Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e ftuar në News24, komentoi zhvillimet e fundit politike në vend dhe theksoi nevojën për bashkim të të gjithë faktorëve opozitarë.
Sipas Vokshit, kryesia e PD ka bërë ftesa të vazhdueshme për partitë dhe forcat opozitare që të koordinohen dhe të krijojnë një front të unifikuar. “Ftesat nuk kanë munguar nga kryetar i PD. Ka bërë ftesa të përditshme për faktorët opozitarë që të bashkohen, por nëse ftohen dhe refuzojnë, nuk na mbetet gjë tjetër”, tha Vokshi.
Ajo theksoi se për të arritur objektivin e largimit të qeverisë aktuale, duhet të tejkalohen ndasitë dhe përçarjet mes partive opozitare. “Duhet të heqim dorë nga ndasitë, na duhen zgjedhje të reja me një qeveri teknike. Të bëhemi bashkë, kjo do të thotë çdo forcë politike opozitare, duke përfshirë edhe Arlind Qorin, Adriatik Lapajn dhe të gjitha partitë e tjera që pretendojnë se janë opozitare”, shtoi deputetja.
Vokshi nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së forumit për dialog, i cili vepron jashtë forcave politike tradicionale, duke e konsideruar atë pjesë të aksionit opozitar. “Ne jemi të gjitha shtresat dhe forcat politike që kanë kauzë opozitarizmin dhe largimin e kësaj qeverie”, përfundoi ajo.
