Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi ka komentuar mundësinë e një gare për drejtimin e partisë, duke u ndalur te një kandidim i mundshëm i Ervin Salianjit përballë Sali Berishës në zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen në 23 maj.
Gjatë një interviste për News24, Boçi theksoi se garat brenda PD-së kanë qenë gjithmonë reale dhe konkurruese, duke respektuar vullnetin e anëtarësisë. Ai u shpreh se proceset zgjedhore në parti zhvillohen mbi bazën e rregullave të përcaktuara dhe se çdo kandidaturë duhet të kalojë filtrat e parashikuar në statut dhe rregullore.
Sipas tij, nuk ka kufizime absolute për kandidim, por ekzistojnë kritere që duhet të plotësohen nga çdo kandidat. “Kushdo mund të garojë, por duhet të respektojë kushtet dhe standardet e vendosura nga partia”, u shpreh Boçi, duke nënvizuar se procesi është i rregulluar dhe i strukturuar.
Në lidhje me deklaratat e Jorida Tabakut, e cila ka theksuar se PD nuk duhet të përjashtojë askënd, Boçi u shpreh se një parti politike duhet të jetë gjithmonë e hapur dhe të tërheqë sa më shumë anëtarë. Ai theksoi se forca e një partie qëndron pikërisht në aftësinë për të zgjeruar bazën dhe për të përfshirë individë të rinj.
“Ka garë apo jo, unë them se garat brenda PD kanë pasur vërtetësinë e tyre, kanë qenë konkurruese. Brenda garës ka lobimet e preferencat dhe tifozeritë e veta. Por të gjitha këto elementë nuk kanë dëmtuar votën e vullnetin e demokratëve që ka qenë i shprehur qartazi edhe në zgjedhjet e fundit. Kur themi garë dashje pa dashje jemi futur brenda disa rregullave të përcaktuara. Ka një proçes që respektohet. Salianji? Këtë e vendos statuti i PD, rregullorja dhe janë grupi i punës e kriteret që duhet të plotësohen.
Nuk ka asnjë kufizim për kandidaturat por ka filtrim sipas kritereve e kushteve. Mendoj se në pjesën përjashtuese, mund të ketë kufizime mandatesh apo detyrash, pjesa e përjashtimit, anëtar të PD duhet të jetë çdo njeri që ka vullnet të jetë anëtar. Këtu çedon. Po flas në tërësi. Kushdo mund të garojë por ka disa kushte dhe opinione. Ka krahasime edhe me shtetet e tjera por duhet të masim edhe nivelin e demokracisë. Në asnjë moment një parti nuk ka luks të përjashtojë se partitë janë magnete. Tendenca e një partie është forca që të tërheqë. Dhe çdo moment një parti duhet të tërheqë njerëz edhe anëtarë dhe veprimet e tilla duket sikur cedojnë”, tha ai.
