i Roshit, Ndokës, Bushit e qindra ta tjerëve që kanë kapur pushtetin përmes Edi Ramës. Nëse vendos të mbrojë deri në fund krimin, Edi Rama do të ketë fatin e tyre. Vullneti i shumicës së shqiptarëve që kanë në krah partnerët ndërkombëtarë nuk ndalet dot nga aleanca në minorancë e krimit.

(b.e/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb