Analisti Auron Dodi, nga DW, në një lidhje me studion e lajmeve të News24, komentoi zhvillimet e kësaj jave në Gjermani dhe që lidhen me kthimin e refugjatëve nga Siria.
I pyetur nëse do t’i kthejë Gjermania në atdhe rreth 800.000 refugjatë, Dodi tha se kjo deklaratë u bë nga kancelari gjerman Merz, këtë të hënë, (30 mars) pas një takimi në Berlin me Presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa.
Sipas analistit të DW, Merz deklaroi se “në perspektivën më të gjatë të tri viteve të ardhshme, rreth 80% e sirianëve që qëndrojnë aktualisht në Gjermani duhet të kthehen në atdheun e tyre”.
Dodi tha se Merz u shpreh pro përshpejtimit të riatdhesimit të mbi 950.000 sirianëve dhe se përparësi kthimi kanë personat pa leje qëndrimi të vlefshme, si dhe “grupi problematik i sirianëve me akte kriminale”, të cilët dëshiron t’i rikthejë “me urgjencë”.
Intervista e plotë
News24: Auron, përshëndetje, ishte kancelari Friedrich Merz që e rinisi debatin për kthimin e sirianëve këtë javë, cili është konteksti?
A.Dodi: Kancelari Friedrich Merz e bëri deklaratën të hënën (30.03.), pas një takimi në Berlin me Presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa. Merz-i deklaroi se “në perspektivën më të gjatë të tri viteve të ardhshme – kjo është dëshira edhe e Presidentit al-Scharaa – rreth 80% e sirianëve që qëndrojnë aktualisht në Gjermani duhet të kthehen në atdheun e tyre”. Ai u shpreh, pra, pro përshpejtimit të riatdhesimit të mbi 950.000 sirianëve. Ata kanë ardhur në Gjermani kryesisht me krizën e refugjatëve në vitet 2015-2016. Përparësi kthimi kanë personat pa leje qëndrimi të vlefshme, si dhe “grupi problematik i sirianëve me akte kriminale”, të cilët dëshiron t’i rikthejë “me urgjencë”.
Për ta përshpejtuar procesin e përgjithshëm të rindërtimit, Gjermania do të investojë këtë vit për rindërtimin e Sirisë më shumë se 200 milionë euro.Por të martën, pas debatit që u hap në Gjermani, kancelari Merz e sqaroi deklaratën e riatdhesimit të 80% të sirianëve të Gjermanisë. Ai tha se shifra që përmendi e kishte burimin tek Presidenti sirian, se “ne e morëm në konsideratë këtë shifër, por jemi të ndërgjegjshëm për përmasat e detyrës.”
News24: A realizohet dot, nga ana ligjore dhe praktike, riatdhesimi i kaq shumë njerëzve brenda pak kohe?
Nëse do të riatdhesoheshin rreth 800.000 sirianë (kaq i bie nga totali)- kjo do të kërkonte që për tre vjet rresht, çdo ditë, të ktheheshin pas në Siri 730 vetë. Nuk duket realiste, ndaj zëdhënësi i qeverisë foli të mërkurën vetëm për “një shifër të konsiderueshme”. Po t’i kthenin me detyrim sirianët, kjo do të haste në pengesa ligjore. Nga sirianët e ardhur, 250.000 vetë, kanë tashmë nënshtetësi gjermane, 70.000 të tjerë kanë leje qëndrimi të pakufizuar.
Është e vërtetë që shumica kanë vetëm mbrojtje subsidiare – një status që jepet kur ka rrezik të përgjithshëm, për shkak të luftës ose varfërisë. Në rastin e sirianëve, arsyeja e ardhjes së tyre ishte lufta civile në atdhe, e cila sipas vlerësimit të qeverisë gjermane ka përfunduar. Por edhe sikur BAMF-i (Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët) t’ua anulonte statusin refugjatëve tashmë të pranuar, ata mund të marin, pas kaq kohe, një status tjetër qëndrimi: p.sh. si punëtorë të kualifikuar, si studentë etj. Ata kanë të drejtë edhe për shqyrtim individual të rastit – dhe kjo mund t’ua zgjaste me vite qëndrimin në Gjermani. Por as kthimi vullnetar nuk duket realist: vullnetarisht, prej 2025-ës, kur u hap program i kthimit vullnetar i financuar nga qeveria gjermane, janë kthyer vetëm rreth 3.678 sirianë.
News24: E kërkoi Presidenti sirian Al-Sharaa një kthim masiv të sirianëve nga Gjermania?
Në konferencën e shtypit pas takimit me Merz-in, Al-Sharaa-ja shprehu që në krye “mirënjohjen e thellë” ndaj “qeverisë gjermane dhe popullit gjerman, që u hapën dyert më shumë se një milion sirianëve, që u mundësuan atyre këtu siguri dhe që të rindërtojnë, jetët e tyre të shkatërruara”.
Presidenti i Sirisë para medieve nuk kërkoi kthim masiv. Por ai theksoi se shumë sirianë kanë fituar aftësi të shkëlqyera në Gjermani dhe shpresonte që kompanitë gjermane t’i sjellin, përmes tyre „këto ekspertiza në Siri”.
Në një tryezë të rrumbullakët në Ministrinë e Jashtme gjermane, Presidenti Al-Sharaa kërkoi investime në vendin e tij. Ai tha se”na duhet një partner, me të cilin të ndërtojmë ura, dhe Gjermania është natyrisht ky partner”. Në takim morën pjesë më shumë se 40 kompani gjermane. Kompanitë “Siemens Energy” dhe “Knauf” njoftuan angazhimin në sektorët e energjisë dhe ndërtimit.
News24: Cilat qenë reagimet politike në Gjermani?
Reagimet qenë të përziera. Një përfaqësuese e SPD-së (partneri i koalicionit me CDU-në në qeverinë qendrore), Anke Rehlinger, tha se “nuk është ide e mençur të paraqesësh shifra të sakta, brenda afateve kohore të caktuara, sepse kjo ngre pritshmëri, që mund të mos përmbushen”.
Nga ekstremi i majtë, një deputete e partisë E Majta, Clara Bünger paralajmëroi se po u përcillet qindra mijëra njerëzve mesazhi se ata nuk janë të mirëpritur. Sipas saj “kjo ushqen fantazitë e AfD-së për deportim masiv”.
Për Alice Weidel-in, lideren e ekstremit të djathtë AfD (partisë populiste të djathtë), shifra e riatdhesimit të sirianë është madje e pamjaftueshme dhe “e vonuar”. Ajo kërkoi masa për tëgjithësirianët, por shprehu dyshime që plani do të zbatohej -pasi, sipas saj, socialdemokratët, “lobi i migrimit” dhe “pjesë të gjera të mediave” do ta kundërshtonin.
News24: Po reagime nga punëdhënësit gjermanë të sirianëve, a ka pasur?
Po. Përfaqësues të komunitetit mjekësor gjerman paralajmëruan se në rast kthimi do të kishte mungesa në kujdesin shëndetësor në Gjermani: sepse sirianët janë grupi më i madh i mjekëve të huaj në spitalet gjermane: me 5.745 mjekë. Në fakt, edhe kancelari Merz i përmendi mjekët dhe stafin e infermierëve sirianë si shembull të mirëintegrimit, tha se “ne jemi të interesuar që ata që jetojnë te ne, që duan të qëndrojnë, e janë të mirëintegruar…të qëndrojnë patjetër në Gjermani.” Por shtoi se për shumë sirianë tani ka nevojë atdheu.
News24: Si po reagojnë vetë sirianët ndaj debatit?
Një avokate siriane që kryeson Federatën e Shoqatave Gjermano-Siriane të Ndihmës, Nahla Osman, i tha DW se deklarata e kthimit ngjall dëshpërim dhe zemërim tek sirianët në Gjermani. Ajo tha se debati duket “më shumë si një sinjal politik i brendshëm, në kontekstin e rritjes së forcave të tilla si AfD, sesa një strategji politike e zbatueshme”. Në fakt, partitë konservatore CDU dhe CSU ndodhen nën presion elektoral nga AfD-ja – e cila arriti një rezultat rekord prej rreth 19% në zgjedhjet e fundit rajonale në Baden-Württemberg dhe Rheinland-Pfalz. Edhe politikanë konservatorë thonë tani p.sh. se një pjesë e dhunës në qytete buron nga “grupe migrantësh”. Por realiteti mbetet kompleks. Sot vërtet 48% e qytetarëve ndihen të pasigurt në hapësirat publike (krahasur me 21% në vitin 2017). Po kjo ndjenjë ka më shumë të bëjë me çështje sociale, si prania në sheshe e të droguarve, lypësve agresivë, lënia pas dore e kërcënimi nga varfëria, sesa me krimin e rëndë nga migrantët.
