‘Europa e Lirë’
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë thotë se akoma nuk e ka të njohur se kush janë sulmuesit të cilët të dielën në mbrëmje rreth orës 23:00, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit mes Vardarit dhe Shkupit, kanë ushtruar dhunë ndaj dhjetëra qytetarëve të pafajshëm, në mesin e të cilëve kishte gra dhe fëmijë të mitur.
“Nga dita e djeshme kemi dy raste. Do të thotë, rreth orës 23 të mbrëmjes së 9 gushtit, në sheshin ‘Maqedonia’, një grup më i madh i personave ka sulmuar tre persona të moshës 14, 20 dhe 23-vjeçare. Ishin sulmuar nga të panjohur duke u shkaktuar atyre lëndime trupore”.
“Ekipet e dikasterit të policisë janë në terren dhe punojnë për të ndriçuar këtë rast, kush ishin autorët dhe motivet e tyre. Njëherësh, po në të njëjtën kohë një grup tjetër ka sulmuar një familje në urën Kombet e Bashkuara në lagjen ‘Nerez’ të Shkupit. Edhe në këtë rast policia punon për të mësuar autorët dhe motivet e sulmuesve”, bën të ditur Liza Bendevska, zëdhënëse e dikasterit të policisë në Shkup.
Ndërkohë, djaloshi nga fshati Batincë i Shkupit, Burhan Ismaili, i cili ndodhet për shërim në spitalin e Shkupit pas lëndimeve të marra trupore, për mediat ka treguar se tifozët e klubit të futbollit Vardar, të njohur si ‘Komitët’, të revoltuar pas ndeshjes mes Shkupit dhe Vardarit fillimisht e kanë provokuar me fjalë fyese dhe i kanë thënë se sheshi ‘Maqedonia’ nuk është vend i shqiptarëve, dhe pastaj i janë vërsulur fizikisht atij dhe shokëve të tij.
Ndërkaq, Vllado Dimoski, nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, konsideron se Maqedonia, sa herë që futet në vitin e zgjedhjeve, siç shprehet ai, përflaken marrëdhëniet ndëretnike. Për të është e pakuptimtë që raste të këtilla vështirë arrijnë të ndriçohen nga organet policore, ose për një kohë të gjatë autorët e krimit mbeten të panjohur.
“Bëhet fjalë për incidente të izoluara, të cilat janë tërësisht të kontrolluara, me të cilat jemi mësuar, sepse ato shfaqen sa herë që në Maqedoni duhet të ketë zgjedhje. Ajo që mund të them për momentin është se organet e rendit duhet t’i zbardhin dhe autorët t’i nxjerrin sa më parë përpara drejtësisë, sepse kësaj radhe kriza e thellë politike do ta bëjë shumë më të vështirë menaxhimin e incidenteve të cilat për bazë kanë raportet ndëretnike”, – thekson Dimoski.
Nga ana tjetër, Arben Taravai, neuropsikiatër, konsideron se është mungesa e sigurisë ekonomike dhe një perspektivë të qartë ato që bëjnë që të rinjtë të shfaqin revoltën përmes dhunës.
“Ne të cilët kemi punë me sëmundjet psikike dhe nervore, e shohim se këtë gjendje të mjerimit ekonomik, të papunësisë së madhe, madje dhe këtë situatë të tendosur politike shumica e njerëzve e përjetojnë në mënyra të ndryshme, gjë që manifestohet me ankth, depresion, me shumë probleme të ndryshme shëndetësore, dhe krejt kjo shkakton padurueshmëri ndaj njerëzve të tjerë. Dhe kuptohet, gjithkund vendet ku më së shumti mund të shprehen këto emocione janë stadiumet”, -thekson Taravai.
(g.b/GSH/BalkanWeb)
