TIRANE

Ndonëse shumica e deputeteve kanë djegur tashmë mandatet e tyre duke dorëzuar deklaratën e dorëheqjes në Kuvend, mësohet se janë dy deputetë të PD që ende nuk kanë djegur mandatet.

Bëhet fjalë për dy deputetët e PD Rudina Hajdari dhe Myslym Murrzi, të cilët nuk e kanë firmosur ende deklaratën ku pranojnë të heqin dorë vullnetarisht nga mandati. Përmes një postimi në Facebook, deputetja Hajdari ka shkruar se ndodhet në SHBA, ku ka zhvilluar takime me disa zyrtarë atje dhe mendohet se kjo është arsyeja e mos firmosjes së lënies së mandatit.

“Diskutime të dobishme në Këshillin e BE-së për hapat e mëtejshme të Shqipërisë në rrugën për hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarsimin në Bashkimin Evropian. Dje pata takime me personalitete evropiane përgjegjës për njesinë e zgjerimit, në fokus të të cilave ishte “qëndrimi që pritet të mbajë Këshilli i BE-së në Qershor”- ka shkruar Hajdari në Facebook.

Sakaq, “BalkanWeb” ka tentuar të kontakojë me deputetin e Lushnjës Myslym Murrizi, por ai e ka pasur telefonin të fikur dhe ndoshta nuk ndodhet në Shqipëri.

Kujtojmë se deputeti i parë i opozitës që doli publikisht kundër vendimit për të djegur mandatet ishte Lefter Koka, i zgjedhur nga lista e LSI-së në qarkun e Durrësit.

Opozita vendosi të djegë mandatet si e vetmja rrugë e mbetur për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme që do t’i hapnin rrugë vendit drejt integrimit europian.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb