SPAK i është përgjigjur kërkesës për informacion të News24 në lidhje me thirrjen e Sali Berishës për t’u paraqitur.

Për gazetaren Klodiana Lala, Prokuroria e Posaçme ka deklaruar se fletëthirrja liderit të opozitës i është dërguar në tre adresa, tek selia blu, banesa e tij dhe Kuvendi.

Gjithashtu, SPAK thekson se nga selia e PD shkresa është kthyer pas me shënimin se rojet nuk ishin të autorizuar për të marrë zarfin dhe firmosur.

Përgjigjja e SPAK për News24:

Përshëndetje,
Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë si vijon:
Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).

Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin:
“Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025.
Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit:
[email protected], më datë 10.11.2025.
Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

Reagimi i Berishës pas përgjigjes së SPAK:

Sali Berisha: Është një gënjeshtër absolute. Ato rojë janë njerëz të përgjegjshëm. Këta janë njerëz të pafytyrë. Janë njerëz të përgjegjshëm të cilët më kanë dorëzuar mua çdo lloj dokumenti që ka ardhur aty. Dhe, kur organet gjyqësore kanë pasur, e kanë konsideruar të domosdoshme, i kanë dërguar me motoçikletë, me punonjës të policisë, gjykatës, etj, etj dhe nuk ka ndodhur kurrë kjo që thonë ata. Shiko, bëju bllok atij numrit të tyre sepse e kanë agjenci mashtrimi.

Prandaj ju lutem shumë, bëjini bllok dhe report atij numrit, thuaju edhe kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën gjë sepse dezinformojnë… …Emailin e hap çdo ditë. Nuk kanë dërguar asnjë. Unë email nuk përdor dhe nuk kam email në parlament. Nuk përdor email në parlament. Në qoftë se e kanë hapur dhe është, ato kanë rregulla komunikimi. Nuk është emaili ajo që komunikon. Posta ka rregulla, dorëzon njoftimin, firmos ai që merr njoftimin. Duket se kanë nisur pas këtyre bisedave, kanë hapur ndonjë llogari emaili kastile për këtë punë. Normalisht deputetët duhet të kenë llogari emaili, por unë nuk e kam përdorur kurrë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb