Nga: BEN ANDONI
Sesa e vështirë është të merresh me figurën e Enver Hoxhës e tregon masa e pakët e librave të dedikuar in person kushtuar tij. Duket se botimi i paradokohshëm i një monografie kushtuar tij, pak botimeve të autorëve të huaj, jo vetëm nuk e ka mbushur hapësirën e kureshtjes, porse duket se e ka shtuar amullinë në kuptimin e figurës së tij. Në një lloj diskutimi që u hap pak kohë më parë, ende artikullshkrues dhe të cituar flasin dhe shkruajnë me shumë klishe për të. Të pakët janë ata që quajnë balancë, por edhe nuk tremben të flasin për dritë-hijet e veta. Mungesa e kulturës ndaj metodikave moderne, kompleksi historik, kompleksi i të shkuarës së shumë personave i bën të zbehtë në gjykim. Ndërkohë që paradoksalisht botohet pa fund nga gjërat e tij në kontekste të ndryshme.
Por a duhen marrë seriozisht më kujtimet e Enver Hoxhës? Kjo është një pyetje e vështirë, por edhe që kërkon zgjidhje. Të paktën, për ata, shkrimet dhe kujtimet e të cilit do t’u duhen për të ndërtuar studimet.

Ata që guxojnë
Krejt ndryshe ka ndodhur në ditët e fundit me një libër të ri, që po qarkullon për publikun shqiptar dhe që media po e shfrytëzon thjesht me regjistrin e zakonshëm të trajtimit të figurave komuniste: se çfarë tha Hrushovi dhe si iu përgjigj Enveri dhe Mehmeti.
Frederik Gjerazi, protagonist teknik i ditëve të dramës së marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë: dy vendeve tona gjatë gjysmës së shekullit të shkuar jep variantin e tij. I vendosur në rreshtin e dytë të ngjarjeve, ai s’është protagonist zyrtar sepse përkthen, por është protagonist real i këtyre ngjarjeve ngaqë tregon një të vërtetë tjetër, që devijon shumë me atë që ka paraqitur propaganda zyrtare.
“Kam lexuar në gazetën… procesverbalin e mbledhjes së Byrosë Politike kur u dënua Beqir Balluku dhe u habita nga ato që thoshte Mehmet Shehu:”Beqiri ka vepruar tamam si Hrushovianët, siç bëri Kosegini me mua. Në një pritje në Kremlin me rastin e Konferencës së Moskës të 81 Partive, ai e provokoi shokun Enver duke i thënë “ndërmjet nesh (domethënë midis shokut Enver dhe atyre) ka armiq që duan të na ndajnë”. Menjëherë shoku Enver më thirri pranë dhe pasi përplasi dorën në tavolinë në drejtim të Koseginit i bërtiti fort me këto fjalë, që unë ia përktheva Kosiginit: “Nuk më thua kush na qenka ky armik?”
Në të vërtetë bisedën në Kremlin me Kosiginin e përktheva unë, jo Mehmeti, megjithëse ky e fliste pak rusishten. Biseda u bë në këmbë, kur majtas e djathtas kalonin plot njerëz, prandaj nuk mund të kishte tavolinë ku Enver Hoxha “të përplaste grushtin” e të “bërtiste fort”, siç thotë Mehmeti.
Te “Hrushovianët” Enveri përmend, se Mehmeti i paska thënë në një rast Kosiginit “Lëri ato…! Askush nuk do të guxonte të bisedonte me shprehje të tilla vulgare me Kosiginin, këtë burrë serioz që për dhjetëra vjet ishte në krye të qeverisë sovjetike. Ky shkrim i Enver Hoxhës tregonte nivelin e ulët intelektual por edhe megalomaninë që e kishte pushtuar vitet e fundit të jetës së tij”, shton përkthyesi, që ditët e fundit ka sjellë librin e tij me kujtime, por që përdoret shumë shëmtuar.

Botimi i “Argeta LMG” duhet vlerësuar për faktin e sinqeritetit të shpalosjes së kujtimeve, por edhe pamjes që i jep marrëdhënieve shqiptaro-ruse, një intelektual që i ka prekur këto ngjarje. Me një ndjenjë mase, por edhe i kujdesshëm, duke ditur se shkruan për kujtime dhe se ato janë subjektive, autori i tyre referon kujdesshëm. Kuptohet se shket pak kur flet për personazhe reale, që i ndërruan destinin e jetës, por për të gjitha ka fakte, që di t’i justifikojë.
Interesante është analiza që bën e zhvillimit të shtetit rus, jo vetëm në optikën e marrëdhënieve me Shqipërinë, por më shumë atë dinamikë të Rusisë me zhvillimet botërore. Ke fakte, ndodhi, që i kanë ndodhur, por edhe shumë elementë që e sjellin shumë të afërt Shqipërinë dhe Rusinë, por edhe që merr një përgjigje sintetike për ngjarjet. Ka një balancë të mirë, që ti e shikon me dritë-hijet, por edhe pasqyrimin e qëndrimeve. Ka një stil të këndshëm, vende-vende duket se është ngutur që ta nxjerrë si botim, por libri qëndron dhe lexohet këndshëm. Ka kapërcime të mëdha, që ndonjëherë të besdisin, por që kuptohet se të flasësh për një vend si Rusia, nuk është asesi e lehtë. Ndaj, është pak e tepruar marrja e copëzave të veçanta dhe shfrytëzimi i pa sens i tij.
Këtij argumenti, ne duam t’i shtojmë atë që të lind nga këto kujtime. Ka shpesh nostalgjikë dhe kinse protagonistë të atyre kohëve, që jo vetëm ngatërrojnë por i shfrytëzojmë shumë keq episodet ku kanë qenë të pranishëm.
Autori ynë jo vetëm nuk e bën këtë, por di të mbajë dhe qëndrim direkt krahasues me kujtimet që janë shkruar më pas, ndërkohë që ke dy anë për figurat, ku ti mund të manovrosh në përfytyrim.

Shikimi ndryshe i Enverit
Veprimi i Enver Hoxhës në denoncimin ndaj Bashkimit Sovjetik në këto kujtime është parë më shumë si një lloj reagimi i ngutur dhe i frikësuar për të mbajtur pushtetin e vet sesa gjoja atë që ai ka pretenduar se ishte konsekuent për pastërtinë e Marksizëm-Leninizmit. Zoti Frederik Gjerazi e tregon me fakte për aq sa mundet por duke interferuar dhe kujtimet ndaj veprimeve brenda kampit të delegacionit tonë. Detajet që tregon është se liderët komunistë pas idealizimit fshihnin pak si shumë makutëri për jetën moderne ashtu si dëshirë për të sunduar. Në këtë rast shqyrtohen vizitat e Bukureshti dhe Moskës që dhanë drejtimin tjetër politik për Shqipërinë, që këtej e tutje do afrohej me Kinën, por që janë krejt ndryshe nga kujtimet patetike të Hoxhës. Përfundimi që nxjerr, paçka se edhe vetë këto janë subjektive, se a duhet marrë më përsipër t’u referohesh atyre?!
E në këtë rast, për historianët duket se kujtimet e Hoxhës në shumë raste janë jo thjesht të retushuara nga vetë ai, por se nuk kanë atë lloj vlere, të nevojshme që të shfrytëzohen për trajtime historike. Dhe kjo i shtohet problematikës për t’u marrë me figurën e Hoxhës pasi në një farë kujtimet dhe episodet mund të ishin një fillim i mirë për monografi.
Nga ana tjetër, retushimi i frikshëm, megalomania e udhëheqësve komunistë të asaj kohe, duket se është përcjellë deri në ditët tona, ku shumë personazhe tonat mundohen t’i imitojnë.
Mbase ka ardhur koha që Enveri duhet parë fillimisht nga kinematografia dhe duhen bërë abtragime për të hedhur dritë për atë politikë që e la Shqipërinë aq pas dhe mbi të gjitha dënoi një popull të tërë. Është e vërtetë që Shqipëria ishte aq e varfër dhe që i duhej një rrugë radikale por është krejt e pakuptueshme ajo që ndodhi. Duke perifrazuar pak a shumë fjalët e një studiuesi sovjetik të asaj kohe, që Gjerazi e sjell në librin e tij: Shqipëria s’ka qenë asnjëherë komuniste, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale…Por, argumenti ynë është sesa duhen kujtimet dhe sa realisht janë ato të duhura për njerëzit. Kam frikë se nuk hyjnë fare në punë, ashtu si kujtimet për Anglo-amerikanët që megjithëse nga njerëz të Ish-Sigurimit kemi dëgjuar se i kanë kontrolluar kujtimet e Hoxhës dhe madje u kanë marrë prononcime edhe të burgosurve, duhet thënë se ka shumë boshllëqe, retushime, retorikë, që e shtojnë konfuzionin për rolin e vërtetë të tij…

Libri me kujtime i z.Gjerazi është një sintezë e kujdesshme e jetës së tij, e marrëdhënieve parë me sytë jo thjesht të një dëshmitari direkt, por edhe kronisti të atyre kohëve (i është dashur të mbajë shënime për të gjithë këto takime), por edhe një dashuri e madhe për njeriun e mirë rus dhe sidomos shqiptar. Në të ka respekt dhe dashuri për përpjekjet e shqiptarëve dhe rusëve në Luftë, një shikim shumë interesant të Stalinit, Ten Hsiao Pinit, Andropovit, Enver Hoxhës, por edhe shumë e shumë personazheve të tjera.
Mendojmë se libri do jetë një kontribuues i vyer për ata që do duan ta shfrytëzojnë këtë kohë…
(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb