Mbahet sot në Gjykatën e Posaçme seanca paraprake ku do të vendoset nëse dosja e kreut të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj do të kalojë në gjykim ose jo.

Seanca e parë u zhvillua më 29 shtator 2025, por u shty për mosparaqitje të avokatit. Për të njëjtën arsye u shtynë edhe seancat e 10 tetorit, 21 tetorit dhe 28 tetorit, kur Veliaj zëvendësoi avokatët që e kishin përfaqësuar gjatë hetimit paraprak dhe seancës së masës së sigurimit personal. Ai pajtoi atëherë për t’u përfaqësuar avokatin Artan Gjermëni.

Seancat e 12 dhe 17 nëntorit u shtynë për t’u dhënë kohë avokatëve të përgatisnin kërkesat e tyre në seancën paraprake. Seanca e 2 dhjetorit u shty për t’i dhënë kohë avokatit të konsultohej me të pandehurin, ndërsa ajo e 12 dhjetorit për t’u dhënë kohë për përgatitjen e kërkesave në seancë paraprake. Në këtë seancë, Veliaj largoi si mbrojtës avokatin Gjermëni dhe gjykata caktoi kryesisht avokaten Valentina Teodoresku për mbrojtjen e tij.

Seanca paraprake dështoi të përmbyllej edhe në janar të këtij viti, kur seanca e 5 janarit u shty për mungesë të një avokati, ndërsa ajo e 19 janarit për t’i dhënë kohë konsultimit me të pandehurin.

Seanca e zhvilluar më 2 shkurt u shty për shpallje vendimi, që do t’u njoftohet palëve në proces sot.

Neni 332 i Kodit të Procedurës Penale, “Caktimi i seancës paraprake”, përcakton ndër të tjera se: “Gjykata vendos mbi kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq brenda 30 ditëve nga data e depozitimit të saj”.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb