Nga Fejzi KOLANECI

1. Hyrje
Qëllimi i studimit tim është ndërtimi i një bashkësie rregullash për kontrollin e sjelljes racionale të liderëve politikë në shtete demokratike të botës. Kjo bashkësi përmban 14 rregulla.
Në qoftë se sjellja e një lideri politik i kënaq të gjitha këto 14 rregulla, atëherë ky lider ka sjellje racionale, ndërsa në qoftë se sjellja e një lideri politik nuk kënaq të paktën një nga këto 14 rregulla, atëherë ky lider nuk ka sjellje racionale.
Ky studim i imi është kryer (në një nivel shkencor më të lartë) në vitin 2015, në bashkëpunim me studentet Juxhen Duzha dhe Dea Kakija të University of New York Tirana. Gjithashtu, studimi është prezantuar në seancën plenare të Konferencës së 6-të Shkencore Ndërkombëtare në Shkencat Sociale, 11-12 shtator 2015, të zhvilluar në Universitetin Suleyman Şah, Istanbul, Turkey dhe është nderuar me një çmim special.
Duke u bazuar në këtë studim, synohet t’i jepet përgjigje shkencore pyetjes: A i kënaq marrëveshja Rama – Basha e 18 majit 2017 rregullat e sjelljes racionale të liderëve politikë, dhe më konkretisht, cilët nga këto 14 rregulla pritet të mos përmbushen?
Deri në 18 maj 2017 janë bërë pesë marrëveshje të mëdha ndërmjet PS dhe PD.
– Marrëveshja e parë (viti 1991) solli një qeveri me bazë të gjerë me Kryeministër Ylli Bufin e PS Zëvendëskryeministër Gramoz Pashkon e PD dhe me ministra nga disa parti.
– Marrëveshja e dytë (9 mars 1997) solli Qeverinë e Pajtimit Kombëtar me Kryeministër Bashkim Finon e PS.
– Marrëveshja e tretë (viti 2002) ndërmjet Fatos Nanos dhe Sali Berishës solli President konsensual Alfred Moisiun dhe reformën zgjedhore.
– Marrëveshja e katërt (viti 2007) ndërmjet Sali Berishës dhe Edi Ramës u bë për shtyrjen e zgjedhjeve vendore (shkurt 2007).
– Marrëveshja e pestë (21 prill 2008) ndërmjet Sali Berishës dhe Edi Ramës solli ndryshime në Kushtetutën e RSH dhe në Kodin Zgjedhor.
Asnjëra nga këto marrëveshje nuk është analizuar deri sot nga këndvështrimi i sjelljes racionale të liderëve politikë pjesëmarrës në to.
Në veprimtarinë njerëzore ose në natyrë takohen dendur fenomene ose procese, në të cilat pjesëmarrësit kanë interesa të ndryshme dhe përdorin metoda të ndryshme për realizimin e qëllimeve të tyre. Fenomene ose procese të tilla quhen konflikte dhe hasen në politikë, ekonomi, ideologjitë fetare, diplomaci, teknologji, shkencat teknike, bilogji, mjekësi, shkencat ushtarake, sigurinë kombëtare, astronomi, etj.
Një rast i vecantë i rëndësishëm i konfliktit është konkurenca ndërmjet kompanive private, monopoleve, ose konkurenca midis partive politike të një shteti në zgjedhjet parlamentare, presidenciale, ose vendore.
Modeli matematik i çdo konflikti quhet lojë. Koncepti “lojë” është po aq i rëndësishëm në Matematikën Moderne si koncepti “derivat” ose “integral” ose “probabilitet”. Pjesëmarrësit në konflikt quhen lojtarë. Këta mund të jenë individë, grupe njerëzish, parti politike, koalicione partiake, kompani private, monopole, shtete, etj.
Matematikanët rusë, (për shembull A. N. Kollmogorov, I. M. Gelfand, N. N. Vorobiev) kanë bërë dallimin e qartë ndërmjet “lojëtarëve të veprimeve” dhe “lojëtarëve të interesave”, ndërsa matematikanët amerikanë, anglezë, francezë ose gjermancë nuk e kanë bërë këtë dallim.
Ne do të bazohemi në konceptimin rus të lojtarëve, sepse ky konceptim pasqyron më saktë konfliktet politike, ekonomike, sociale që ekzistojnë aktualisht në Shqipëri.
Loja ka katër komponentë:
1. Jepen të gjithë pjesëmarrësit në konflikt që janë të aftë të marrin vendime dhe të kryejnë veprime. Këto pjesëmarrës quhen lojtarë të veprimeve.
2. Jepet bashkësia e veprimeve të mundshme të cdo lojtari të veprimeve. Këto veprime të mundshme quhen strategji të lojtarit.
3. Jepen individët, grupet sociale ose partitë politike pjesëmarrëse në konflikt, të cilat mbrojnë disa interesa të caktuara. Këto pjesëmarrës quhen lojtarë të interesave.
4. Jepen funksionet e dobisë të secilit lojtar të interesave.
Nuk përjashtohet mundësia që disa lojtarë te interesave të jenë njëkohësisht edhe lojtarë të veprimeve.

Studimi i çdo konflikti ka tri aspekte:
Aspektin deskriptiv, i cili e përshkruan konfliktin duke treguar pjesëmarrësit në këtë konflikt, lidhjet me konflikte të tjera, ose duke e paraqitur matematikisht konfliktin e shqyrtar me ndihmën e konflikteve të tjera.
Aspektin konstruktiv, i cili përcakton qartë katër komponentet e konfliktit.
Aspektin normativ, i cili jep matematikisht qëllimet e lojtarëve të interesave.
Aspekti kryesor i cdo konflikti është ai normativ, ndërsa dy aspektet e tjera janë plotësuese ose sqaruese të aspektit normativ.
Teoria e Lojës është teoria matematike e marrjes së vendimeve optimale nga pjesëmarrësit në konflikt (lojtarët). Koncepti “vendim optimal” duhet të përkufizohet matematikisht!
Ne Teorinë e Lojës nuk ekziston ndonjë parim optimizimi universal, i cili të jetë i vlefshëm ose i zbatueshëm për të gjitha lojrat e mundshme. Përkundrazi, për klasa të ndryshme lojrash përdoren parime optimizimi të ndryshme.
Gjetja e parimeve të optimizimit, që janë të përshtatshme për zbatim në klasa të specifikuara lojrash, përbën problemin më të vështirë dhe më të ndërlikuar në Teorinë e Lojës. Teoria e Lojës ka dy probleme themelore:
I. Në cilin parim matematik bazohet optimizimi i konfliktit të shqyrtuar?
II. Si gjenden konkretisht zgjidhjet e lojës së shqyrtuar?
Teoria e Lojës u krijua si disiplinë matematike e veçantë në vitin 1944 nga matematikani i famshëm hungarez-amerikan Johann Von Neumann (1903-1957) dhe ekonomisti i shquar austriak-amerikan Oskar Morgenstern (1902-1977).
Në Teorinë e Lojës pranohet sjellja racionale e të gjithë lojtarëve. Kjo do të thotë se lojtarët racionalë i marrin vendimet dhe i kryejnë veprimet në përputhje me rregullat e Logjikës. Pa respektuar parimin e sjelljes racionale të pjesëmarrësve në konflikt nuk mund të zbatohet Teoria e Lojës.
Matematika moderne nuk ka ndonjë arritje të rëndësishme për studimin shkencor të konflikteve, në të cilët disa pjesëmarrës nuk kanë sjellje racionale.
Parimi i optimizimit që duhet të zbatohet në klasën e lojrave antagoniste është Parimi mini-maks: i Von Neumann: të minimizohet dëmi maksimal i pritshëm, i shkaktuar nga kundërshtari.
Hapi vendimtar në zbulimin e parimit të optimizimit për klasën e lojrave jo antagoniste pa koalicione u bë në vitin 1954 nga matematikani i famshëm amerikan John Forbes Nash Jr, fitues i Çmimit Nobel në vitin 1994. Rikujtojmë se J. F. Nash është personazhi kryesor i filmit “A Beautiful Mind”, interpretuar nga Russell Crowe.
Në ekuilibrin Nash, cdo lojtar maksimizon fitimin e pritshëm individual. Prandaj, çdo lojtar nuk ka interes të shmanget nga ekuilibri Nash. Përgjithësime (ose modifikime) të ekuilibrit Nash janë bërë nga nobelistët J. C. Harsanayi, R. J. Aumann dhe nga Profesori i Matematikës i Universitetit të Moskës N. N. Vorobiev. Ky i fundit ka shpikur Parimin e realizimit të qëllimit, i cili zbatohet në studimin e tanishëm. Njohja e thelluar e ekuilibrit Nash ose e Parimit të realizimit të qëllimit ka nevojëpër njohuri matematike të avancuara.
Tani, formulohet një detyrë për lexuesit:
Në lojën e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017 të përcaktohen lojtarët e veprimeve, strategjitë e mundshme të lojtarëve të veprimeve, lojtarët e interesave, funksionet e dobisë të lojtarëve të interesave dhe të interpretohen rezultatet e zgjedhjeve parlamentare si “ekuilbër Nash”.

2. Bashkësia e rregullave që garantojnë sjelljen racionale të liderëve politikë në shtete demokratike
Cilat janë rregullat që duhet të respektohen nga liderët politikë të shteteve demokratike, në mënyrë që të garantohet sjellja racionale e këtyre liderëve politikë?
Për ti dhënë përgjigje të bazuar shkencerisht kësaj pyetje të rëndësishme, unë jam bazuar në Kritetin e Rreptë të Sjelljes Racionale, të zbuluar në vitin 2010 nga shkencëtari i shquar amerikan Robert Wilson (Jean‐Jacques Laffont Lecture, 2010).
Unë kam propozuar 14 rregullat e mëposhtme të cilat duhet të respektohen nga liderët politikë të shteteve demokratike.
Rregulli 1
Lideri politik zotëron informacion të plotë dhe të saktë për konfliktin e shqyrtuar.
Rregulli 2
Lideri politik është i pajisur me një ekip këshilltarësh të kualifikuar, ndër të cilët edhe një matematikan. Lideri politik ka në dispozicion kohë të mjaftueshme për të analizuar preferencat dhe strategjitë e mundshme që përdorin pjesëmarrësit e tjerë në konflikt.
Rregulli 3
Strategjitë e përdorura nga lideri politik janë kundërpëgjigje më e mirë ndaj strategjive që përdorin pjesëmarrësit e tjerë në konflikt.
Rregulli 4
Për të gjetur zgjdhjen optimale të konfliktit të shqyrtuar (nga fusha e politikës, ekonomisë, teknologjisë, mjedisit, sigurisë kombëtare, mbrojtjes, etj), lideri politik vendos interesat e atdheut dhe të popullit mbi interesat personale ose mbi interest partiake.

Rregulli 5
Funksioni i dobisë i liderit politik kënaq vetinë kalimtare: në qoftë se lideri politik preferon alternativën (kandidatin) A në krahasim me B dhe alternativën B në krahasim me C, atëherë ai duhet të preferojë alternativën A në krahasim me C.
Rregulli 6
Funksioni i dobisë i liderit politik nuk diktohet nga ndonjë person tjetër.
Rregulli 7
Për zgjidhjen e konflikteve antagoniste lideri politik zbaton Parimin mini-maks, ndërsa për zgjidhjen e konflikteve joanatagoniste pa koalicione lideri zbaton marrëveshjen Nash ose Parimin e realizimit të qëllimit.
Rregulli 8
Marrëveshja Nash dhe Parimi i realizimit të qëllimit prodhojnë drejtësi në bashkësinë e pjesëmarrësve në konflikt. Çdo lojtar që zbaton marrëveshjen Nash ose Parimin e realizimit të qëllimit nuk pëson humbje në konfliktin e shqyrtuar, Krejt ndryshe ndodh me lojtarët, të cilët nuk zbatojnë marrëveshjen Nash ose Parimin e realizimit të qëllimit: këta lojtarë do të pësojnë humbje në konfliktin e shqyrtuar.
Rregulli 9
Marrëveshja Nash është simetrike: fitimi i pritshëm i çdo lojtari nuk varet nga emri i tij, por varet nga pozicioni i këtij lojtari në marrëveshjen Nash. Çdo dy lojtarë që kanë pozicione të njëjta në marrëveshjen Nash, do të sigurojnë fitime të barabarta.
Rregulli 10
Marrëveshja Nash dhe të gjitha përgjithësimet e saj janë optimale në kuptimin Vilfredo Pareto. Ky rregull shpreh matematikisht logjikën e brendshme të marrëveshjes Nash (ose të përgjithësimeve të saj) dhe bazohet në konceptin matematik “zgjidhje optimale Pareto e lojës joantagoniste”.
Rregulli 11
Marrëveshja Nash dhe të gjitha përgjithësimet e saj janë monotone: lojtarët pjesëmarrës në konfliktin actual duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme, më të përgjithsme se marrëveshja aktuale.
Rregulli 12
Në marrëveshjen Nash dhe në përgjithësimet e saj formulat e funksioneve të dobisë të lojtarëve janë të pavarur nga transformimi linear i sistemit koordinativ. Në veçanti, formulat e funksioneve të dobisë të lojtarëve nuk varen nga zgjedha e njësive matëse.
Rregulli 13
Në lojën e marrëveshjes Nash dhe në përgjithësimet e saj, funksionet e dobisë të lojtarëve janë të pavarura nga alternative, të cilat nuk kanë lidhje me konfliktin e shqyrtuar.
Përkufizim (sipas nobelistit amerikan K. J. Arrow)
Një lider politik quhet diktator në qoftë se sa here që ai preferon alternativën (kandidatin, partinë) A në krahasim me alternativën B, atëherë edhe populli i atij shteti dhe anëtarët e asaj parti janë të detyruar të preferojnë alternativën A në krahasim me alternativën B.
Rregulli 14 (jo diktator)
Në çdo shtet demokratik, liderët politikë nuk janë diktatorë në kuptimin e K. J. Arrow.

3. Kontrolli i sjelljes racionale te E. Ramës dhe L. Bashës në marrëveshjen e 18 majit 2017 ndërmjet PS dhe PD.
Ky kontroll do të kryhet duke u bazuar në 14 rregullat që garantojnë sjelljen racionale të liderëve politikë në shtete demokratike dhe kalon nëpër 3 etapa:

Etapa e parë
Formulohet marrëveshja Rama – Basha si konflikt matematikisht dhe përshkruhen katër komponentët e këtij konflikti (lojtarët e veprimeve, strategjitë e mundshme të këtyre lojtarëve, lojtarët e interesave dhe funksionet e dobisë të secilit lojtar të interesave).
Marrëveshja Rama – Basha është lojë, por nuk është lojë shahu. As politika nuk është lojë shahu! Loja e shahut ka vetem dy lojtarë, ndërsa politika ka shumë lojtarë. Gjithashtu, rregullat e lojës së shahut dhe kushtet e zhvillimit të saj ndryshojnë nga rregullat e politikës dhe kushtet hapësinore – kohore të zhvillimit të politikës.
Etapa e dytë
Duke u bazuar në Teorinë e Lojës, marrëveshja Rama-Basha klasifikohet “lojë joantagoniste pa koalicione”. Modeli matematik i kësaj loje është marrëveshja Nash, ndërsa parimi i optimizimit është Parimi i realizimit të qëllimit i N. N. Vorobiev.
Etapa e tretë
Duke u bazuar në dokumentin zyrtar të marrëveshjes Rama-Basha dhe në të dhëna reale, kontrollohet nëse kjo marrëveshje kënaq secilin nga 14 rregullat e sjelljes racionale të liderëve politikë në shtete demokratike.
Në qoftë se ky kontroll rezulton se kënaqen 14 rregullat, atëherë arrihet në përfundimin se sjellja e E. Ramës dhe L. Bashës në këtë marrëvesje është sjellje racionale. Por, në qoftë se nga kontrolli rezulton se nuk kënaqen një ose disa rregulla, atëherë sjellja e E. Ramës dhe L. Bashës nuk është sjellje racionale.
Shtetet demokratike bashkëkohore duhet të udhëhiqen nga liderë politikë me sjellje racionale, të cilët maksimizojnë fitimin e pritshëm të vendimeve (ose zgjidhjeve) politike, ekonomike, etj. Për të realizur këtë qëlim të rëndësishëm, liderët politikë duhet të zbatojnë edhe Matematikën Moderne, veçanërisht Teorinë e Lojës.

Në ditët tona, marrja e vendimeve nga liderët politikë nuk është art, por është shndërruar në shkencë, e cila përdor edhe teoritë matematike (përshembull, Teoria e Marrjes së Vendimeve, Teoria e Drejtimit Optimal). Liderët politikë shqipëtare kanë nevojë të mësojnë dhe zbatojnë këto teori shkencore në punën e tyre.
A mund të vlerësoni sa humbet populli shqipëtar nga padija matematike e liderëve tanë, në marrjen e vendimeve të rëndësishme politike, ekonomike, arsimore, sociale, diplomatike, të mbrojtjes, sigurisë kombëtare, teknike, teknologjike, mjedisore, etj?
Matematikani i shquar francez René Thom, themelues i Teorisë së Katastrofës, ka thënë: “Zgjidhja e shumë problemeve të rëndësishme në shtetet demokratike të ditëve tona është në dorë të liderëve politikë. Fatkeqsisht, shumica e liderëve politikë nuk dinë as të formulojnë korrektësisht këto probleme, pa le të gjejnë zgjidhjet më të mira të këtyre problemeve”.
Cili nga 14 rregullat e sjelljes racionale të liderëve politikë rrezikon të mos kënaqet nga marrëveshja aktuale Rama – Basha?
Njerëz të ndryshëm kanë informacione të ndryshme për sjelljen e liderëve politikë shqiptarë. Prandaj, këta njerëz do të japing përgjigje specifike për pyetjen e mësipërme.
E ardhmja ka për të nxjerrë në dritë të vërtetën mbi sjelljen racionale të E. Ramës dhe L. Bashës në marrëveshjen e 18 majit 2017.
Sipas mendimit tim, në marrëveshjen Rama – Basha të 18 majit 2017 rrezikohen të mos kënaqen plotësisht rregullat me numra rendorë 2, 3, 7, 8, 10 dhe 14.
Rregull 2 nuk kënaqet plotësisht sepse liderët politikë aktualë shqiptarë nuk kanë ndonjë këshilltar matematikan dhe personalisht nuk e zotërojnë Matematikën Moderne.
Rregullat 3, 7 dhe 10 nuk mund të kënaqen sepse liderët politikë shqiptar nuk kanë zbatuar në punën e tyre Teorinë e Lojës, Teorine e Marrjes së Vendimeve ose Teorinë e Drejtimit Optimal.
Rregulli 8 nuk mund të kënaqet për LSI, e cila nuk u përfaqësua në marrëveshjen Rama – Basha.
Rregulli 14 nuk mund të kënaqet për PD, sepse L. Basha I ka caktuar vetë kandidatët për deputetë dhe renditjen e tyre në listat zgjedhore.
Rëndësi të veçantë për sjelljen racionale të liderëve politikë, ministrave ose deputetëve ka respektimi i rregullit 4, i cili u publikua nga A. N. Kollmogorov në vitin 1984. Një shkelje flagrante e rregullit 4 bëhet nga liderë politikë të korruptuar, sepse korrupsioni politik është dështim i demokracisë.
Në shkrimin e tanishëm nuk mund të kontrollohet plotësisht në qoftë se marrëveshja Rama – Basha e kënaq ose jo rregullin 4, sepse aktualisht mungojnë të dhëna të sakta për kryerjen e këtij kontrolli. Shpresohet se në të ardhmen ky kontroll mund të kryhet.
Në mënyrë të natyrshme lindin këto pyetje:
Si do të ndikojë marrëveshja Rama – Basha:
1. Në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017 në Republikën e Shqipërisë?
2. Në zvogëlimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe të trafikimit të lëndëve narkotike në Shqipëri?
3. Në zvogëlimin e korrupsionit politikë në Republikën e Shqipërisë?
4. Në ecurinë e Vettingut në Shqipëri? Vetting quhet reforma në drejtësi, pastrami I sistemit të drejtësisë nga gjyqtarë ose prokurorë të korruptuar.
5. Në parandalimin e blerjes së votës në Zgjedhjet Parlamentare të 25 Qershorit 2017?
6. Në marrëdhëniet e LSI me PS dhe të LSI me PD?
7. Në formimin, menaxhimin, jetëgjatësinë dhe koston e koalicioneve partiake paszgjedhore?
Në të ardhmen, secila nga këto pyetje do të marrë përgjigje.
Duke njohur rolin e rëndësishëm të liderëve politikë në zhvillimin e shteteve demokratike, është e çuditshme vonesa e liderëve politikë shqiptarë në njohjen dhe zbatimin e rregullave të sjelljes racionale të tyre.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb