Avokati Rezart Kthupi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në raport mes drejtësisë dhe politikës, lidhur me hetimet e SPAK ndaj Belinda Ballukut, për të cilën ka kërkuar edhe arrestimin.
Gjatë intervistës, Kthupi u shpreh se nuk ka pritshmëri për një vendimmarrje ndryshe nga mazhoranca. Sipas tij, qëndrimi politik i PS do të jetë i njëjtë me atë që, sipas tij, është reflektuar nga Ulsi Manja në Këshillin e Mandateve, në lidhje me vlerësimin e provave.
“Jam i bindur se vendimi politik që do të marrë PS do të jetë që me këto prova nuk jemi të bindur se mund t’i hiqet imuniteti zonjës Balluku. Thjesht do të formalizohet si qëndrim politik për ta rrëzuar kërkesën e prokurorisë,” u shpreh ai.
Avokati theksoi se Shqipëria ka ndryshuar Kushtetutën dhe ka ngritur struktura të posaçme për të luftuar korrupsionin në nivele të larta, duke nënvizuar se ky ka qenë një vullnet i qartë i shoqërisë. Sipas Kthupit, çdo kufizim i kompetencave të prokurorisë në raste të tilla përbën një sinjal të rrezikshëm për luftën kundër korrupsionit.
Ai shtoi se kjo situatë shënon, sipas tij, një vijë ndarëse në raportin mes politikës dhe drejtësisë në vend, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po vepron në kundërshtim me pritshmëritë e publikut për forcimin e shtetit të së drejtës.
