TIRANE – Edhe pse një realitet i hidhur, shpeshherë janë shndërruar në hit në internet. Çmimet e larta në jug të vendit këtë vit kanë qenë shqetësuese për shqiptarët. Një shqetësim të tillë duket se e kanë pasur edhe VIP-at shqiptarë. Të zhgënjyer në shërbim dhe të habitur nga çmimet e larta, personazhet e ekranit kanë shprehur “ankesat” e tyre për “Summer Pages”. Agron Llakaj ka pushuar në Zvërnec dhe krahas pastërtisë që linte për të dëshiruar, është revoltuar edhe me çmimet stratosferike. Po ashtu edhe Erand Sojli, që këtë vit ka shëtitur më gjatë, në Karaibe dhe Republikën Domenikane, thotë që në këto vende edhe pse të varfra, njerëzit kishin më kulturë dhe çmimet ishin më të arsyeshme.
Klodiana Shala
E ndërsa të gjithë mund të përshkruajnë përvoja jo shumë të këndshme me pushimet e tyre, Klodiana Shala këtë vit e “braktisi” Shqipërinë. Sportistja e njohur gjatë këtij viti nuk ka bërë pushime në Shqipëri, por ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë familjes. Por, siç tregon ajo, miqtë dhe të njohurit i kanë treguar se çmimet kanë qenë skandaloze, po ashtu edhe shërbimi. “Është e pajustifikueshme që me rrogat e shqiptarëve dhe standardin e jetesës që është këtu të jenë çmime të tilla, nisur që nga supermarketet e pastaj gjërat e tjera. Me Amerikën nuk ka të krahasuar”, thotë Klodiana. E pyetur nëse i zgjodhi Shtetet e Bashkuara vetëm për këtë arsye, Klodiana Shala e mohon duke thënë se ka shkuar për të kaluar disa kohë me familjen, ndonëse pranon se sido që të ishte, pushimet përsëri do të zgjidhte t’i bënte jashtë Shqipërisë.
Orgesa Zaimi
Edhe pse këtë vit familja saj është shtuar me një vogëlushë, këngëtarja nuk ka hequr dorë nga pushimet, sado të reduktuara që kanë qenë. Orgesa së bashku me familjen ka menduar të kalojë disa ditë relaksi në Radhimë të Vlorës. E natyrisht që nuk mund të kalonin pa u vënë re edhe për të çmimet e shtrenjta. “Çmimet ishin shumë të shtrenjta. Nëse uleshe për një kafe, të drekoje, apo të haje një darkë, e kuptoje menjëherë këtë. Çmimet nuk janë dyfish më shumë se çmimet e Tiranës, por edhe më shumë sesa dyfishi. Ndaj të mos na akuzojë njeri ne personazheve të famshëm që pushojmë jashtë. Unë e kuptoj që ato kanë vetëm tre muaj punë dhe dua të shfrytëzojnë, por unë nuk mund t’i ushqej për një vit ata me kursimet e mia. Nëse situata vazhdon kështu, është më mirë të pushosh jashtë Shqipërisë. Me këto çmime, ndoshta edhe më të lira, mund t’i drejtohesh Turqisë, apo edhe Greqisë”, është shprehur Orgesa.
Anjeza Maja
Anjeza Maja tregon një përvojë pozitive me pushimet e saj, ndërsa pranon se çmimet e larta bëjnë përshtypje pikërisht për standardin e jetesës që ka vendi. Sipas saj, pushimet kudo janë të kushtueshme, por problemi është që shqiptarët janë shumë të varfër dhe punojnë të gjithë vitin, e nuk u dalin të ardhurat për pushime. Ndërkohë, në jug, Anjeza thotë se duan të punojnë tre muaj sa për të gjithë vitin. Sa u takon çmimeve, Anjeza Maja tregon se ka qenë gjatë muajit korrik, ku çmimet janë ndoshta pak më të arsyeshme, ndërsa shprehet se ka disa vende ku shkon prej vitesh, ku shërbimi me koston përputhen.
Erand Sojli
Ky ka qenë viti i pushimeve për Erand Sojlin, i cili gjatë muajve të verës ka udhëtuar shumë dhe ka kaluar kohë duke pushuar. Aktori dhe skenaristi tregon se një pjesë të pushimeve i bëri në Karaibe, Republikën Domenikane dhe sipas tij, atje ishte një popull shumë i varfër, jashtëzakonisht shumë i varfër, por shumë të sjellshëm, të edukuar dhe që punonin. “Ata dinin të thoshin mirëmëngjesi, faleminderit, të lutem, mirëmbrëma dhe buzëqeshnin. Jashtë territorit shqiptar e trajtojnë turistin si mbret, ndryshe nga në Shqipëri, që i trajtojnë njerëzit si kafshë dhe askush nuk ka minimumin e mirësjelljes. Në jug të Shqipërisë, veçanërisht në Jalë dhe Dhërmi, është gjithçka e zezë sa i takon mënyrës sesi trajtohen turistët, apo çmimeve të paarsyeshme. Aty shfrytëzon njeriu-njerinë. Punësojnë kamerierë me një rrogë prej 250 mijë lekësh dhe i mbajnë 24 orë në punë, nuk i lejojnë as të ëndërrojnë. E kamerierët, të shfrytëzuar dhe të lodhur nga e gjitha kjo të shohin me inat, sikur ia kanë fajin turistët”, pohon aktori. Aktualisht Erandi është në Livadh dhe po pushon me familjen e tij, ndërsa shprehet se pikërisht familja është arsyeja pse ka shkuar në jug. “Çuditem me ta sepse jetojnë në Francë dhe vijnë të bëjnë pushime në Shqipëri. Në Kanë, apo Montekarlo çmimet janë shumë herë më të lira se këtu”, përfundon Erandi.
Agron Llakaj
Ai konsiderohet si një nga moderatorët dhe aktorët më të paguar në Shqipëri, por edhe Agron Llakaj nuk ndjehet i kënaqur nga eksperienca e tij në jug të vendit. Aktori thotë se ka kaluar disa ditë pushime në Zvërnec dhe nëse do të gjykojmë cilësinë, sipas tij ishte e rëndomtë, ndërsa çmimet si në Montekarlo. Moderatori i “Al Pazarit” tregon se ajo që i ka bërë shumë përshtypje ishte “pisllëku”, që gjendej në ambient dhe mungesa e kulturës dhe shërbimit. “Çmimet nuk përshtateshin aspak me atë që ofronte. Shqiptarët nuk dinë të vlerësojnë, në vend që t’i investojnë ato para që fitojnë për të krijuar kushte më të mira, duan të fitojnë sot. Kam shkuar vetëm 40 kilometra larg Shqipërisë dhe çmimet ishin thuajse sa gjysma e këtyre që janë këtu e shërbimi 100 herë më cilësor. Me dhimbje të madhe, por më duhet të them se nuk do të bëj më pushime në Shqipëri”, përfundon ai.
Big Basta
Big Basta mendon se vendet dhe njerëzit në jug nuk duhet të përgjithësohen. Sipas tij, “pyll pa derra nuk ka”, duke theksuar faktin se ka raste sporadike që abuzojnë dhe përfitojnë nga turistët. Reperi shprehet se, “mund të ketë ndonjë rast që abuzon për të fituar aty për aty, por kjo nuk ndodh në masë. Unë mund të them se jam i kënaqur, edhe për faktin se zakonisht me ne artistët tregohen të respektueshëm dhe madje na favorizojnë në çmime. Kjo është përvoja ime dhe për këtë ndjehem i respektuar dhe i falënderoj që janë sjellë në mënyrë të tillë me mua”.
Arben Derhemi
Situata në Shqipëri duket se e ka mërzitur aq shumë aktorin e njohur Arben Derhemi, saqë ai thotë se nuk ndjehet pjesë e vendit tonë, sepse në Shqipëri, pronën gjen të drejtën ta ndajë kryeministri. “Kam pushuar dy ditë në jug këtë vit dhe nuk shkoj më. Pushova 12 ditë në Lefkadha dhe u ndjeva pjesë e çdo gjëje që ishte publike. Në Shqipëri kanë pushtuar kodrën, rërën dhe detin. Me ç’të drejtë?! Kush ia u jep këtë të drejtë? Shteti ua jep atyre që paguajnë”, thotë aktori. Sa u takon çmimeve absurde që ka paguar në bregdetin shqiptar, Arben Derhemi shprehet se është një koktej 10 mijë lekë (të vjetra) dhe një birrë 8 mijë, e gjithçka tjetër me çmime të palogjikshme.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: