TIRANË- Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela ndoqi sot nga afër në Himarë punën e strukturave lokale të kompanisë për mirëmbajtjen e rrjetit energjetik.

Çela paraqiti të dhënat më të fundit për situatën dhe normalizimin e furnizimit me energji, pas riparimit të defekteve të shkaktuara nga përkeqësimi i motit.  Më tej, ai u ndal tek plani i investimeve që do të kryejë OSHEE duke nisur nga muaji shtator, me synim zgjidhjen emergjente dhe përfundimtare të problemit të furnizimit me energji në zonën e bregdetit.

“Është fakt se këtë vit kemi pasur një rritje të ngarkesës së rrjetit elektrik dhe shifrat e tregojnë vet, mjafton të bëjmë krahasimin e tyre nga vjet për të njëjtën  periudhë. Nga ana tjetër, në sajë të gatishmërisë që OSHEE shpalli që në fillim të muajit të shkuar, duke mobilizuar që nga zona e Vlorës deri në Sarandë 254 punëtorë u bë e mundur gadishmëria për eleminimin e avarive në një kohë sa më të shpejtë në Vlorë, Orikum, Dhërmi, Himarë, Qeparo dhe deri në Sarandë. Kemi arritur të ulim ndjeshëm jo vetëm numrin e ndërprerjeve të energjisë duke krahasuar vitin 2013 me 2014, por është ulur ndjeshëm dhe koha e riparimit të defekteve. Nëse krahasojmë periudhën Qershor-Korrik në tre vitet e fundit, këtë vit është ulur me më shumë se dy herë kjo kohë e riparimit të defektit. Në Shtator e në vazhdim, OSHEE ka planifikuar të ndërhyjë me një plan investimesh për të përmirësuar situatën për sezonin e ardhshëm deri në zgjidhjen përfundimtare që do të marrë në vitin 2017”, tha Çela.

Administratori i OSHEE-së deklaroi se për herë të parë në këtë zonë do të kalojë linja 110 kV, e cila mungon.

“Para 3-4 javësh u inagurua nisja e punimeve për linjën 110 kV e Unazës së Jugut ku po investon OST-ja në bashkëpunim me kfË. Brenda muajit Tetor parashikohet që segmenti ku jemi të përfundojë”, u shpreh ai.

Çela tha se në Shtator nisin punimet për ndërtimin e 2 n/stacioneve, një në Himarë dhe tjetri në Orikum. OSHEE do ti përgjigjet me 2 faza investimesh: është një n/stacion me vlerë 286 mln lekë të reja në Dhërmi, në nivelet 35-20 kV, me sistemin e shpërndarjes nga Himara me linjën e tensionit të mesëm që shkon rreth 35 km nga Himara në drejtim të Palasës me vlerë 480 mln lekë të reja.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, njoftoi sot se pas disa ditësh punë intensive në terren për riparimin e defekteve të shkaktuara nga moti i keq, është normalizuar situata e furnizimit me energji elektrike në mbarë vendin.

Sipas informacionit më të fundit nga dispeçerit në rrethe, vetëm 0.05% e abonentëve kanë mbetur pa energji, ose rreth 500 konsumatorë në mbarë vendin.

Grupet e punës po punojnë për rikthimin e energjisë tek të gjithë abonentët. Po sot rreth orës 05.00, të mëngjesit është vendosur në punë në n/stacionin e Orikumit, transformatori i ri pas djegies që pësoi transformatori ekzistues në datën 17 gusht.

Sipas OSHEE, n/stacioni i Orikumit tashmë furnizohet normalisht me energji elektrike duke mbuluar me energji bazën ushtarake të Pashalimanit.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: