A ishte gabim, apo një veprim taktik i zgjuar, bashkimi i votave të CDU-së gjermane me AfD-në ultra të djathtë, për temën e migrimit? Kjo pyetje ka preokupuar në Gjermani opinionin.

Jam lidhur në Gjermani me Auron Dodin, në DW.

Auron, përshëndetje.

Cilat janë zhvillimet këto para zgjedhjeve në Gjermani?


Përshëndetje. Tema kryesore këto ditë ka qenë qëndrimi ndaj AfD-së, partisë ultra të djathtë – pas votimit të CDU-së me të në Bundestag javën e kaluar. Dhe duket se debati i ashpër për migrimin, e votimi me AfD-në, nuk e ka dëmtuar CDU-në konservatore. Madje, kryetari i CDU-së, Friedrich Merz ka përfituar pikë, personalisht.

Në sondazhin e gjerë, ARD-Deutschlandtrend, konservatoret CDU/CSU kanë shtuar një pikë – dhe arrijnë 31 %. Një pikë ka shtuar edhe AfD-ja, që arrin 21 %. SPD e kancelarit Scholz arrin 15%; para Të Gjelbërve me 14 përqind.

Sondazhi tjetër i gjerë i fundit, Politbarometer i ZDF, e sheh CDU te 30%, AfD te 20% dhe SPD 15%.

Vlerësimi për Friedrich Merzin është rritur. Ai ka shtuar pikë, si në sondazhin e ARD, ashtu edhe në atë të ZDF. Më shumë, katër pikë, ai ka shtuar te sondazhi i ARD-së.

Aty ka shtuar madje 5 pikë si kandidat i preferuar për kancelar, krahasuar me të tjerët. Merzi arrin tani 33 përqind; përballë kancelarit Scholz, që arrin 25 përqind (edhe Scholzi ka shtuar 6%). Habecku i Të Gjelbërve ka rënë një pikë, ai arrin 26%.

Sondazhet janë vërtet fotografi të momentit. Megjithatë janë disa sondazhe radhas, që tregojnë stabilizim të partive unioniste. Pritet pra, që ato të drejtojnë Gjermaninë.

Si shpjegohen protestat me qindra mijëra vetë këto ditë atëherë kundër një bashkëpunimi të CDU-së me ultra të djathtën AfD? Nuk tregojnë realitetin?

Protestat shprehin mendimin legjitim dhe shqetësimin për demokracinë, të një pjese të njerëzve. Dhe të partive të majta.

Qindra-mijëra protestues janë padyshim shifër e lartë. Që flasin për vitalitetin e demokracisë në Gjermani. Por të mos harrojmë edhe se Gjermania është vend i madh, ka 83,6 milionë banorë.

Nga ana tjetër, nuk është i ri hendeku midis përshtypjes që krijojnë demonstruesit dhe rezultateve në sondazhe. Edhe në Gjermani, si në vende të tjera perëndimore, ka si duket dallim midis asaj që mendojnë protestuesit në rrugë, dhe asaj që mendojnë njerëzit në shtëpi.

Por që të jemi të qartë: edhe në sondazhe, dy të tretat e gjermanëve janë kundër një koalicioni qeveritar me AfD, që ka pjesë ekstremiste. Një koalicion me AfD e kundërshtojnë madje, 77% edhe e mbështetësve të partive konservatore unioniste, CDU/CSU.

Por: të pyeturit nga të gjitha kampet e quajnë të përfytyrueshme që votat e AfD-së të shfrytëzohen nga CDU/CSU për mocione e ligje. Për 44 përqind kjo është në rregull, 49 përqind janë kundër, sipas ARD-Deutschlandtrend.

Pra këto shifra nuk sugjerojnë se CDU-ja është dëmtuar që javën e kaluar. Sipas sondazheve të gjera të deritashme duket se veprimi i Merzit përputhet me tendencën në opinion.

Pra mund të thuhet se thyerja e tabusë historike nga CDU, shfrytëzimi i votave të AfD, kaloi pa pasoja për CDU-në dhe për Merzin?

Votimi ka polarizuar frontet, brenda partive dhe midis CDU/CSU e partive të tjera.

Kryetari i CDU-së, Friedrich Merz ka bërë thirrje tani madje që zgjedhësit të mendohen, a duhet t’i japin votat, liberales FDP, parti gjithashtu konservatore e qendrës. Me 4 % që mer FDP-ja tani, ajo mund të mbetet jashtë Bundestagut dhe votat për të mund të venë dëm. Merzi tha se kishte parë me shqetësim si qe shpartalluar në votimin për migrimin në Bundestag FDP-ja. Kjo pasi një e treta e FDP votoi kundër ligjit për kufizimin e migrimit të Merzit- gjë që ndikoi në dështimin e ligjit.

Janë në pozitë më të vështirë tani të gjithë partnerët e mundshëm, të një koalicioni pas zgjedhjeve, me CDU/CSU.

Socialdemokratët e kancelarit Scholz kanë nisur madje deklarata kundër Merzit. Ish-kryetari i SPD, Franz Müntefehring ka vënë në dyshim përshtatjen e Merzit për kancelar. Kurse organizata e rinisë e socialdemokratëve thotë që dëshiron koalicion me CDU-në, por pa Merzin.

Dihet se shumica e gjermanëve kanë të preferuar gjithsesi një koalicion CDU/CSU me socialdemokratët, pas zgjedhjeve. Sidoqoftë, këtë të diel Friedrich Merz dhe Olaf Scholz do të bëjnë një debat televiziv publik.

Kurse partneri tjetër i mundshëm, Të Gjelbrit, kanë paraqitur tani një program të vetin, 10 pikash për migrimin.

….

Polarizimi zakonisht i mobilizon më fort palët konkurruese. A mund të thuhet kjo tani edhe për Gjermaninë?

Pa dyshim. Kjo shihet jo vetëm te protestat. Por edhe te rritja e lehtë e mbështetjes për socialdemokratët. Në një sondazh të institutit yougov të enjten, SPD arrin madje 18%.

Njëkohësisht, zhvendosja djathtas e opinionit të përgjithshëm në Gjermani është e qartë. Këtë e tregon diferenca që nga zgjedhjet e fundit parlamentare: CDU/CSU ka shtuar 6% që atëherë dhe AfD e ka dyfishuar mbështetjen. Kurse koalicioni i kancelarit Scholz ka humbur 17%.

Megjithatë, si tendencë gjermanët vlerësojnë kompromisin, jo konfrontimin. Për disa vëzhgues, CDU-ja nën Merzin është bërë më konfrontative. Dhe është kthyer në kohën para kancelares Merkel.

Kjo shpjegon ndoshta edhe shqetësimin e madh të gjermanëve në sondazhe, se a do të jete stabile qeveria e ardhshme gjermane. Shqetësim që është shtuar, te ndërkohë 69% e gjermanëve, sipas ARD-Deutschlandtrend.

A do të mbizotërojë tema e migrimit zgjedhjet deri në fund?
Kjo mbetet të shihet. Pasi problem kryesor për gjermanët është ekonomia, e cila ndodhet në recesion. Janë rritur, për herë të parë pas vitesh, edhe shifrat e të papunëve.

Në një aktivitet të CDU-së në Bonn, Friedrich Merz tha se me temën e migrimit ishte marrë i detyruar. I detyruar nga atentatet në Aschaffenburg, Magdeburg e Solingen; nga fakti që problemi i migrimit duhet zgjidhur; nga fakti se për tre vjet nën qeverinë “semafori”, mbështetja për AfD-ja ishte dyfishuar: nga 10% në mbi 20 %.

Sidoqoftë, edhe në Bonn Merzi dha sërish garancinë “unë nuk do të zgjas kurrë dorën, për të bashkëpunuar me AfD-në, apo për të formuar një qeveri”.

Si në Berlin, ashtu edhe në Bonn, Merz po bën temë të parë sërish ekonominë. Një kompetencë që në Gjermani lidhet tradicionalisht me partitë konservatore unioniste.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: