Kandidati më i votuar i PD në listën e hapur të Tiranës me mbi 18 mijë vota, Ilir Alimehmeti deklaroi në emisionin “LOG.” në News24 me Endri Xhafo se nëse ndodh që kreu i PD Sali Berisha të dënohet nga GJKKO ku tashmë dosja “Partizani” për të cilin ai është hetuar, është çuar për gjykim, ai do të zbatojë ligjin.

“Ligji është ligj dhe zbatohet. Na pëlqen apo jo ne”, u përgjigj Alimehmeti.

Endri Xhafo: Zotin Berisha këtu e kam pyetur specifikisht për ju, në disa bashki Berati, Mati, Tepelena do të kenë zgjedhje sepse kryetarët e bashkive u zgjodhën deputetë. Në Tiranë mund të ketë zgjedhje… PD nuk ka vetëm Parlamentin, tha Berisha… 

Neritan Alibali: Janë 2 deputetë, zoti Berisha dhe zoti Mediu me çështje në gjykatë. Berisha mund të dënohet dhe do të humbë mandatin.

Endri Xhafo: Do ta merrni mandatin e zotit Berisha, z.Alimehmeti, nëse ai dënohet? 

Ilir Alimehmeti: A ka metoda të tjera për të marrë pjesë në politikë përveç Parlamentit? Unë jam kryetar i këshilltarëve të PD në Bashki, post politik është. Erion veliaj nuk është i dënuar, por i ka bërë 3 muaj pa ndërprerje mungesë në punë. Ligji parashikon shkarkimin për mungesën për 3 muaj. Këshilli Bashkiak e ka bërë propozimin? Jo. Ne e kemi kërkuar. Këshilli Bashkiak nuk e bën propozimin për shkarkimin.

Me shumë mundësi do shkarkohet se nuk i duhet më, mbaroi punë me zgjedhjet dhe po spastrohet Bashkia nga njerëzit e tij, deri në nivel shoferësh dhe do të thotë se do të ketë shumë shpejt zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës. Kjo mund të ndodhë për 30-40 ditë përpara, pra dekretohet nga Presidenti.

Ne jemi në një proces, s’kemi mbyllur 11 majin, s’janë miratuar tabelat e rezultateve, s’janë mbaruar ankimimet. Sot që flasim Bashkia e Tiranës nuk ka zgjedhje.

Endri Xhafo: Të ta rikujtoj pyetjen. Do ta merrnit mandatin e Sali Berishës?

Ilir Alimehmeti: Ligji është ligj, më pëlqen mua apo jo, zbatohet, njësoj si ligji elektoral që s’më pëlqen hiç, por duhet zbatuar. PD në zgjedhjet e kaluara pati dy dorëheqje dhe një kandidaturë. Lista zbriti dhe i takon të parit, të dytit, të tretit, pra është përcaktim legjislativ.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb