Deputeti i PS nga lista e hapur në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, i ftuar në “Log.” me Endri Xhafon, në News24, ka deklaruar se kandidimi i tij në Vlorë ishte një eksperiment politik nga ana e kryeministrit Edi Rama, që sipas tij dha rezultat pozitiv.

Gjiknuri pranoi se gara ishte e vështirë, por theksoi se kontributi i tij ndikoi në marrjen e mandatit të nëntë për Partinë Socialiste në këtë qark.

“Ishte një përvojë politike dhe rezultati u dha”, u shpreh Gjiknuri, duke komentuar vendimin e kryeministrit për ta dërguar në një zonë ku ai kishte qenë i shkëputur për katër vite.

I pyetur se si do të ishte gara e tij nëse do të kandidonte në kryeqytet, Gjiknuri tha se Tirana ka hapësirë më të madhe dhe gara është më konkurruese.

“Në Vlorë u riktheva pas një periudhe shkëputjeje, dhe kjo e bëri më të vështirë. Por shpresoj që kontributi im me votat të ketë ndihmuar në rezultatin që arritëm,”  shtoi ai.

Damian Gjiknuri: Jam i kalitur. Nuk ka pasur orientim vote. Kryetarët e bashkive ishin neutralë.

Endri Xhafo: A deshi Rama të të djegë?

Damian Gjiknuri: Jo, Rama eksperimentoi dhe rezultoi pozitiv. Aplikoi eksperiencën politike dhe rezultati u dha. Ndryshe nga PD që nuk pati efekti i Berishës në terren. Ishte fushata e 12-të e imja.

Fushata individuale është e vështirë, u caktova ditën e fundit dhe kjo ma bëri të vështirë garën.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb