Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Të vetmet relike që ruhen prej klerikut dhe patriotit Papa Kristo Negavani, janë një dry i përdorur për të mbyllur shkollën e Negovanit dhe një shami me kryq, që përdorej në meshat në gjuhën shqipe prej tij. 110 vite pasi u vra nga grekët, sendet e tij, të vetmet të mbetura dhe të ruajtura deri në ditët tonë, i janë dhuruar Muzeu Kombëtar të Arsimit – Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë. Drejtori i këtij muzeu, Niko Kotherja, thotë për “Gazeta Shqiptare” se reliket janë ruajtur nga i biri i patriotit, Foni Negovani, ndërsa muzeut iu sollën nga nipi, Kiço Negovani. “Ne kemi ndërmarrë një nismë për mbledhjen e relikeve dhe objekteve të figurave që kanë të bëjnë me shkollën e parë shqipe. Thirrjes sonë iu përgjigj nipi i patriotit, të cilin e falënderojmë. Ai solli drynin që përdorej për të mbyllur shkollën shqipe të Negovanit, që ende funksionon edhe sot si edhe shaminë me kryq që përdorej në meshat në gjuhën shqipe prej klerikut”, sqaron Kotherja, i cili para se të niste drejtimin e muzeut të “ABC-së”, ka qenë një koleksionist i apasionuar. “Në fillim e ka ruajtur i biri i patriotit, Foni Negovani, e më pas i nipi, Kiço Negovani. Është fat i madh që i kemi”, shton Kotherja, duke sqaruar se reliket u dorëzuan në muze në muajin maj. Papa Kristo Negovani u masakrua në të gdhirë të së dielës të 12 shkurtit të vitit 1905, në moshën 30- vjeçare, në kodrën e Negovanit, bashkë me të vëllanë, Papa Theodhos Negovanin dhe katër punëtorë të tjerë të përfshirë në çështjen e shkollave shqipe. Shkolla shqipe në fshatin Negovan u çel prej Papa Kristos dhe në të mësonin rreth 100 nxënës me librat e botuar nga rilindësit.
Nisma
Nisma e Muzeut Kombëtar të Arsimit “Mësonjëtorja e parë Shqipe” ka si qëllim pasurimin e fondeve të saj me relike të emrave të njohur, jeta e të cilëve ka qenë e lidhur me këtë shkollë. Në këtë kuadër, një tjetër dhurim ka ardhur nga prof. Alfred Uçi, pasardhës i Petro Nini Luarasit. Prej tij, muzeu ka mundur të marrë një mbajtëse libri dhe një kuti, të cilën Luarasi ia kish blerë të shoqes dhuratë në Amerikë. Mbajtësja e librit është e drunjtë, ndërsa kutia që mendohej se përdorej për bizhuteri, është po ashtu e drunjtë dhe e ka motive me lule. “Mbajtësja e librit përdorej për të lexuar prej Petro Ninit, ndërsa kutia është e vetmja dhuratë që ai i kishte sjellë të shoqes nga Amerika”, na thotë Kotherja. Luarasi punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Ai jetoi në Amerikë në vitet 1904-1908, kohë kur qe pjesë e lëvizjes kombëtare, por edhe nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb