Nga Zilie Feçi
Ka një profesion që të vendos përballë së vërtetës edhe atëherë kur e vërteta është e padurueshme. Dhe ka mjekë që, përtej aparaturave, imazheve dhe raporteve mjekësore, mbajnë mbi supe peshën e jetëve njerëzore. Një prej tyre është doktoreshë Albana Shahini, mjeke radiologe, por edhe doktore e shkencave në këtë fushë.
Çdo ditë, para syve të saj kalojnë gra të moshave të ndryshme. Gra që vijnë për një kontroll rutinë, vajza që nuk e mendojnë se jeta mund t’u ndryshojë brenda pak minutash, nëna, mike, të njohura dhe krejt të panjohura. Ato vijnë me një shpresë të thjeshtë: të dëgjojnë se gjithçka është në rregull. Por ndonjëherë, në ekranin e aparaturës, shfaqet një e vërtetë që askush nuk dëshiron ta dëgjojë.
Dr. Albana e zbulon. E sheh përpara të tjerëve. E kupton atë që gruaja përballë saj ende nuk e di. Dhe aty nis një nga pjesët më të vështira të profesionit të saj, sepse duhet të gjejë fjalët për t’i komunikuar një njeriu se jeta e tij mund të ketë marrë një drejtim krejt tjetër.
Ne flasim shpesh për mjekët që shpëtojnë jetë, për ndërhyrjet kirurgjikale, për kimioterapinë, për betejat që fitohen dhe ato që humben. Por sa flasim për atë që ndodh brenda një mjeku që zbulon kancerin? Për peshën që merr me vete kur mbaron orari i punës? Për fytyrat që nuk i largohen nga kujtesa, për emrat që i mbeten në mendje, për historitë që nuk përfundojnë kur mbyllet dera e kabinetit?
Sepse doktoreshë Albana nuk sheh vetëm imazhe radiologjike. Ajo sheh gra. Sheh frikën e tyre, habinë, mosbesimin, lotët që ndonjëherë përpiqen t’i fshehin. Dhe ndoshta pjesa më e rëndë është kur mes tyre është një mike, një njeri i afërt, dikush me të cilin ka ndarë biseda, buzëqeshje dhe kujtime.
Si mund të vazhdosh të jesh mjeke, kur para teje ke një mike dhe duhet t’i thuash se ajo që ke zbuluar është shumë më e rëndë nga sa mund ta imagjinojë? Si mund të kthehesh në shtëpi dhe të sillesh sikur dita ka qenë një ditë e zakonshme, kur sapo ke mësuar se një grua që njeh mund të ketë vetëm pak muaj jetë?
Çfarë ndodh me zemrën e saj në ato momente?
Ndoshta askush nuk e pyet. Sepse të gjithë presin prej saj të jetë profesioniste, e përmbajtur, e saktë, e fortë. Por edhe mjekët janë njerëz. Edhe ata kanë një zemër që lëndohet, një shpirt që lodhet dhe një heshtje që ndonjëherë peshon më shumë se fjalët.
Dua të ndalem te kjo anë e doktoreshë Albanës. Jo vetëm te mjekja që zbulon sëmundjen, por te gruaja që duhet të jetojë çdo ditë me peshën e zbulimeve të saj. Te njeriu që, ndërsa u jep të tjerëve një të vërtetë të vështirë, duhet të gjejë forcën të mos thyhet prej saj.
Dhe ka diçka që dua t’ia them. Dr. Albana, ti nuk je përgjegjëse për sëmundjen që zbulon. Ti je përgjegjëse për të mos e lënë atë të kalojë pa u parë, pa u emërtuar, pa marrë mundësinë për t’u luftuar. Por, pas çdo gruaje që largohet nga kabineti yt, mbetet një histori. Dhe unë shpresoj që ti të gjesh gjithmonë një mënyrë për të mos i marrë të gjitha këto histori me vete. Sepse edhe njerëzit që u tregojnë të tjerëve të vërtetën më të vështirë, kanë nevojë ndonjëherë që dikush të kujdeset për ta. Sepse edhe ti ke nevojë për kujdes, për përqafime, për ditë të qeta dhe për dikë që të pyesë jo vetëm sa jetë ke ndihmuar, por edhe si është zemra jote.
Dhe dua ta dish, doktoreshë Albana, se përqafimi ynë për ty është i padiskutueshëm. Jo vetëm për mjeken që je, por edhe për njeriun që qëndron pas bluzës së bardhë, për zemrën që mban kaq shumë histori dhe për forcën që ndonjëherë ka nevojë të mbështetet edhe ajo. Ndoshta fizikisht nuk të japim përqafime aq sa do donim, por shpirtërisht po, po…duke thënë jo pak herë faleminderit që na dhuron jetë me vendimmarrjet e tua…!
