A janë ndezur motorët e fushatës pas marrëveshjes së djeshme mes Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë? Kjo ishte pyetja e diskutuar sot në “Pikat mbi i” në News 24. Sipas Artur Zhejit, Ilir Meta bëri një hap pas në këtë marrëveshje duke i lënë PD-së kryetarët në të gjitha bashkitë e vendit. Ndërsa Agim Nesho i Partisë së Lirisë deklaroi se pakti mes Metës e Berishës nuk është vetëm për fitoren e opozitës, por një marrëveshje në interes të qytetarëve.

Zheji: Marrëveshja e djeshme mes Metës dhe Berishës është formalizimi i një marrëveshje politike mes dy palëve. Meta, për të shmangur konkurrencën brenda aleancës, në pretendimet e tij politike ka bërë një hap elegant pas për të lënë mundësinë që primaret e Berishës për bashkitë kryesore, kandidatët të vijnë nga PD. Në politikë kjo quhet zemërgjerësi.

Mesa u kuptua në rastin e Këlliçit, ndikimi i Metës do të merret parasysh rast pas rasti. PD gjithmonë kur ka pasur koalicion me Metën, ka pasur një lloj ngërçi në bazë. Mendoj se kjo zgjidhje që ka bërë Meta duke ia lënë të gjithë kryetarët PD-së, është munduar të hedhë sa më shumë sheqer në aciditetin që krijohet në bazën e PD-së.

Nesho: Ishte një marrëveshje e nevojshme, një marrëveshje që tregon se opozita është e bashkuar. Partitë për herë të parë ngrihen mbi veten e tyre, bazohen te principet. Nuk ka teknikalitete si do të negociojmë. Ajo që është e rëndësishme është çështja e referendumeve që Meta ka kohë që e ka elaboruar. referendumet është një çështje që do të na shoqërojë edhe pas zgjedhjeve lokale.

Qytetarëve u mungon transparenca dhe llogaridhënia. Nuk është një marrëveshje e thjeshtë që opozita të fitojë, por të fitojë duke respektuar dy principet bazë: referendumi dhe primaret. Këto të fundit kanë të bëjnë me demokracinë e brendshëm të partive politike. Është një mënyrë për të bërë më të qartë konkurrimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb