Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e ftuar në emisionin “Kjo javë” nga Nisida Tufa në News24, ka folur mbi zhvillimet rreth turizmit në vend, por edhe planet për të ardhmen në këtë sektor.

Kumbaro u shpreh se Shqipëria i ka kaluar pritshmëritë e saj pas pandemisë, teksa shpjegoi se numërimi i turistëve bëhet duke marrë në konsideratë pasaportat e huaja që hyjnë në vend

Sa i përket artikujve për Shqipërinë në mediat ndërkombëtare, Kumbaro u shpreh se pas tyre nuk ka një sponsorizim nga Ministria e Turizmit, por ka qenë iniciativa e vetë mediave dhe gazetarëve të huaj.

Megjithatë ajo zbuloi se ka pasur mbështetje nga ministria për një dokumentar në BBC dhe një promovim në bashkëpunim me partnerë gjermanë për Shqipërinë.

Kumbaro foli edhe për çmimet në sektorin e turizmit duke thënë se Shqipëria ofron çmime më të ulëta për shkak se është një treg i ri, por theksoi se ashtu si vende të tjera, me kalimin e kohës në këtë industri do të ketë edhe një rritje të çmimeve.

Rezultatet e turizmit

Kumbaro: Viti 2022 krahasuar me rajonin dhe periudhën e pandemisë ishte një rikuperim i shifrave që tejkaloi pritshmëritë tona. Pritshmëria është shumë e madhe ndaj Shqipërisë. Në asnjë moment nuk kemi thënë që duam të arrijmë shifrën 10 milionë, por që ata që largohen të jenë të kënaqur sepse do jenë ambasadorët më të mirë për ne.

Numërimi bëhet me hyrje të pasaportave të huaja që vijnë në Shqipëri. Pasaporta e huaj tregon që personi nuk është rezident. Këtu nuk llogariten shtetasit shqiptarë dhe emigrantët që vijnë me pasaportë shqiptare. Sistemi TIMS na i jep hyrjet në mënyrë të saktë. Çdo person që vjen të kalojë më shumë se një ditë në një vend dhe që nuk është rezident quhet turist

Sponsorizimi i artikujve

Kumbaro: Edhe sikur të sponsorizohen artikujt për Shqipërinë është në detyrën e Ministrisë së Turizmit të investojë në promovimin e vendit. Megjithatë ju garantoj se artikujt e botuar nuk janë financuar nga ne. Ne kemi bërë një gjë tjetër. Kemi ndjekur në mënyrë obsesive rrjetet sociale ku vetë turistët kanë shërbyer si ambasadorët më të mirë për ne. Këto përshtypje kanë bërë jehonën e tyre në media. Javën që vjen Shqipëria do të shpallet zyrtarisht si vendi i nderit për Berlinin 2025 me një promovim bashkë me partnerët tanë gjermanë në të gjithë botën. Kjo mbështetet financiarisht nga Minisria e Turizmit.

Kemi mbështetur një dokumentar të rëndësishëm në BBC, por publikimet e tjera kanë qenë iniciativa të vetë mediave dhe gazetarëve të huaj.

Çmimet e lira

Kumbaro: Shqipëria është e lirë sepse është një treg i ri. Megjithatë ne nuk kemi promovuar çmimet e ulëta, por kemi promovuar se në Shqipëri mund t’i gjejnë të gjitha. Ne e shohim Shqipërinë si një plotësues ne hartën e Mesdheut. Ne nuk mund të jemi në garë me gjigantët që kanë 60 vjet në këtë industri. Dhe kur ke kaq shumë vjet në industri ka edhe rritje të çmimeve dhe kjo do të ndodhë edhe me Shqipërinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb