Që situata politike është e nderë, është një perceptim që ka pushtuar publikun e gjërë prej kohësh, sidomos që pas arrestimit të Erjon Veliajt në shkurtin e 2025. Pikërisht në atë kohë kjo situatë i dha shenjat e para në marrëdhëien e ndërlikuar mes mazhorancës dhe sistemit gjyqësor nën ombrellën e Komisionit Xhafa, që nuk u kuptua nëse u mblodh ndonjëherë e për cfarë u mblodh. Por hera-herës ose komisioni ose vetë Xhafa, nxjerrin kokën në publik duke tundur përmes kërcenimeve të buta një draft ndryshimesh kushtetuese sa i takon arkitekturës kushtetuese dhe ligjore të drejtësisë. Pikërisht opozitës së vetme të qeverisë e cila nga mbrojtëse dhe ushtruese e sovranitetit popullor është shndërruar në një përbindësh anti-ligjor. Opozitë e vetme pasi opozita politike që prej 2017 nuk lë gjë pa bërë për të humbur zgjedhjet me çdo kusht. Kurth vetëshkatërrues në të cilin u mbytën edhe partitë e reja që përmes mosbashkimit, lanë rrugëve një dyzinë mandatesh parlamentare, të cilat rrjedhimisht i mori PS në tavolinë.
Për të qenë korrekt, ky rrugëtim i fituesit Rama mbi humbësit që ka patur përballë si në PS ashtu dhe në opozitë, është një rrugëtim shumë i dyshimtë i nisur në krye të herës. Ditën që rivuri këmbë në Shqipëri si Ministër Kulture në vitin e largët 1998. Kanë qënë jo të paktë socialistët e ish demoratët që sot i ka partnerë, që e kanë akuzuar për klientelizëm e korrupsion të dyshuar në funksion të pushtetit të tij. Dhe me shumë gjasa kanë patur të drejtë duke parë sesi ka degjeneruar qeverisja e sotme, ndërkohë që vija ndarëse mes babëzisë, krimit e qeverisë është bërë aq e hollë sa askush nuk po e sheh dot. As vetë SPAK! Por ky mund të konsiderohet një realitet 27-vjeçar i pranuar nga të gjithë, për sa kohë ngjarjet kanë ndodhur në një mjedis institucional të dobët e të paqëndrueshëm post-komunist apo e thënë më mirë tranzitor. Por tranzicioni quhet kështu pikërisht për shkak të vetë natyrës së përkohshme, një kohë midis dy epokave. Ndërkohë që prej vitit 2016 dicka ka lëvizur pavarësisht nga inercia që vjen prej rezistencës së vetë tranzicionit. Edhe shoqëria shqiptare por kryesisht partnerët e huaj dashamirës të Shqipërisë që nga Washingtoni e deri në Bruksel, kanë kuptuar se kjo epokë duhet të marrë fund. Dhe është pikërisht Reforma në Drejtësi që megjithë mëkatet, pakujdesistë apo më keq akoma edhe papërgjeshmërinë që ka krijuar boshllëqe të mëdha në sistem, e cila ka prodhuar një mekanizëm vrastar për tranzicionin e korruptuar e të kriminalizuar. SPAK dhe GJKKO që po “palosin” shumë burra e gra të politikës e krimit të organizuar që deri para pak kohësh e ndjenin veten Zota mbi tokë.
E pra, Rama si kryepolitikani ose “kafsha politike tranzitore” që qëndron në krye të “zinxhirit ushqimor’ sa për shkak të frikës e sa për për shkak të fuqisë, ka marrë përsipër t’i qëndrojë përballë SPAK nën moton “ose ne ose ju”. Pra ose degjenerim përfundimtar i qeverisjes e politikës e institucioneve, ose do kemi një rigjenerim moral e social të vendit përmes vendosjes së shtetit ligjor. Njëfarë sfide për jetë a vdekje mes establishmentit të tranzicionit me shumicën e shoqërisë e ndërkombëtarëve që janë rreshtuar masivisht me ligjin. Kjo betejë e nisur nga Berisha që i ka gjithsesi duart e lidhura prej të qënit në opozitë, po shpërfaqet tashmë fare hapur nën përgjegjësinë e Ramës, drejtuesit të qeverisë e mazhorancës njëkohësisht. Tutorit politik të Veliajt, mikut të Beqes, ortakut të Metës e gjysmës së Ballukut. E pikërisht marrja nën akuzë e zëvndëskryeministres ka dekonspiruar dhe rezistencën sporadike e të mefshtë të fillimvitit të kaluar, duke e nxjerrë zbuluar vetë Ramën në këtë betejë sa amorale aq edhe anti-demokratike. Tentativa e fundit e bërë publike dje që përmes komisionit fantazëm Xhafa, po synon të vërë nën presion SPAK, është shembulli më i qartë i antagonizmit qeveri-SPAK.
Ndërkohë që Rama përmes retorikës agresive, kundërshtimit në Gjykatë Kushtetuese apo dhe zvarritjes nga Peleshi të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, po tenton të veprojë në një kontekst diplomatik shumë kritik. Ky moment delikat i Ramës së shndërruar nga mbështetës I drejtësisë në armikun publik të saj, po jetëzohet në kontekstin e disa ngjarjeve në kontekst diplomatik apo gjysëm diplomatik e gjysëm ekonomik, sic është rasti i angazhimit të investimit në Sazan dhe Zvërnec. E për të vazhduar me pompozitetin e shitjes së ftesës që erdhi për Shqipërinë në “Bordin e Paqes për Gazën” pikërisht në zyrën e Kryeministrit, e deri tek vizita në Izrael, lihet të kuptohet se Kryeministri po rifiton terren ndaj presionit ndërkombëtar që shtyn SPAK të vijojë luftën e fortë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. E nëse takimet e tij diplomatike apo gjysëm të tilla përbëjnë disa fitore të vogla në sytë e publikut, ajo që bie në sy është vendosmëria e përfaqësuesve të lartë të shteteve perëndimore në mbështetje të SPAK. E këta përfaqësojnë institucionet e jo individë. Qëndrime zyrtare e jo lobistë. Ministritë e jashtme e agjensitë e zbatimit të ligjit e jo ish politikanë që trafikojnë influencë personale që nga Londra deri në SHBA!
Por cilat janë gjasat e trajektoreve të këtyre dy drejtëzave që herë duken të kithëta e herë paralele? Po ti kthehemi mënyrës si ka përparuar karriera e Ramës që nga 1999, të krijohet bindja se ai do e mundë drejtësinë e do vazhdojë të zgjasë tranzicionin pa fund. Me apo pa Sali Berishën. Por po të njohësh sesi funksionojnë shtetet e mëdha demokratike, kryesisht SHBA, Mbretëria e Bashkuar apo Gjermania e Bashkimi Evropian, të cilat janë shprehur hapur në mbështetje të SPAK, optimizmi pro Ramës shndërrohet menjëherë në pesimizëm e vdekje shprese se këtë herë do ketë një herë tjetër. Pasi lobingjet apo klientelizmi mund të funkionojnë në rrethana të caktuara me politikanë të caktuar, por jo pa fund. E pyetja që shtrohet është: “a mund të blihet Perëndimi”? Me shumë gjasa jo! Këtë përgjigje japin më së miri pikërisht disa episode të ditëve të fundit, që nga fjalimi me frymëmarje të shpejtuar në Kuvend një javë më parë, mosqenia në Foumin e Davos të nesërmen, e deri dhe patetizmi i “sionistit Rama, shokut të ngushtë të Alexit” që financon shoqatat pro-palestineze në çdo kryeqytet perëndimor. Ndaj dhe prifti ynë që kërcen nga belaja, pavarësisht nga ndonjë fitore e ditës e di dhe vetë se luftën e madhe e ka me shumë të humbur.
Një gjë është e sigurt. Çdo gjë do sqarohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin ose jo të Ballukut. Precedentët kanë treguar se sa më shumë reziston mazhoranca ndaj ligjit, aq më e fortë ka qënë kundërpërgjigja e drejtësisë. Ky do jetë momenti kur të kuptojmë se në perëndim ka individë që blihen e shiten, por institucionet nuk janë nxjerrë në pazar.
Siç tregon Ngjela me humor nëpër tavolina se “çdo gjë që nuk blihet me para, mund ta blesh me shumë para”, kjo mbetet veçse një fabul humoristike për tavolinat provinciale të Tiranës, e jo realitet politik perëndimor. Përndryshe SHBA e Evropa do ishin grumbuj tendash nëpër shkretëtira e jo kështjella të demokracisë më se paku 300-vjeçare!
