Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një dalje për mediat theksoi se do t’i propozojë tre kryetarëve të grupeve parlamentare që të vijojnë me punën per komisionin për reformën territoriale.

Balla uroi që Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore i kësaj legjislature të udhëhiqet nga interesi i përbashkët i të gjithë aktorëve politikë të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, për të përmbyllur më në fund të gjitha rekomandimet e raporteve të OSBE-ODIHR ndër vite.

Ai theksoi se, ndër çështjet që duhet të adresojë Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore me urgjencë, mbeten dhe çështjet e rritjes së transparencës së financimit të fushatave zgjedhore dhe çështjet e financimit të partive politike.

“Po të propozojmë ne zgjerimin, ata do të propozojnë uljen. Ju jeni një institucion i rëndësishëm që synojmë që të flasim dhe me palën tjetër. Në një nga konferencat e kryetarëve në vijim, unë do ia bëj këtë ftesë tre grupeve parlamentare të opozitës për të nisur punën menjëherë punën për këtë komision të posaçëm (reformën territoriale)”, tha Balla.

Pjesë nga fjala e Ballës:

Mirëdita, në përmbyllje të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste dua t’ju informoj ju dhe përmes jush publikun se grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të institucionalizojë në orët në vijim dy nisma që kanë të bëjnë me ngritjen e dy komisioneve të posaçme në Kuvendin e Shqipërisë. I pari është Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, një traditë tanimë prej shumë vitesh çdo fillim legjislature. Grupi parlamentar i PS ka qenë nismëtari i ngritjes së këtyre komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore. Uroj shumë që Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore i kësaj legjislature të udhëhiqet nga interesi i përbashkët i të gjithë aktorëve politikë të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë, për të përmbyllur më në fund të gjitha rekomandimet e raporteve të OSBE-ODIHR ndër vite, ku do të theksoja ndër rekomandimet bazë mbetet çështja e depolitizimit të komisioneve zgjedhore, duke risjellë në vëmendje edhe zgjedhjet e fundit ku formacione të caktuara politike kontestuan punën e komisionerëve të tyre apo numëruesve të tyre në grupet e numërimit. Për pasojë vunë në dyshim, le të themi, cilësinë e punës së këtyre komisioneve dhe Partia Socialiste mbetet partia që ndër vite, grupi i saj parlamentar e ka mbështetur çështjen e depolitizimit. Kujtoj këtu që kam theksuar se ndër çështjet që duhet të adresojë Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore me urgjencë, mbeten dhe çështjet e rritjes së transparencës së financimit të fushatave zgjedhore dhe çështjet e financimit të partive politike. Është në objektivin e këtij komisioni të posaçëm të adresojë gjithë punën e bërë ndër vite. Kam qenë dhe unë dikur bashkëkryetar i këtij komisioni të posaçëm të reformës zgjedhore dhe mund t’ju them se është bërë një punë e mirë me shumë ekspertë të atashuar, ku gjej rastin të falënderoj OSBE-në, Këshillin e Europës, ambasadat e vendeve partnere, të cilat kanë asistuar punën e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore për ligjin për financimin e partive politike. Është një ligj që bën pjesë në detyrat e shtëpisë që duhen realizuar brenda këtij sesioni të Kuvendit të Shqipërisë.

Çështja e dytë për të cilën do të ishte mirë që të adresohej puna e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, unë e kam thënë, për disa ndoshta duket si shumë futuriste, por unë mendoj që duhet adresuar në këtë ndërhyrje të radhës që do të bëhet në Kodin Zgjedhor, duhet të kemi nenet përkatëse të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë ose draftin gati sa i përket edhe mbajtjes së zgjedhjeve për Parlamentin Europian, sepse në fund të fundit, në pritshmëritë tona po afrohet momenti kur Shqipëria duhet të ketë dhe anëtarët e vet në Parlamentin Europian.

Nisma tjetër ka të bëjë me Komisionin e Posaçëm të Reformës Administrative dhe Territoriale. Në formë projektvendimi përkatës i Kuvendit duhet të ketë paritetin e përfaqësimit mes mazhorancës dhe opozitës, sikurse ka qenë edhe në dy komisionet e tjera të posaçme të reformës zgjedhore dhe administrative. I pari i ngritur në vitin 2013 dhe u konkretizua me vendimin e Kuvendit, pra ndryshime në ligj të miratuara në korrik të vitit 2014 dhe në legjislaturën e kaluar që nuk u konkretizuan me ndryshime në ligjin për ndarjen administrative-territoriale, por që kishin plot rekomandime të vlefshme. Të gjitha këto duhen parë tanimë në një kontekst më shumë se 10-vjeçar për t’i hapur rrugë, pse jo, reformave të reja sa i përket rolit dhe ndarjes administrative-territoriale. Kështu që të dyja këto komisione vlerësoj shumë që janë komisione tepër të rëndësishme për punën e Kuvendit të Shqipërisë. Uroj dhe shpresoj që edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike, grupi parlamentar i Aleancës për Ndryshim, grupi parlamentar i Partisë së Lirisë dhe deputetët e tjerë të pavarur, sipas projektvendimit që do miratojë Kuvendi, të plotësojnë vakancat në këto komisione.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb