Një raund i ri negociatash për programin bërthamor të Iranit zhvillohet sot në Geneva, ku Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, do të takohet me të dërguarin special të Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, si dhe me dhëndrin e tij, Jared Kushner. Në qendër të diskutimeve janë dy çështje kritike. E para lidhet me pasurimin e uraniumit: Trump ka deklaruar se kërkon pasurim zero, ndërsa Teherani këmbëngul për ruajtjen e një niveli të kufizuar pasurimi për qëllime paqësore, përfshirë kërkimet mjekësore.

Sipas raportimeve, zyrtarë amerikanë mund të pranojnë një pasurim “simbolik”, me kusht që Irani të ofrojë garanci të forta se materiali nuk do të përdoret për armë bërthamore. Çështja e dytë ka të bëjë me fatin e uraniumit tashmë të pasuruar nga Irani. Uashingtoni kërkon transferimin e plotë të tij jashtë vendit, ndërsa pala iraniane ka shprehur rezerva. Në javët e fundit, mediat ndërkombëtare raportuan se Teherani ka kontaktuar Moskën për mundësinë e depozitimit të uraniumit në Rusi, në një skemë të ngjashme me marrëveshjen e vitit 2015.

Sipas Axios, Witkoff ka deklaruar në një takim me donatorë në Uashington se SHBA-të kërkojnë një marrëveshje pa klauzolë skadimi. “Po fillojmë me kushtin që të mos ketë datë skadimi. Pavarësisht nëse arrihet marrëveshje apo jo, kushti ynë është që të silleni siç duhet për pjesën tjetër të jetës suaj”, citohet të ketë thënë ai. Trump dhe kritikët e marrëveshjes së vitit 2015 – e njohur si Joint Comprehensive Plan of Action – e kanë konsideruar skadimin gradual të kufizimeve si një dobësi madhore. Marrëveshja, e arritur gjatë administratës së Barack Obama dhe e braktisur më vonë nga Trump, parashikonte heqjen graduale të kufizimeve brenda 8 deri në 25 vjetësh.

Negociatat zhvillohen në një klimë të tensionuar rajonale. Sipas raportimeve, Irani po përballet me presion diplomatik nga vende si Omani, Katari, Egjipti dhe Turqia për të shmangur një konflikt ushtarak. Ndërkohë, Arabia Saudite thuhet se i ka kërkuar Uashingtonit të shqyrtojë pozitivisht ofertën iraniane, nga frika se një sulm ushtarak mund të ndezë një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Ministri Araghchi deklaroi së fundmi për CBS se Irani është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje “më të mirë” që do të garantonte karakterin paqësor të programit bërthamor “përgjithmonë”. Megjithatë, ekspertë paralajmërojnë se vijat e kuqe të Teheranit mbeten të forta, veçanërisht mbi pasurimin e uraniumit, të cilin udhëheqësi suprem Ali Khamenei e konsideron thelbësor për vetë ekzistencën e regjimit. Nëse bisedimet dështojnë, vëzhguesit paralajmërojnë se opsioni ushtarak mund të afrohet, duke rritur rrezikun e një përshkallëzimi të ri në rajon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb