Paul Pogba në versionin e tij më të mirë “çmonton” Chelsean me një asist dhe një gol. Man.United i mjaftoi një pjesë lojë për të siguruar një biletë për në çerekfinalet e FA Cup. Maurizio Sarri dështon në një tjetër objektiv të vendosur nga klubi, shkarkimi i tij mbetet në ajër, por sot më shumë se kurrë, italiani është me një këmbë jashtë Londrës.

Në “Stamford Bridge” tifozët shpresonin shumë se Higuanin, Hazard dhe pjesa tjetër e ekipit të reagonin për të ngjallur një sezon që po shkon drejtë dështimit total, tashmë mbetet vetëm kupa e ligës dhe Europa League, dy objektivat e vetëm për të fituar trofe. Në minutën e 31-të Pogba dhuroi një asist për Herrera që me kokë kaloi United në avantazh. Në fundin e pjesës së parë këtë herë Pogba shërbehet në zonë me francezin që fitoi duelin me mbrojtësit e Chelseat dhe më kokë dyfishojë shifrat.

Për Pogban ky ishte goli i tij i 9-të në 12 ndeshjet e fundit, plus 6 asist, shifra të cilat tregoi ndryshim e tij të jashtëzakonshëm nën drejtimin e Solskjaer. Pavarësisht humbjes së rendë Sarri është i qetë kur pyetet mbi mundësinë e një shkarkimi të mundshëm:

“Raporti im me lojtarët është i mirë, por marrëdhëniet nuk janë të rëndësishme për të arritur një rezultat. Nuk jam i shqetësuar për pozicionin tim”.
(BalkanWeb)
