TIRANE
Përfaqësuesit e OSBE/ODIHR Ana Rusi dhe Alexey Gromov zhvilluan sot një takim me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla në selinë rozë.
Përmes një postimi në Twitter, Balla ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e OSBE/ODIHR në zgjedhjet e ardhshme lokale të 30 qershorit.
“Sapo u takova me Ana Rusu dhe Alexey Gromov. Folëm për kuadrin zgjedhor dhe përgatitjen e këtyre zgjedhjeve duke synuar standardet më demokratike dhe respektimin e barazisë gjinore”,- thotë ai.
Të dy këta përfaqësues kanë mbërritur në Tiranë, në kuadër të misonit të tyre faktmbledhës pak para zhvillimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Në orën 19:30, përfaqësuesit e OSBE/ODIHR pritet të zhvillojnë një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Përfaqësuesit e OSBE/ODIHR do të jenë në Tiranë për një vizitë dy ditore, ku pritet të takojnë përfaqësues të partive politike nga mazhoranca dhe nga opozita gjatë dy ditëve të ardhshme.
(BalkanWeb)