Nga Genc Burimi

Si ta transformosh lajmin e keq në sihariq? Këtë akrobaci intelektuale dhe verbale që e karakterzion, kryeministri shqiptar e praktoi sërish në podcastin e së dielës që shkoi. Kësaj here talentin për bllofin, Edi Rama e shpalosi teksa komentoi draft-rezolutën që kanë hartuar eurodeputetët pas vizitës së tyre në Tiranë javën e kaluar.

Nëse i merrje si të vërteta githçka që dilte nga goja e kryeministrit në podkastin e tij, kujtoje se europianët ishin larguar “pa mend” për mirë nga Shqipëria. Sipas Ramës, qeveria e tij paska marrë notë maksimale në të gjitha fushat duke bërë këtë koment në podkast:

“Një tjetër sinjal se Shqipëria po ecën me ritëm, me qëndrueshmëri dhe me qartësi strategjike në drejtimin e duhur… duke evidentuar kështu progresin në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, reformën socio-ekonomike, politikat mjedisore…”

Por realiteti i përmbajtjes së draft – rezolutës së Parlamentit Europian është disi më i ndryshëm. Ose më i hidhur…

Do ballafaqojmë me poshtë temat ku u mburr Rama në podkast dhe si janë formuluar ato realisht në draft-rezolutën e Parlamentit europian. Manipulimi Kryeministror del qartë.

1- Shqiperia po ecën  me qartësi strategjike në drejtimin e duhur
Kjo ishte vetëkënaqësia e parë e Ramës. Me këtë citim të cunguar nga draft-rezoluta ai shpresonte se opinioni do të kujtojë se qeveria është në drejtimin e duhur në rrugën e integrimit. Por po t’i referohemi versionit origjinal në tekstin e draft-rezolutës, kjo thënie s’ka lidhje fare me progresin e qeverisë shqiptare . Termi i “qartësise strategjike” shqiptare përdoret në draft-rezolutë për të treguar se populli shqiptar dhe të gjitha partitë që e përfaqësojnë, e shfaqin qartë se duan që Shqipëria të hyjë në BE. Asnjë meritë nuk ka Rama në këtë pikë. Kjo “qartësi strategjike” e shqiptarëve është biles një veçanti në kontinent ndërkohë kur në shumë vende të tjera, edhe në Europë lindore si për shembull në Serbi, Bullgari, Rumani, Hungari, Sllovaki etj, gjen parti euroskeptike. Ja versioni i plotë origjinal në tekstin e draft – rezolutes së eurodeputetëve: “Shqipëria ka ruajtur një orientim të qartë strategjik drejt anëtarësimit në BE. Përshëndesim angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për integrimin në BE, bazuar në konsensus midis të gjitha partive politike dhe mbështetje dërrmuese midis qytetarëve”

2. Forcimi i institucioneve demokratike
Rama në podkast u mburr po ashtu se draft – rezoluta vë në pah “progresin në forcimin e institucioneve demokratike” në Shqipëri. Por fatkeqësisht për të dhe për gjithë shqiptarët, nuk është kjo që europdeputetët thonë në dokumentin e tyre. Duke qenë se institucioni themelor demokratik, është institucioni i zgjedhjeve , eurodeputetët e komentojnë këtë pikë negativisht për mazhorancën: “Përsërisim shqetësimet tona në lidhje me kushtet e pabarabarta ne te cilat zhvillohen zgjedhjet, ne lidhje me keqpërdorimin e burimeve administrative, ne lidhje me akuzat për blerjen e votave dhe me presionin mbi votuesit”.

Më pas, europarlamentarët denoncojnë mosfunksionimin siç duhet të një tjetër shtylle të institucioneve demokratike sië është Parlamenti me misionin e tij të kontrollit që ai duhet të ushtrojë mbi qeverine. Në kushtet kur opozita parlamentare nuk e gëzon praktikisht këtë mundësi, në draft – rezolutë nënvizohet kjo : ”Inkurajojmë një kontroll më të fortë parlamentar mbi ekzekutivin, transparencë më të madhe në procedurat legjislative (dmth transparencë në hartimin, diskutimin, dhe votimin e ligjeve)  dhe konsultime jo fiktive me organizatat e shoqërisë civile, partnerët socialë dhe institucionet e pavarura”.

Një tjetër institucion themelor i demokracisë janë mediat. Edhe në këtë pike, Parlamenti europian i nxjerr kartonin e verdhë Edi Ramës i cili mburrej në podkast për progrese. “Bëjmë thirrje, shkruajnë eurodeputetët, për masa për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e medias, per transparencë më të madhe në rastet e konflikteve të mundshme  të interesit me pronarë  mediash, për mbrojtje te gazetareve kundër presionit politik dhe ekonomik qe ushtrohet mbi ta , dhe per hetim efektiv të kërcënimeve dhe sulmeve kundër aktoreve të medias”.

Kur lexon këto konstatime e ke të veështirë ta kuptosh vetëkënaqësinë e Rames me progresin në forcimin e institucioneve demokratike. Në rastin e konflikteve të interesit në media, Parlamenti europian s’mund të jete më i qarte kur duket sikur thotë sesi mund të jesh media e pavarur dhe kritike kur pronari i saj merr avantazhe ekonomike nga qeveria? Si mund të mbrohen gazetarët nga presionet kur sot nuk ka në Shqipëri, asnjë hetim ndaj këtyre presioneve dhe aq më pak procese gjyqësore apo dënime. Përkundrazi, nuk mungojnë rastet kur janë vetë gazetarët që shpallen si rrezik sepse çohen para gjykatave për shpifje.

3) Shteti i së drejtës
Edhe në këtë pikë Rama vazhdon ta lexojë mbrapsht draft -rezolutën sepse deklaronte në podkast se ka progres  në forcimin e Shtetit të së drejtës në Shqipëri. Shteti i të drejtës është para së gjithash mirëfunksionimi i drejtësisë si garant i Shtetit të së drejtës. Por për të mirëfunksionuar, drejtësia varet thelbësisht nga mazhoranca sepse është ajo që ka n dore mjetet e nevojshme dhe pavarësinë që duhet të gëzojë drejtësia. Edhe në këtë pikë, eurodeputetët shkruajnë të kundërtën e asaj që pretendon Rama : “Vërejmë si të pazgjidhura sfidat në lidhje me efikasitetin e drejtësisë, mbingarkesën që ajo ka dhe përpjekjet për presion të padrejtë që ushtrohet mbi të”.

Në këto kushte, tingëllon si ultimatum kërkesa e eurodeputetëve ndaj Edi Ramës si shef i egzekutivit dhe i mazhorancës në Kuvend në mënyrë  “që të perforcohet vetëqeverisja e drejtësisë  duke i siguruar asaj pavarësi, transparencë, rritje të kapacitetit profesional, investime  në infrastrukturën e gjykatave dhe në dixhitalizim”. Asnjë nga këto elemente që përmenden në raport nuk janë në dorë as të opozites dhe as vetë të drejtësisë. Kush tjetër përveç qeverisë apo parlamentit e pengon drejtësinë për të qenë e pavarur, për të patur ambjente normale pune, dixhitalizim, shkolla performante që të formojnë mjaftueshëm dhe mirë magjistratë të rinj? Nëse këto etapa nuk janë realizuar dhjetë vjet pas reformës në drejtësi, kjo nuk mund të quhet progres siç pretendon Rama.

Përkundrazi, draft-rezoluta shton se korrupsioni, armiku kryesor i Shtetit të së drejtës “vazhdon të mbetet një shqetësim serioz”. Shqipëria, shkruhet aty, vertete ka progrese “në kuadrin ligjor dhe institucional”, domethënë ligjet egzsitojnë në leter, por praktikisht, “Shqipëria ka bilanc të pakët suksesesh në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë si në hetime ashtu dhe në dënime përfundimtare”. Aluzioni është fare i qartë me rastin e Ballukut. Nëse nuk ka sukses në hetim dhe aq më pak në denime të mundshme, përgjegjësinë e ka mazhoranca që po e pengon drejtesinë të punojë dhe Shtetin e të drejtës të triumfojë.

4) Reformat socio-ekonomike dhe mjedisore
Fusha e fundit ku Rama u mburr në podkast se ka marre është ekonomia dhe ekologjia. Edhe këtu bllofi i Kryeministrit është maksimal. “Vërejmë se dobësitë strukturore vazhdojnë (domethënë nuk ka përmirësime në këto fusha) : informalitet i lartë, prodhueshmëri e dobët ekonomike dhe mjedis jo shumë i favorshëm për biznes”.

Shkak sipas raportit janë edhe mangësite e qeverisë shqiptare në fushën e  “investimeve në arsim për të promovuar kompetencat dhe inovacionin si baza për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe kohezionin social”.  Më zymtë s’bëhet. Te kohezioni social, draft – rezoluta e europarlamentarëve shënjestron mungesën e  rëndësisë që qeveria i kushton dialogut social në një vend si Shqipëria ku sindakatat janë thuajse inegzistente.

Kjo qeveri jo vetëm nuk dëgjon, por ka dhe lluksin t’i transformojë të vërtetat që miqtë e Shqipërise i thonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb