TIRANË
Ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati kërkon që shoqëria të kthejë vëmendjen tek gratë e vajza e harruara.
Ai thotë se janë këto gra shtylla kurrizore e shoqërisë, të cilat nuk i shohim dot nga zyrat e nuk ua dimë emrat, as përpjekjen dhe as mundin.
STATUSI I BUSHATIT
PËR VAJZAT DHE GRATË E HARRUARA!
Ka shumë vajza dhe gra ky vend që duhet t’i çmojmë më shumë. Ti çmojnë bashkëshortët, fëmijët, vëllezërit, komuniteti, politika, shoqëria. E kam fjalën për vajzat dhe gratë që zakonisht nuk i “shohim” dot nga zyrat. Për vajzat dhe gratë që nuk janë pjesë e statistikave zyrtare. Janë ato vajza dhe gra që nuk ua dimë as emrat, as përpjekjen dhe as mundin. Vajza dhe gra, të cilave ia marrim për të mirëqenë kontributin për familjen dhe edukimin e brezave të rinj në një kohë gjithnjë e më të turbullt.
Kam takuar shumë vajza dhe gra që sakrifikojnë papushim për një shoqëri më të denjë pa marrë mirënjohjen në këmbim. Shqipëria që dëshirojmë t’i lemë gjeneratave të tjera duhet të kthejë vëmendjen tek vajzat dhe gratë e harruara, që janë shtylla kurrizore e shoqërisë. Një shoqëri më e zhvilluar dhe më e drejtë është ajo shoqëri që nuk i sheh çështjet gjinore thjesht dhe vetëm si çështje “kuotash”, por si pjesë e pandashme e progresit. Prandaj sot është dita të reflektojmë para së gjithash për vajzat dhe gratë e harruara, fuqia e butë e të cilave mban në këmbë shoqërinë tonë. Gëzuar 8 Marsin! ?

(m.k/BalkanWeb)
