Nertil Jole, Prefekt i Qarkut të Korçës
Përkatësia europiane e Shqipërisë derivon jo thjesht nga pozicioni gjeografik i vendit tonë, por edhe nga vlerat historike të raportit që shqiptarët kanë krijuar me perëndimin, qysh nga koha e Heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, si një figurë me rëndësi universale për unitetin, vizionin, vlerat, traditën dhe kulturën evropiane të kombit.
Por a mjafton kjo në këtë botë të trazuar gjeopolitikisht, që Bashkimi Europian të na pranojë në gjirin e vet si shtet anëtar me të drejta të plota?
Padyshim që jo!
Çelja e negociatave të Shqipërisë me BE ka qenë një zhvillim i mbështetur në një meritë të drejtpërdrejtë qeverisëse, falë proceseve reformuese të një armate të tërë punonjësish të angazhuar të administratës publike, mbështetur nga një vullnet i palëkundur politik i maxhorancës qeverisëse. Sigurisht, ky mision është ende i papërmbushur, pasi axhenda kombëtare parasheh thellimin e mëtejshëm të reformave, të cilat kërkojnë akoma kohë dhe zhvillim progresiv të fuqisë rritëse të ekonomisë sonë kombëtare.
Ende pa filluar zyrtarisht fushata elektorale, subjektet politike të përfshira po shpërfaqin në mënyra të ndryshme në publik pjesë të shkëputura të programeve të tyre. Dukshëm Partia Socialiste ka një qasje jotradicionale ndaj zgjedhësve.
Duke vendosur në krye objektivin e anëtarësimit në BE, PS fton gjithë shqiptarët të bëhen, me votën e tyre, pjesë e realizimit të një programi madhor politik që plotëson një ëndërr të kahershme, bashkimin e plotë me Europën. Dhe që fokusi te ky objektiv qëndror të tejkalojë qëllime afatshkurtra elektorale, ajo po e plotëson tezën me bilance të arritjeve dhe projekte të mandatit të ardhshem. PS prezanton në këtë mënyrë vazhdimësinë e reformave politike, ekonomike apo sociale, si objektiva programore të qeverisjes, si pjesë integrale të objektivit më madhor.
